Lajme

Dollenberg: Përmes vaksinimit masiv të popullatës mund të shohim së shpejti fundin e pandemisë

Aurora Meta- Dollenberg, e specializuar në Gjermani, flet për situatën aktuale në Kosovë

Tashmë emri Aurora Meta- Dollenberg është i njohur për të gjithë, pasiqë gjatë gjithë kësaj kohe pandemie, të gjithë mjekët nga Diaspora kanë dhënë kontributin e tyre për vendlindjen, qoftë përmes këshillave, platformave dhe protokolleve të ndryshme, trasmeton albinfo.ch.

Sigurimi i vaksinave për qytetarët e Kosovës vazhdon të jetë sfidë për institucionet e vendit. Por, falë ndihmës së shteteve mike dhe Bashkimit Evropian, Kosova tashmë ka siguruar një dozë të vaksinave dhe ka filluar vaksinimin e qytetarëve. BE-ja ditë më parë konfirmoi se do të sjellë në Kosovë 95 mijë doza të vaksinave anti-COVID.

E për sjelljen e këtij kontingjenti të vaksinave meritë ka edhe puna dhe angazhimi i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë (AMFE).

Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta Dollenberg, e cila njëherësh është edhe kryetare e kësaj federate, në një intervistë për Telegrafin ka treguar për punën dhe angazhimin e saj, por edhe të mjekëve shqiptarë për sigurimin e vaksinave për shqiptarët.“Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë është struktura e vetme e regjistruar që operon në një nivel evropian. Federata krenohet me mjekët dhe bluzat e bardha prej 21 vendeve evropiane që punojnë vullnetarisht dhe me humanizëm kanë mbështetur si në rrugë monetare dhe me dije gjatë këtij viti pandemik. Terapia e duhur ndaj COVID-19 dhe vaksinimi në kohë i popullatës shqiptare është motoja e Federatës”, ka thënë Dollenberg. Dollenberg thekson se ndër sukseset më madhore të Federatës ishte kontributi në sigurimi e më shumë se 150 mijë doza vaksinash nga Bashkimi Evropian për vendet shqipfolëse.

“Ndër sukseset më madhe të Federatës ishte kontributi në sigurimin e më shumë se 150 mijë doza vaksinash nga Bashkimi Evropian për vendet shqipfolëse. Ne jemi të vetëdijshëm se për imunitetin e tufës nevojiten akoma më shumë vaksina, kështu që ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të rritur ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian për mundësimin e dërgesës së radhës”, u shpreh mjekja shqiptare, Aurora Dollenberg. Dollenberg më tej theksoi se në fund të qershorit mjekët e Federatës do të kenë një takim në Bruksel, ku do të lobojnë për vaksinat e mëtejshme për pacientët shqiptarë.

“Federata ka ofruar gjatë gjithë pandemisë konsultimet falas online me pacientët e prekur nga COVID-19. Gjithsej janë organizuar 8 konferenca mjekësore ndërkombëtare, të akredituara në Gjermani, ku janë venë në dispozicion kolegëve tanë mjekë dhe qytetarit shqiptarë protokollet më të fundit të trajtimit të COVID-19. Kjo ka përmirësuar ndjeshëm dijen e mjekëve, sidomos tek rastet e shumta të pacientëve të trajtuar gabim apo thjesht me medikamente shumë të shtrenjta apo të panevojshme. Shpresën tashmë ne si Federatë e kemi tek kërkimet shkencore , që me sukses në Evropë dhe Izrael po zhvillojnë medikamentin më të fundit, që e shëron COVID-19 brenda 5 ditëve”, u shpreh Dollenberg.Më tej gjatë kësaj interviste, mjekja shqiptare ka theksuar se kanë kontribuar në ardhjen e 95 mijë vaksinave për Kosovën përmes Bashkimit Evropian.“Ky mundësim është një fitore e madhe për federatën tonë mjekësore humanitare. Aktualisht nevojiten akoma më shumë vaksina për të arritur, të vaksinojmë 60% te popullsisë në Kosovë, dhe kjo është arsyeja pse sfida jonë e radhës është sigurimi i këtyre vaksinave, përmes BE dhe vendet e tjera evropiane, të cilat i kanë me tepricë vaksina të caktuara si AstraZeneca, Johnson and Johnson etj”, u shpreh mjekja shqiptare.E pyetur se cila nga vaksinat deri tash është me efikase, mjekja shqiptare që punon në Gjermani, Dollenberg theksoi se nga studimet e deritanishme është vërtetuar që BioNTech /Pfizer ka efikasitetin dhe sigurinë më të lartë sa i përket efekteve anësore.“Efikasiteti i BioNTech shkon deri ne 95%. Në vendin e dytë renditet Johnson dhe Johnson, e cila ka treguar një efikasitet deri në 90%. Efikasiteti i Astrazeneca shkon deri 85% dhe me pas vjen vaksina ruse dhe ajo kineze”, u shpreh ajo.Dollenberg shtoi se të gjitha këto vaksina janë patentuar nga Komisionet përkatëse evropiane dhe jo evropiane të barnave, duke marr vulën e sigurisë.Ajo shprehet optimiste se gjatë këtij viti do të ketë një sezon të sigurt veror.“Kjo është arsyeja pse unë do të doja si eksperte e fushës t’i rekomandoja secilit ndonjërën prej këtyre vaksinave. E rëndësishme që të gjithë jemi të sensibilizuar, se vetëm përmes vaksinimin masiv të popullatës mund të shohim së shpejti fundin e pandemisë. Unë jam optimist, që para arritjes së verës, një pjesë e madhe e shqiptarëve do të jenë vaksinuar dhe se do kemi një verë të sigurt”, u shpreh mjekja shqiptare, Aurora Meta Dollenberg.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI