Kosova

“Edhe kundërshtarët e tij mendojnë se ky është lajm i keq për Kosovën”

"Mbretëron një pakënaqësi në Kosovë: Deri më sot, nuk ka pasur akuza për krime lufte kundër ndonjë kreu aktual shtetëror evropian që nga rasti i Slobodan Miloseviçit në vitin 1999. Edhe pse Hashim Thaçi është jopopullor për shumë kosovarë, madje edhe kundërshtarët e tij mendojnë se ky është një lajm i keq për Kosovën"

Prokurori special i gjykatës së Kosovës për krime lufte në Hagë ka ngritur aktakuzë kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Thaçi dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën e Kosovës, përfshirë gati njëqind vrasje, është thënë nga zyra e prokurorit special.

Lajmi i mësipërm është transmetuar nga të gjitha mediat e rëndësishme në gjuhën gjermane, në Gjermani, Zvicër dhe Austri.

Ndërsa gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, krahas lajmit, fokusohet edhe në “segmentin zviceran” të procesit ndaj Thaçit dhe UCK-së. Konkretisht, gazeta flet për rolin e ish deputetit zviceran, ish eurodeputetit dhe ish prokurorit zviceran, Dick Marty-t, shkruan albinfo.ch.

“Ndoshta shtytësi më i rëndësishëm për përpunimin ligjor të këtyre zhvillimeve është ish deputeti nga FDP në Parlamentin e Zvicrës nga Ticino dhe anëtari i Këshillit të Evropës, Dick Marty. Në vitin 2010, ai kishte publikuar një raport mbi krimet e pretenduara nga pjesëtarët e UCK-së. Ndër të tjera, aty përmenden ekzekutimet dhe trafikimi i organeve të robërve të luftës. Marty sheh përgjegjësinë kryesore për këto veprime,  te Hashim Thaçi.
Thaçi, në mënyrë të përsëritur ka mohuar akuzat dhe ka luftuar kundër legjitimitetit të gjykatës speciale, vazhdion gazeta. Mbrojtja nga ndërhyrjet dhe presionet është arsyeja kryesore përse gjykata, e cila është një organ i shtetit kosovar, ka selinë në Holandë.

Më tutje gazeta e vendos shpalljen e akuzës në kontekstin e zhvillimeve rreth dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht takimit që duhej të mbahet këtë të shtunë në Shtëpinë e bardhë, Uashington, shkruan albinfo.ch.

“Javën e kaluar, Grenell befasisht njoftoi se më 27 qershor do të zhvilloheshin bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit  në Uashington. Kosova duhet të përfaqësohet atje nga Presidenti Thaçi dhe kreu i ri i qeverisë Avdullah Hoti. BE atëherë filloi angazimin për bisedime para kësaj date me qeverinë e Serbisë dhe atë të Kosovës në Bruksel.

“Tash për tash, ne vetëm mund të spekulojmë vepër efektet e aktakuzës. Ish kryeministri Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqjen vitin e kaluar pasi qe thirrur në një seancë nga gjykata (speciale). Kundërshtarët e Thaçit akuzonin dy vjet më parë Thaçin se ai dëshironte një marrëveshje me Serbinë me çdo kusht, sepse kështu shpresonte që përmes “suksesit historik”  t’u shpëtonte procedurave penale para gjykatës. Por, prokurorët në Hagë i prishën këto plane, nëse ato fare kanë ekzistuar”, përfundon NZZ.

FAZ boton intervistën e realizuar me Thaçin para akuzës

Gazeta e njohur gjermane Franfurter Algemeine Zeitung, krahas lajmit bazik, jep dhe intervistën që korrespondenti ballkanik i kësaj gazete dhe njohësi i rrethanave në Kosovë, Michael Martens e kishte zhvilluar pak ditë më parë me presidentin Thaçi.

“Të enjten e kaluar, autori i këtij teksti ka intervistuar Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me telefon. Versioni i shkruar i regjistrimit të shiritit është bërë disa ditë më vonë nga stafi i Thaçit me disa ndryshime dhe shtesa dhe më pas është autorizuar për botim, shkruan Martens, përcjell albinfo.ch. Intervista fliste lidhur samitin e Thaçit të planifikuar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington me Presidentin serb Aleksandar Vuqiç. “Ndërkaq, sot pasdite u bë e ditur se është lëshuar një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për Presidentin e Kosovës. Kjo u njoftua nga prokurorët specialë të Gjykatës së Kosovës në Hagë. Prokurori akuzon Thaçin dhe të tjerët se janë përgjegjës për rreth njëqind vrasje. Intervista me Thaçin prandaj nuk është e vjetëruar, por përgjigjet e tij për disa pyetje tani po shfaqen në mënyrë të pavullnetshme në një dritë të re”, shkruan Martens duke prezantuar intervistën e tij.

SRF: “Një goditje e rëndë – dhe një shans i madh për Kosovën”

Edhe transmetuesi publik i Zvicrës, SRF ka publikuar një analizë të korrespondentit të saj në Stamboll, lidhur me aktakuzën për Thaçin. Është simptomatik titulli i artikullit “Një goditje e rëndë – dhe një shans i madh për Kosovën”.

“Mbretëron një pakënaqësi në Kosovë: Deri më sot, nuk ka pasur akuza për krime lufte kundër ndonjë kreu aktual shtetëror evropian që nga rasti i Slobodan Miloseviçit në vitin 1999. Edhe pse Hashim Thaçi është jopopullor për shumë kosovarë, madje edhe kundërshtarët e tij mendojnë se ky është një lajm i keq për Kosovën”, transmeton albinfo.ch shkrimin e srf.ch.

Presidentët e Serbisë dhe Kosovës është planifikuar të takohen në Uashington në 27 qershor. Por kjo akuzë dobëson shumë pozicionin negociues të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë. Madje nuk është e sigurt nëse Presidenti Thaçi do të udhëtojë në Uashington fare.

A fshihen hesape politike mbrapa kësaj?

Shumë vëzhgues në Kosovë dyshojnë se  qëndron një llogari politike në lidhje me datën e  lëshimit të akuzës. Sidomos pasi aktakuza me sa duket ishte gati që në muajin prill, përcjell albinfo.ch. Kështu mendon profesori dhe analisti kosovar i drejtësisë, Vigan Qorolli. “Është një shtypje e butonit për ndalimin e jetës politike në Kosovë” thotë ai. Në Uashington do të diskutohet një shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës ndërsa BE ishte gjithnjë kundër lëvizjes së kufijve në Ballkan.

Megjithatë, vazhdon analisti zviceran, “vështirë që puna është kaq e thjeshtë. Gjykata Penale Ndërkombëtare mudn të ngre akuza vetëm nëse ka prova të forta dhe dëshmitarë”.

“Edhe nëse kjo aktakuzë e vë Republikën e Kosovës në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, ajo mund të jetë gjithashtu një mundësi për një kthesë historike për të mirë”. Kjo, pasi që, sipas autorit, ka qenë Thaçi ai që ka rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit, fituesit të zgjedhjeve vjeshtën e kaluar. Këtë e ka bërë me veprime e truqe tejet të diskutueshme. Duke vepruar kështu, ai ka treguar hapur përbuzjen e tij për demokracinë. Dhe, me dënimin eventual të tij, sipas autorit, Kosovës mund t`i hapet rruga e demokracisë”.