Lajme

Efektet e vaksinimit në Zvicër: 26 raste të rënda nga 370 mijë të vaksinuar

Gjashtë raste kanë përfunduar me vdekje por nuk ka tregues specifik se vaksinimi ishte shkaktar i vdekjes

Në fushatën më të madhe të vaksinimit në historinë e Zvicrës, instituti i produkteve mjekësore Swissmedic ka analizuar dhe vlerësuar 63 raporte të efekteve anësore të padëshirueshme. Të kujtojmë: deri më sot janë vaksinuar 369 mijë veta ose 4.2% e popullatës.

26 nga këto raporte janë klasifikuar si serioze, raporton sda.ch.

Gjashtë nga rastet e klasifikuara si serioze deri të enjten, kanë përfunduar me vdekje.

Të prekur ishin personat e moshës midis 85 dhe 92 vjeçare, të cilët kishin sëmundje të mëparshme, transmeton albinfo.ch. Nuk ka tregues specifik se vaksinimi ishte shkaktar i vdekjes, shkruan Swissmedic.

Sipas gjendjes aktuale të njohurive, infeksionet, sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut ose sëmundjet e mushkërive dhe traktit respirator kanë çuar në vdekjen e këtyre personave të vaksinuar.

Sëmundje të tilla janë më të shpeshta në këtë moshë. Për momentin, veçanërisht personat mbi 75 vjeç janë vaksinuar kundër Covid-19.

Gratë, më të prekura

Në raportet tjera, të të klasifikuara si serioze, shqetësimet më të shpeshta ishin vështirësitë në frymëmarrje, ënjtja e lëkurës ose skuqjet si rezultat i reaksioneve alergjike.

Gjithashtu kanë ndodhur edhe simptoma të gripit, si ethe të larta dhe dhimbje të forta në gjymtyrë.

Nga 37 raporte që nuk klasifikohen si serioze, ankesat më të shpeshta ishin dhimbja e kokës, dridhujet, ethet dhe dhimbjet në vendin e injeksionit, përcjell albinfo.ch.

Në 63 raporte të analizuara deri më tani, gratë preken më shpesh sesa burrat.

Më shumë përfitim sesa rrezik
Në ditët e fundit, Swissmedic ka marrë raporte të tjera të shumta për dyshimet në lidhje me vaksinat Covid 19.

Instituti synon të aktualizojë të dhënat e tij sa më shpejt që të jenë në dispozicion rezultate të reja për rastet e vlerësuara, transmeton albinfo.ch. Rastet e raportuara deri më tani nuk kanë ndryshuar profilin pozitiv të përfitimit nga  vaksina, i cili tejkalon me të madhe dëmet e përmendura anësore.

Deri më tani, 4.2 në 100 banorë në Zvicër janë vaksinuar kundër Covid-19, ka raportuar të premten Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG).

Dy javë më parë, kur ishin të vaksinuar rreth dy për qind e njerëzve, Swissmedic kishte raportuar 42 raste të efekteve anësore të padëshirueshme.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI