Kosova

Dy përfaqësuesit më të lartë amerikanë vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Dy përfaqësuesit më të lartë amerikanë për Ballkani Perëndimor Palmer dhe Grenell vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin, me temen kryesore dialogu Kosovë-Serbi.

Matthew Palmer një muaj më parë u emërua nga administrata amerikane si i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, katër ditë më parë u ngarkua drejtpërdrejt nga Presidenti Tramp si ndërmjetësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi. Lajmin për vizitën në Prishtinë dhe Beograd, të dy zyrtarëve amerikanë e bëri ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Philip Kosnett bëri të ditur përmes rrjetit Twitter se mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon angazhim të përbashkët dhe punë intensive. “Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore. I dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Grenell dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, do të vijnë së bashku nga Berlini dhe të dy do të vizitojnë Kosovën”, shkruan Kosnett, transmeton DW.