Integrimi

Ekspertja shqiptare në Zvicër sqaron konfuzionin me testet për COVID-19

Dr. Fatime Imeri, eksperte shqiptare e mjekësisë nga Cyrihu shpjegon, veç tjerash, se "në cilat raste laboratori nxjerr testin për COVID-19 për 45 minuta"

Dr. Fatime Imeri është një eksperte e shquar, specialiste për Mikrobiologji, Imunologji, Hematologji, Kimi Klinike dhe Diagnostikë Molekulare e epidemiologjisë, në Cyrih. Ajo është bartëse e disa funksioneve në fushën që mbulon, në institucione shkencore me renome në Cyrih dhe Zvicër.

Në artikullin në vijim, ajo shpjegon për lexuesit e albinfo.ch disa hollësi rreth punës së laboratorëve për testimin e COVID-19 dhe sqaron konfuzionet e pranishme në opinionin kosovar e më gjerë lidhur me testet në fjalë.

COVID-19:  Konfuzioni me testet RT-PCR

COVID-19 është sëmundje që e shkakton virusi me emrin SARS-CoV-2.

Për pyetjen “A jam i infektuar me COVID-19”, përgjigjen e jep testi  RT-PCR.

Për  pyetjen “A kam pasur më herët COVID-19”, përgjigjen e jep testi serologjik në gjak.

Dallimi në mes RT-PCR dhe Rapid RT-PCR

Testet komerciale për COVID-19 mund të jenë teste të shpejta “Rapid RT-PCR “dhe teste  tradicionale “RT-PCR”.

Aparatet për teste të shpejta bëjnë përpunimin e mostrave mesatarisht për 1 orë kurse ato për  teste tradicionale mesatarisht për 1.5-2 orë.

“GeneExpert” është një ndër testet e shpejta “Rapid RT-PCR “me kualitet të lartë që e përdorim për raste emergjente edhe në laboratorin tim në Cyrih, shkruan albinfo.ch. Çmimi që pacienti paguan (119 CHF përafërsisht 100 Euro) është i njëjtë sikur për testin tradicional.

Nëse mostra është pozitive, “GeneExpert” fillon të japë sinjalin e parë pas 45-50 minutave, por nëse mostra është negative, duhet të pritet 70 minuta, deri në fund të reaksionit PCR. Pra, ne nuk mund të premtojmë paraprakisht rezultatin brenda 45-50 minutave, sepse nuk mund të dimë nëse mostra është pozitive apo negative. “GeneExpert” mund të analizojë vetëm 3-4 mostra brenda 1 ore, varësisht nga lloji i aparatit, shkruan ekspertja dr. Imeri për albinfo.ch. Për më shumë, prodhuesi i “GeneExpert” ka paralajmëruar se për shkak të kërkesave të mëdha dhe vështirësive në produksion, nuk do të mund të  furnizojë laboratorët në Zvicër as me nga 10-20 teste në javë, sa ishte sasia e tyre deri tash.

Krahasuar me qindra dhe mijëra mostra që laboratori  duhet të testojë brenda 24 orëve, del që testet e shpejta si  “GeneExpert” kryejnë punë vetëm në raste emergjente dhe atë, nëse pacienti  ka fatin që mostra e tij të jetë në radhë ndër 3- 4 të parat për t`u përpunuar.

Përderisa te testet e shpejta, aparati përpunon shumë pak mostra për 1 orë, aparatet  për teste tradicionale  mund të analizojnë me dhjetëra dhe qindra mostra njëkohësisht brenda 1.5-2 orëve.  Pasi që numri i mostrave ndryshon çdo ditë dhe është tejet i madh, ato nuk mund të përpunohen të gjitha përnjëherë. Për këtë arsye, laboratori garanton rezultatin jo për 1-2 orë por brenda 24 orëve.

Kohëve të fundit, kanë filluar të testohen lloje të reja të testeve të quajtura “Rapid Antigen SARS-CoV-2”, ku virusi detektohet brenda 15 minutave. Nëse janë efikase, këto do të mund të zëvendësojnë në masë të madhe testin RT-PCR . Në bazë të raporteve dhe studimeve të deritashme, aplikimi i tyre është ende i limituar dhe rastet pozitive  duhet të konfirmohen me metodën klasike RT-PCR.

Kriteret për laboratore

Numri i testeve komerciale RT-PCR për COVID-19  është shumë i madh dhe ato dallojnë në kualitet dhe saktësi. Pas shpalljes së pandemisë, shumë teste u lejuan të përdoren pa u provuar efikasiteti dhe saktësia e tyre në studime laboratorike.

Janë raportuar raste të testeve të tilla, me një sensitivitet dhe specifitet vetëm 50%. Kjo do të thotë që 50% e pacientëve me COVID-19 rezultojnë negativ dhe 50% e personave të shëndoshë që nuk kanë fare COVID-19 rezultojnë pozitiv!

Prandaj, secili laborator duhet të bëjë testime dhe studime, nëse testi i përzgjedhur është i saktë, apelon ekspertja nga Cyrihu.  Laboratori fillimisht duhet të analizojë në mënyrë paralele mostrat edhe me një  test  tjetër RT-PCR i cili ka kualitet të lartë  dhe që konsiderohet metodë referente apo  “standard i artë”.

Kushti i parë, që një laborator në Zvicër dhe në shumë shtete tjera të Evropës perëndimore, të marrë leje për të bërë testin RT-PCR, është që të ketë të punësuar një Mikrobiolog me specializim shtesë në Diagnostikë Molekulare, shkruan albinfo.ch. Pastaj, laboratori duhet patjetër të marrë pjesë në të ashtuquajturat “Kontrolle të Kualitetit” (“external quality control”), të cilat në Zvicër dhe shumë shtete  tjera janë të obligueshme me ligj.

Këto mund të jenë arsyet, që këto shtete të mos pranojnë rezultatet për COVID-19 nga laboratorët që nuk plotësojnë kriteret e lartpërmendura.

Përvoja ime me COVID-19

Konkluzionet nga përvoja ime e deritashme me dhjetëra mijëra testime RT-PCR, pas kontakteve me shumë pacientë me COVID-19 dhe në bazë të publikimeve të deritashme  janë:

  1. Testi RT-PCR nuk rezulton pozitiv që në ditën e parë pas kontaktit dhe infektimit me COVID-19. Nevojiten 2-3 ditë që virusi të shumëzohet në fyt ose hundë, dhe vetëm atëherë, testi do të rezultojë pozitiv.
  2. Me kalimin e kohës, virusi kalon në mushkëri ku edhe shumëzohet dhe rrjedhimisht mostrat nga fyti dhe hunda do të jenë negative. Në atë rast duhet të testohet BAL (lavazha bronkoalvelorare) e mushkërive në mënyrë që të konfirmohet COVID-19.
  3. Një person i infektuar dhe ende pa simptome, mund të infektojë të tjerët 2-5 ditë para se t`i shfaqet sëmundja.
  4. Personi me COVID-19 mund të shpërndajë virusin edhe dy ditë pasi të konsiderohet plotësisht i shëruar dhe pasi nuk ka më asnjë simptomë.
  5. Në raste të rralla, RT-PCR mund të rezultojë pozitiv disa (4-5) javë pas shërimit. Arsyeja është se materiali gjenetik i cili detektohet me test mund të mbetet më gjatë në organizëm edhe nëse virusi nuk jeton dhe nuk shumëzohet më. Pra, nevojitet kohë derisa virusi i vdekur të eliminohet nga organizmi i njeriut.

Këshillë për të gjithë  ata që e bëjnë testin RT-PCR

Nëse e bëni  testin për COVID-19, pyeteni laboratorin tuaj

  • çfarë testi komercial përdor ?
  • Sa janë sensitiviteti dhe specifiteti i testit ?
  • A ka bërë laboratori studime për saktësinë e testit? Sa mostra ka testuar?
  • A ka stafi përvojë në Diagnostikë Molekulare?
  • A merr pjesë në “Kontrolle të Kualitetit” (shumë e rëndësishme!)?

Të gjitha këto të dhëna do t`ju japin informatat e duhura për besueshmërinë në rezultatin e marrë.

Se kush është Dr. Fatime Imeri, e tregojnë titujt e saj. Sa janë të besueshme konkluzionet që ajo i shpjegon, po ashtu e tregojnë titujt e saj profesional të cilat i kemi shënuar më poshtë.


Dr. Fatime Imeri Berisha

Dr. med., MSc in Life Sciences UZH (dipl. Mikrobiol. Univ. Zürich), EMBA UZH, Specialiste për Mikrobiologji, Imunologji, Hematologji, Kimi Klinike dhe Diagnostikë Molekulare, shkruan albinfo.ch.

Funksionet aktuale:

CEO dhe anëtare e Bordit të Drejtorëve: Laboratori LG1 (Laborgemeinschaft 1) dhe filiala Walk-In, Cyrih.

CEO dhe kryetare e Bordit të Drejtorëve: Poliklinika Checkin Helvetiaplatz  AG, Cyrih.

Anëtare e Bordit të Drejtorëve dhe anëtare e stafit menaxhues:  Laboratori Medibact AG, Riehen dhe filiala Drop-In, Bazel.

Anëtare e Bordit të Drejtorëve dhe anëtare e stafit menaxhues: Poliklinika Rautipraxis AG, dhe Poliklinika Kalkbreite AG, Cyrih.

Nga shtatori anëtare e  Bordit të Drejtorëve : evolyx AG (software development company), në Cyrih të Zvicrës.

 

.