Futboll

Dy shqiptarë në formacionin e javës në Zvicër

E përditshmja “Blick”, ka publikuar formacionin ideal në kampionatit zviceran

Taulant Xhaka nuk bën pjesë në planet e të ardhmes për trajnerin Edi Reja.

Tekniku nuk i beson edhe aq shumë mesfushorit dhe e ka lënë jashtë grumbullimit në tetor, duke e cilësuar zgjedhje taktike.

Një vendim që ngjan gjithnjë e më shumë me një “divorc” mes palëve, pasi Xhaka nuk është një lojtar që pranon lehtë stolin ku për momentin do të sistemohej nëse do të ishte përsëri pjesë e grumbullimit kuqezi.

Vlerat e lojtarit nuk diskutohen, por thjesht me përfaqësuesen ai ka dhuruar shumë më pak sesa pritej prej tij, duke marrë në konsideratë paraqitjet që bën me Bazelin në Zvicër.

Atje ai është thuajse i pagabueshëm dhe nuk është rastësi që edhe këtë javë, figuronte në formacionin ideal të kampionatit zviceran të ndërtuar nga e përditshmja “Blick”, e cila zakonisht nuk kursehet në kritikat kundër tij.

“Ai marshon, lufton dhe i jep mbulim ekipit. Mesfushori i Baselit vlen sa ari”, shkruan e përditshmja zvicerane për futbollistin shqiptar.

Ndërkohë, në formacionin ideal gjendet edhe një tjetër futbollist shqiptar dhe behet fjalë për Idriz Vocën, i cili ka shkëlqyer në paraqitjen e tij me Lucernën.

“Jep siguri për mbrojtjen e Lucernës. Po tregon se po behet më i rëndësishëm për të”, shkruhet për mesfushorin e përfaqësueses së Kosovës.