Futboll

Donat Rrudhani, me performancë të mirë në Lozanë

Donat Rrudhanit është futbollisti shqiptar, i cili para pak kohësh kaloi nga kampioni i Zvicrës, Young Boysi, te skuadra që po lufton për mbijetesë, Lausanne Sport, përcjell albinfo.ch.

“Për mua me rëndësi janë minutat në lojë dhe besoj që është hapi i duhur për t’u zhvilluar edhe më shumë si lojtar”, është shprehur ai.

Vlen të theksohet se Rrudhani në fund të janarit shënoi dy gola të rëndësishëm për Young Boysin. Dy të tjerë i shënoi gjatë këtij muaji.

Ndërkohë, Rrudhani, 24-vjeçar, është i kënaqur me paraqitjet e tij në dy ndeshjet e para me fanellën e Lausannes. Debutoi me gol te Lausanne në barazimin 1:1 me rivalin lokal, Lausanne-Ouchy, ndërsa javën e kaluar shënoi një prej tre golave të fitores 3:1 kundër Yverdon Sport.

“Jam shumë i kënaqur. Është pozitive për mua dhe për ekipin. Shpresoj të vazhdoj kështu”, është shprehur Rrudhani.

Ai pret të kthehet në verë tek Young Boysi edhe më i fortë. Rrudhani u huazua në shkurt te Lausanne. Më herët futbollisti i lindur në Kamenicë ka luajtur për skuadra të ndryshme zvicerane. Timau Basel, Black Stars Basel, Aarau ishin skuadrat e tij para se të bënte hapin e madh në karrierë duke iu bashkuar Young Boysit. Tani ai shpreson të vazhdojë me paraqitje të mira te Lausanne për t’u kthyer edhe më i fortë te kampioni zviceran i futbollit, shkruan kohanet.

“Unë jam vetëm i huazuar në Lausanne, do të kthehem verës sërish në Young Boys e pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Rrudhani.

Lausanne është në vendin e parafundit me 25 pikë, kurse Young Boysi me shumë gjasë do ta mbrojë titullin e kampionit. Zë vendin e parë me 51 pikë.

Rrudhani në total i ka 11 ndeshje në Superligën e Zvicrës, tri ndeshje për Kupë dhe një ndeshje në Ligën e Kampionëve. Ai ka dhjetë ndeshje për Kosovën nga viti 2021. Ka shënuar dy gola për “Dardanët”. Por ai shpreson të japë kontribut edhe në të ardhmen. Kosova javën e kaluar prezantoi selektorin e ri. Gjermani Franco Foda do ta drejtojë Kosovën për dy vjetët e ardhshëm. Foda më herët ka punuar në Zvicër, përkatësisht te Zuerichu për një periudhë të shkurtër. Dhe, mbase mund të ketë edhe informata për Rrudhanin që luan si futbollist krahu. Në të dy krahët e fazës ofensive te Kosova ka konkurrencë të madhe. Por Rrudhani shpreson të jetë pjesë e planeve të Fodas.

“Shpresoj ta kem rastin të ftohem edhe nga selektori i ri te Kosova. Por fillimisht duhet të kem paraqitje të mira në klub dhe pastaj i mbetet trajnerit të vendosë. Por unë do ta jap maksimumin tim gjatë edicionit aktual”, ka shtuar Rrudhani.

Kosova në mars do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore. Më 22 mars Kosova do të luajë ndaj Armenisë në Yerevan, ndërsa më 26 mars përballet me Hungarinë në Budapest.

Edhe në qershor do të ketë ndeshje miqësore, ndërsa në shtator nis me ndeshje në Ligën e Kombeve.

Kosova është pjesë e Grupit 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kundërshtarët e “Dardanëve” janë Rumania, Qiproja dhe fituesi i ndeshjes në mes të Lituanisë dhe Gjibraltarit. Vitin e ardhshëm, Kosova nis me kualifikimet e rregullta për Kupën e Botës 2026. Rrudhani shpreson që Kosova të jetë pjesëmarrëse e Botërorit.

“Shpresoj të arrijmë kualifikimin për Kupën e Botës 2026. Kjo besoj është ëndërr e imja, por edhe e gjithë lojtarëve që luajnë për Kosovën”, ka thënë Rrudhani.