Bota

Edhe nëntori i ngrohtë në Evropë

Shërbimi zyrtar i motit në Gjermani tha se moti aktual i ngrohtë në vend do të vazhdojë

Evropa parashikohet të karakterizohet nga një mot i butë në nëntor, çka lehtëson presionin mbi ruajtjen e gazit natyror, pasi kriza energjetike e rajonit kufizon furnizimet përpara dimrit.

Parashikimet afatgjata nga kompania “Maxar Technologies” dhe “Marex” nuk tregojnë ditë të të ftohta për këtë muaj, një lehtësim për familjet e shqetësuara për koston e ngrohjes dhe për qeveritë që dëshirojnë të ruajnë rezervat e gazit pas një rënieje të furnizimit rus.

Çmimet evropiane të gazit kanë rënë ndjeshëm që kur prekën majat në gusht, por janë ende rreth 80% mbi nivelet e një viti më pare duke rritur kostot për konsumatorët dhe industrinë, që po përgatiten për faturat e frikshme të dimrit, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Temperatura të larta mbi normalet priten në fillim të nëntorit, ndërsa moti i butë do të vazhdojë gjatë gjithë muajit, sipas kompanisë “Maxar”. Sinoptikanët e tjerë kanë parashikuar një rikthim të mundshëm të temperaturave mesatare të sezonit në gjysmën e dytë të nëntorit.

Çmimet evropiane të gazit ranë të martën deri në 5.5% për shkak të shtyrjes në kohë të sezonit të ngrohjes.

Vjeshta në Evropë ka qenë jashtëzakonisht e ngrohtë, me tetorin që regjistroi numrin më të ulët të ditëve në të cilat përdoren kaloriferët në shtëpi që nga viti 2000. Kjo ka ndihmuar në mbajtjen niveleve të gazit në objektet e magazinimit, që tani janë rreth 95% të mbushura në të gjithë kontinentin, ndërsa në Gjermani ka arritur në rreth 99%.

Shërbimi zyrtar i motit në Gjermani tha se moti aktual i ngrohtë në vend do të vazhdojë, ndërsa shërbimi i Francës sheh gjithashtu temperatura më të larta se zakonisht. Në Mbretërinë e Bashkuar, mundësitë për një dimër më të ftohtë se normalja po rriten, megjithëse skenari më i mundshëm mbetet një dimër mesatar deri në janar, tha shërbimi zyrtar i vendit.

Një nëntor i ngrohtë do të ishte larg zgjidhjes së problemeve energjetike të Evropës, por së paku një fillim i vonuar i sezonit të ngrohjes do t’u jepte politikëbërësve më shumë hapësirë. Dhe nëse rajoni nuk do të ketë mot tejet të ftohtë këtë dimër, siç parashikohet nga shkencëtarët në Shërbimin e Ndryshimeve Klimatike Copernicus, konsumatorët mund të kenë një lehtësim nga kriza më e keqe e kostos së jetesës në dekada.