Bota

Evropa rrit investimet në Inteligjencën Artificiale

Plani i Veprimit për teknologjinë mbulon infrastrukturën, aksesin në të dhëna, cloud-in, si dhe synon të transformojë industritë tradicionale të Evropës

Investimet në startup-et evropiane të inteligjencës artificiale (AI) janë në rritje, ndërsa Komisioni Evropian zbuloi javën e kaluar planet për të forcuar kapacitetet e veta në këtë sektor. Megjithatë, trazirat aktuale globale në tregtinë ndërkombëtare mund të kërcënojnë këtë përparim.

Investimet evropiane në teknologjinë inovative panë një rritje prej 55% të financimit nga kapitali sipërmarrës në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të reja nga Dealroom.

Sipas këtyre të dhënave, kompanitë e inteligjencës artificiale kanë mbledhur tashmë pothuajse 3 miliardë euro, krahasuar me 1.9 miliardë në tremujorin e parë të vitit 2024. Ndërkohë, aksionet evropiane në sektorët e tjerë të teknologjisë, përjashtuar IA-në, kanë shënuar një rënie prej 10%, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, këto shifra nuk përfshijnë efektet e tarifave të vendosura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vendosur një normë prej 125% për importet nga Kina.

Gjithashtu, ai ka vendosur një tarifë prej 20% ndaj eksporteve nga Evropa drejt SHBA-së, e cila më pas është ulur përkohësisht në 10%. Presidenti amerikan deklaroi se pajisjet elektronike si telefonat inteligjentë dhe kompjuterët do të përjashtohen nga këto detyrime për momentin, por paralajmëroi se masa të tjera do të pasojnë së shpejti.

Lançimi i modeleve themelore të inteligjencës artificiale është shndërruar në një garë gjeopolitike, të cilën shtetet e konsiderojnë si çështje të sigurisë kombëtare. Shtetet e Bashkuara dhe Kina po ecin me hapa të shpejtë përpara Evropës në ndërtimin e këtyre modeleve.

Megjithatë, raporti i fundit thekson se investimet në firmat evropiane të AI-së janë përqendruar kryesisht në sektorët e shëndetësisë, sigurisë kibernetike dhe robotikës.

Të dhënat treguan gjithashtu se interesi për agjentët e inteligjencës artificiale të Evropës është rritur, me 45 milionë euro të vendosura në startup-e të reja që punojnë në këto mjete, duke përfshirë firmat Lovable me seli në Stokholm dhe Paid AI me seli në Londër.

Plani i Veprimit

Plani i Veprimit për teknologjinë mbulon infrastrukturën, aksesin në të dhëna, cloud-in, si dhe synon të transformojë industritë tradicionale të Evropës.

Pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e planeve të BE-së për zhvillimin e teknologjisë, vendi ka tërhequr investimet më të mëdha në Evropë, me startup-et britanike që kanë mbledhur rreth 3.6 miliardë euro këtë vit, ku 1.4 miliardë shkuan për kompanitë e inteligjencës artificiale.

Gjermania gjithashtu pa një rritje të investimeve me 74 përqind për tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar në, duke arritur 355 milionë euro.

Megjithatë, Franca, qeveria e së cilës ka nxitur investime në këtë sektor dhe krenohet me kompani të tilla si Mistral AI, ka pësuar një rënie prej rreth 18 përqind në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me 2024.

Qeveria franceze ka nxitur zhvillimin e teknologjisë në vend dhe këtë vit priti Samitin e Veprimit për Inteligjencën Artificiale në Paris. Në prag të eventit, Presidenti Emmanuel Macron njoftoi investime me vlerë 109 miliardë euro në këtë sektor gjatë viteve të ardhshme.

“Ambicia evropiane po bëhet vetëm më e fortë. Samiti i Parisit vendosi standardin e lartë për atë që duhet bërë në Evropë. Startup-et dhe kompanitë evropiane po ngrihen për të sfiduar tregun”, tha një nga autorët e raportit.

“Nga kujdesi shëndetësor te siguria kibernetike dhe automatizimi, kompanitë evropiane po ndërtojnë zgjidhje që janë urgjentisht të nevojshme dhe ritmi i financimit tregon se investitorët janë të entuziazmuar për potencialin teknologjik të kontinentit”, theksoi ai.