Lajme

Evropa në valën e të nxehtit, në disa vende ka edhe zjarre

Mijëra zjarrfikës po luftojnë me zjarret në Portugali, Spanjë dhe Francën jugperëndimore, nën kontrollin e një valë të nxehti që nuk tregon asnjë shenjë lehtësimi.

Në Portugalinë veriore, një pilot humbi jetën kur avioni i tij u rrëzua në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjoll, në përpjekje për të shuar zjarret.

Zjarret po shkatërrojnë zonat e rajonit Gironde të Francës, ku më shumë se 12,000 njerëz janë evakuuar.

Në Spanjën jugore, pranë Costa del Sol, rreth 2,300 njerëz u detyruan të largoheshin nga zjarri i përhapur në kodrat Mijas.

Pushuesit në plazhin e Torremolinos panë shtëllunga të mëdha tymi që ngriheshin në kodra, ku disa avionë po luftonin zjarrin.

Ndërkohë, një banor vendas i përshkroi zjarret në pyje pranë bregut jugperëndimor të Atlantikut të Francës si ndjesi “post-apokaliptike”.

“Unë kurrë nuk e kam parë këtë më parë,” i tha Karyn, i cili jeton pranë Teste-de-Buch, për agjencinë e lajmeve AFP.

Zjarri atje dhe një tjetër në jug të Bordosë kanë shkatërruar rreth 10,000 hektarë. Rreth 3,000 zjarrfikës janë duke shuar flakët.

Franca gjithashtu ka pasur nxehtësi të madhe prej rreth 40 gradë Celsius dhe pret më shumë javën e ardhshme, me 16 departamente në alarm portokalli, për mot të nxehtë.

Që nga e marta, temperaturat janë rritur në 47 gradë Celsius në Portugali dhe mbi 40 gradë Celsius në Spanjë, duke shkaktuar thatësira dhe duke ndezur zjarret. Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur nga të nxehtit në të dy vendet, raporton agjencia spanjolle e lajmeve Efe.

Pjesë të tjera të Mesdheut janë prekur gjithashtu. Në Itali, qeveria ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në luginën e tharë të lumit Po.

Në Greqi, zjarrfikësit po merren me flakët në zonën e Ferizës, rreth 50 km në jug-lindje të Athinës dhe pranë Rethymno, në bregun verior të Kretës. Shtatë fshatra janë evakuuar pranë Rethymnos.

Edhe Turqia po ashtu ka nisur evakuimin në gadishullin jugperëndimor të Datkas, me mbi 500 shtëpi që janë djegur e mijëra vetë janë larguar. Vitin e shkuar, zjarret në jugperëndim të Turqisë shkrumbuan mbi 345 mijë hektarë tokë, në flakët më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në vend.

Flakët përfshinë këtë fundjavë edhe brigjet e Adriatikut, me autoritetet në Kroaci që janë në gjendje emergjence, kjo pasi era e fortë po ndihmon në përhapjen me shpejtësi të flakëve.

Organizata Botërore e Meteorologjisë, paralajmëroi se vala e të nxehtit pritet të përhapet edhe më tej në kontinentin europian, nga java e ardhshme.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.