Lajme

Evropa e përçarë për gazin rus

Evropa merr 40% të gazit natyral nga Rusia, vend që gjithashtu është furnizuesi kryesor për naftën.

Vendet e Bashkimit Evropian janë të ndara për kohën se kur duhet të ndalojnë importin e energjisë nga Rusia.

Ndërkohë që janë vendosur sanksione në biznes, BE mbetet shumë e varur nga nafta dhe gazi rus, shkruan BBC.

Ministri gjerman i Ekonomisë shprehet se vendi i tij është gati për të ndaluar importin e naftës në fund të 2022 dhe i mbështet masat e ashpra.

Ndërkohë, Hungaria thotë se kundërshton një lëvizje të tillë, duke theksuar se s’do t’i mbështesë masat që vënë në rrezik furnizimet.
Ministrat e BE-së u takuan të hënën për të diskutuar mbi menaxhimin e situatës, në presionin në rritje për të reduktuar të ardhurat që i shkojnë Putinit dhe që mund të përdorë në luftën e Ukrainës.

Dy sfidat kryesore të vendeve të BE-së janë se si do ta paguajnë për energjinë ruse pa shkelur sanksionet dhe si të krijojnë burim alternativë për varësinë nga nafta dhe gazi rus.

Sipas qendrës kërkimore për energjinë, CREA, BE ka importuar 37 miliardë paund gaz dhe naftë që prej nisjes së konfliktit. Dy vendet kryesore importuese janë Gjermania dhe Italia.
Gazprom ka ndaluar javën e fundit importimin e gazit në Poloni dhe Bullgari pasi këto vende refuzuan të plotësonin kërkesat e Rusisë për të paguar në rubla.

Gjermania merr aktualisht 25% të naftës dhe 40% të gazit nga Rusia. Sllovakia dhe Hungaria morën 96% dhe 58% respektivisht të naftës së vitit të kaluar nga Rusia.