Fotolajmi

Evropa, afër pezullimit të Shengenit për dy vjet

Ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian të hënën i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të përgatisë bazën ligjore dhe politike për rikthimin e mundshëm të kontrolleve kufitare brenda zonës së Shengenit deri në dy vjet, në krahasim me gjashtë muajt e zakonshëm dhe për të shqyrtuar nëse Frontex mund të ndihmojë në sigurimin e kufirit midis Maqedonisë dhe Greqisë, në kohën kur përpjekjet evropiane për të kontrolluar krizën e emigrantëve kanë pak efekt, raportojnë mediat në Bruksel.

Ministrat e brendshëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën të hënën në takimin joformal në Amsterdam. Takimi në fjalë ishte kryesuar nga ministri holandez për Migrim, Dijkof Klaas, vendi i të cilit kryeson Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2016.
Dijkof pas takimit u tha gazetarëve se ministrat kanë rënë dakord për kërkesën Komisionit Evropian për të përgatitur një propozim për përdorimin e nenit 26 të Kodit të Kufijve Shengen. Se neni parashikon futjen e kontrollit të kufijve të brendshëm deri në dy vjet, nëse ka të meta serioze në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen.

Nën presionin e fluksit masiv të emigrantëve në Bashkimin Evropian deri tani gjashtë shtete kanë futur kontrollet e përkohshme kufitare. Kontrolli kufitar i kufijve të brendshëm Shengen mund të vendoset përkohësisht në rast të kërcënimeve të sigurisë për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme, dhe mund të zgjasë deri në tre muaj me mundësi zgjatjeje për tre muaj të tjerë. Megjithatë, në të gjitha rastet e veprimit të njëanshëm, anëtarët e Shengenit duhet të njoftojnë Komisionin Evropian dhe shtetet e tjera anëtare, si dhe për arsyet që çuan në këtë lëvizje.
„Ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së kanë dhënë një sinjal të qartë për të shqyrtuar nëse agjencia Frontex mund të ndihmojë në sigurimin e kufirit midis Maqedonisë dhe Greqisë”, tha Dijkof.
Në ditët e fundit BE-ja ka rritur presionin ndaj Greqisë për të filluar kontrollin në mënyrë efektive të kufirit të saj me Turqinë.
Pezullimi i përkohshëm i rregullave të Shengenit që i ka aplikuar Austria dhe Gjermania, skadon në maj dhe kjo mund të zgjatet për dy vjet.