Literaturë

Enkel Demi “në duel” me Tom Kukën, para publikut shqiptar të Zvicrës

Tom Kuka, alias Enkel Demi ka prezantuar ditë më parë, në bibliotekën “Pestalozzi”, në Hardau, Cyrih, romanin e tij “Gurët e vetmisë”

Enkel Demin e njohim si gazetar dhe moderator të shquar nga Tirana. Por, ndryshe nga emri që përdor në gazetari, të cilën e ka “bukë të përditshme”, ai ka zgjedhur që romanet të cilët i shkruan, t`i “firmosë” me pseudonimin Tom Kuka.

Ky “i fundit” ka prezantuar të shtunën që shkoi, në bibliotekën “Pestalozzi”, në Hardau, Cyrih, romanin e tij “Gurët e vetmisë”.

Në një ambient të këndshëm e atmosferë të lirshme, ai ka folur gjerësisht për romanin në fjalë dhe për qasjen e tij ndaj letërsisë që shkruan si dhe letërsisë në përgjithësi.

Për fillim, drejtorja e bibliotekës, Suela Jorgaqi, në cilësinë e nikoqires, ka përshëndetur të pranishmit dhe ka shprehur kënaqësinë që, për të satën herë me radhë, kjo bibliotekë po bëhej strehë e ngrohtë e prezantimit të letërsisë shqiptare. Më tutje ajo ka prezantuar profilin krijues të autorit, Tom Kuka, gjegjësisht Enkel Demi, romani “Gurët e vetmisë” i të cilit është përkthyer edhe në gjermanishte. Me romanin e tij “Flama”, ai ka fituar çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi, në vitin 2021 ndërsa me romanin “Gurët e vetmisë”, Çmimi  kombëtar për romanin më të mirë, në vitin 2018.

Me një bagazh të tillë letrar, emri i Enkel Demit/Tom Kukës kishte tërhequr një numër të konsiderueshëm artdashësish në këtë promovim.

Në këtë mbrëmje ai kishte ndërruar rolet, duke i dhënë botueses së tij, zonjës Loreta Berhami (Shtëpia Botuese “Pegi”) mikrofonin e gazetares dhe duke pranuar kështu t’u përgjigjet pyetjeve të saj.

Autori “i sfiduar” nga botuesja, ka folur gjerësisht mbi kredon e tij krijuese, fushën tematike të romaneve të tij, dhe Çamërinë, gjithsesi Çamërinë e rrënjëve të tij. Atje ai ka “Itakën” dhe “Macondën” e tij, që i shërbejnë si burim frymëzimi për romanet që shkruan.

Konkretisht, në romanin “Gurët e vetmisë”, thotë Demi, është marrë me historinë e dy fiseve të mëdha nga Filati i  Çamërisë: Sejkatët dhe Dematët, të cilët, të dy janë në një mënyrë janë paraardhës të tij. Ndonëse flet për çamët, ai nuk është marrë me ta në pozitën e njohur të viktimave të politikës por i ka vendosur ata në një dimension tjetër, njerëzor e shoqëror. “Në këtë roman ju nuk do ta gjeni asnjëherë të shkruar fjalën “Greqi “ dhe “grek”. Me këtë kam dashur të mos vë asnjë shenjëzim urrejtjeje ndaj një vendi e një populli”, ka thënë veç tjerash autori.

Por ai ka thënë se, sikur në këtë roman, ashtu dhe në të tjerët, ai është marrë me fatin e “palës së mundur” në historinë që ka ndodhur faktikisht. Si “të mundur”, prandaj, janë edhe çamët, tragjedia e të cilëve është e njohur mirë.

Ndonëse i mbështetur në një realitet, që shtrihet brenda dy shekujve, romani i tij nuk është histori faktografike. Si romanet e tij të tjerë, edhe ky bart elemente nga fryma e realizmit magjik, ka theksuar ai.

Demi ka folur veç tjerash edhe për mënyrën e punës së tij në të shkruarit e romaneve, për ndarjen në mes të Enkel Demit dhe “Tom Kukës”, që bën ai, në varësi nëse shkruan letërsi ose bën gazetari etj. Në këtë kontekst, ai ka përmendur rrezikun që gjithmonë ekziston që gazetari tek ai ta “mbysë” shkrimtarin dhe për të shmangur këtë rrezik ai përpiqet të mbajë distancën e nevojshme në mes të dy cilësive të tij.

Në vazhdim, lexuesit i kanë shtruar pyetje të shumta autorit, për librin e promovuar dhe për libra të tjerë.