Feja

Dorasi ka keqpërdorur besimin e xhamisë El – Hidaje

Për vrasjen në xhaminë e St.Gallenit që ndodhi të premten e kaluar janë deklaruar edhe përfaqësuesit fetarë në Zvicër

Dy ditë pas aktit makabër të kryer në lokalet e xhamisë El- Hidaje, imami i xhamisë, Mehas Alia, sekretari i xhamisë, Bekim Berisha, Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, i përfaqësuar nga kryetari i saj, Nehat Ismaili, kryetari i Federatës së Bashkësive Islame në Zvicër, Hisham Maizer, i kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes dhe gjithë xhematit në këtë rrethinë të St.Gallenit.

Klerikët myslimanë në Zvicër kanë shprehur shqetësimin që vrasja ka ndodhur në xhami.

Imami Mehas Alia kishte takuar për herë parë besimtarët që vijnë të falen në xhaminë „El-Hidaje“ pas vrasjes që ndodhi të premten të bashkatdhetarit të tyre në dhomën e lutjeve, që dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrjeje. „Kjo e diel, sot na kujton aktin e vrasjes që ndodhi në xhami. Ne si besimtarë besojmë në caktimin e Zotit dhe si të atillë duhet ta kalojmë edhe këtë tragjedi“, u shpreh imami Alia.

Sekretari i xhamisë El Hidaje, Bekim Berisha, pasi shprehu shqetësimin e tij dhe të gjithë komunitetit shqiptar, tha se ngjarja në fjalë na ka bërë të ndihemi shumë keq.

Në vazhdim Berisha tha se Xhamia El Hidaje është një shoqatë e hapur dhe do të mbetet e tillë për të gjithë njerëzit me shpirt paqësor. „Personi që ka kryer aktin makabër ka keqpërdorur besimin e xhamisë El – Hidaje dhe në këtë mënyrë, duke keqpërdorur besimin tonë, ai ka hyrë në brendi të xhamisë“, tha në këtë takim me besimtarët Berisha. „Nuk e kemi menduar asnjëherë se në xhami mund të ndodhë një rast i këtillë tragjik“, shprehet i shqetësuar Berisha. Në fund të fjalimit Berisha ka falënderuar policinë për korrektësinë dhe ndërhyrjen e shpejtë në arrestimin e vrasësit.

Në këtë takim të përbashkët fjalën e rastit e mori edhe kryetari i Unionit të Imamëve në Zvicër, Nehat Ismaili, i cili u ka shprehur ngushëllime familjarëve, kryesisë së xhamisë si dhe gjithë xhematit, në emër të Unionit të Imamëve. Pasi e cilësoi këtë ndodhi si një tragjedi, e cila ka ndodhur në një nga shtëpitë e Zotit, Ismaili ka theksuar se Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka qenë në kontakt të ngushtë me kryesinë e xhamisë dhe janë konsultuar në vazhdimësi me qëllim që të mos u shkaktojmë telashe imamit dhe kryesisë së xhamisë El Hidaje, si dhe t`i krijojnë kushte drejtësisë zvicerane për ta bërë punën e vet.

Vrasja nuk është bërë për motive fetare

„Ne si Union kemi plotësisht besim dhe bindje të plotë se populli zviceran, ligji dhe shteti dinë të bëjnë dallimin dhe të gjykojnë, duke mos i hedhur të gjitha aktet në një thes“, thotë Ismaili. „Falë Zotit, tha ia në vazhdim, që në këtë akt nuk ka pasur motive fetar. Natyrisht që raste të këtilla nuk duhet të ndodhin as jashtë xhamisë. Por, ja që ndonjëherë njerëzit humbin trurin dhe realizojnë akte të këtilla, të cilat e dëmtojnë dukshëm imazhin e popullit tonë“, tha në këtë paraqitje kryetari i imamëve shqiptarë të Zvicrës. Në fund, kryetari Ismali kërkoi nga komuniteti i kësaj xhamie që t `i lënë hapësirë drejtësisë së shtetit që të kryejë me sukses punën e vet, duke shtuar se rasti tragjik ka mundur të ndodhë kudoqoftë.

Hisham Maizer, kryetar i Federatës së Bashkësive Islame në Zvicër, lidhur me këtë ngjarje shprehet shumë i shqetësuar. Ai bëri të ditur se rastet e këtilla që bartin në vete motive të gjakmarrjes nuk kanë të bëjnë aspak me fenë Islame. Në sytë e personave të tubuar në xhami shihej qartë shqetësimi dhe tronditja që kishin përjetuar ditën e kobshme, kur vrasësi kishte kryer aktin e shëmtuar.

Në fund të takimit ata u larguan nga lokalet e xhamisë me një shqetësim që bartnin në shpirtrat e tyre.

Tashmë autori shqiptar me shtetësi të Serbisë ka pranuar vrasjen, ndërsa policia ende nuk ka zbardhur motivet e vrasjes së shqiptaro-zviceranit 51-vjeçar me shtetësi zvicerane.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI