Lajme

Federata Zvicerane e Futbollit: “Nuk ua kemi ndaluar lojtarëve tanë simbolin e shqiponjës”

"Raportimet e mediave dhe titujt ndërkombëtarë që rezultojnë nga to janë të pasakta ose nuk korrespondojnë me atë që ka thënë zoti Pierluigi Tami"

Deklarimi i bërë para disa ditësh nga drejtori i Kombëtares Zvicerane Pierliuigi Tami se lojtarëve me rrënjë shqiptare të kësaj kombëtareje do tu ndalohet “bërja e shqiponjës”, në mediat dhe opinionin publik shqiptar ngjalli pakënaqësi të shumta.

Në mesin e atyre që ngritën zërin kundër një deklarimi të tillë, siç ka shkruar albinfo.ch, ishte edh Kuvendi  Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ).

Sot, tri ditë pas asaj që u quajt deklaratë skandaloze nga ana e drejtorit të NAti-t, KSHZ ka dalë me deklaratën në vijim:

“Pas një takimi me Federatën Zvicerane të Futbollit (SFV) të martën, më 27 shtator 2022, federata në fjalë e bëri të qartë se raportimet e mediave dhe titujt ndërkombëtarë që rezultojnë nga to janë të pasakta ose nuk korrespondojnë me atë që ka thënë zoti Pierluigi Tami.

Sipas SFV, ajo nuk ka bërë asnjë ndalim të qartë që lojtarët të festojnë golat me simbolin e shqiponjës dykrenore. SFV-ja ua komunikoi këtë edhe disa mediave shqiptare me formulimin e mëposhtëm: “Ne nuk kemi bërë ndonjë ndalim për lojtarët tanë. Ajo që bëjmë gjithmonë është të analizojmë dhe të përgatitemi me lojtarët tanë para çdo ndeshjeje, ku ka ndjeshmëri. Këtë analizë do ta bëjmë edhe para ndeshjeve në Katar”.

Kjo e zgjidh çështjen për ne për momentin. Le të fokusohemi vetëm te futbolli tani”.