Muzikë

Festa e 28 Nëntorit në Austri, kremtohet me aktivitete të ndryshme

Albinfo.at sjell informata rreth disa organizimeve që do të mbahen në Austri për nder të Festës së Flamurit dhe përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Shoqata dhe asociacione të ndryshme shqiptare në Austri, për nder të festës së 28 Nëntorit kanë organizuar për bashkatdhetarët tanë programe të pasura kulturore – artistike, shfaqje filmi dhe turne sportive. Albinfo.at sjell informata rreth disa organizimeve që do të mbahen në Austri, për nder të Festës së Flamurit dhe përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

26 nëntor, shoqata “17 Shkurti” në Baden, organizon koncert familjar

Një nga ngjarjet më të mëdha kulturo – artistike që priten të mbahen këtë të shtunë, do të jetë koncerti në Baden.

Koncerti organizohet tradicionalisht nga shoqata “17 Shkurti” dhe është një aktivitet familjar. Të pranishmit do t’i argëtojë këngëtarja Vjollca Selimi. Në këtë ditë festive nuk do të mungojnë as poezitë nga vogëlushët shqiptarë si dhe vallet tradicionale shqiptare.

“SHKA 17 Shkurti – Baden:  Të gjithë në dasmën e madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, në Baden, të shtunën, më 26 nëntor 2022, në Halle B, Waltersdorferstrasse 40, ora:15:00.  Ju mirëpresim!”, shkruan kryetari i shoqatës “17 Shkurti”, Tahir Turkaj.

 

26 nëntor, në Linz, shfaqet filmi “Zgjoi/Hive”

Në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, por, në qytetin e Linzit do të shfaqet filmi i njohur shqiptar “Zgjoi/Hive”, i regjisores Blerta Basholli. Organizatore e shfaqjes së këtij filmi është, “Unioni i Femrave Shqiptare në Diasporë”. Kryetarja e kësaj organizate, Adriana Sherifi, ditë më parë në një prononcim për albinfo.at pati theksuar:

“Do të jetë një ditë jo vetëm e filmit, por do të ketë edhe diskutime me mysafirë. E pranishme do të jetë edhe znj. Fahrije Hoti, personazhi nga e cila është frymëzuar edhe historia e vërtetë e këtij filmi. Po ashtu në podium do të kemi edhe zonjën Evelina Glöcker, udhëheqëse e sektorit të integrimit në “Caritas” e cila nga viti 2019 bashkëpunon në projekte të ndryshme të shoqatës sonë”, ka pohuar ajo.

Filmi “Hive” shfaqet me 26 nëntor 2022, duke filluar nga ora 15:00 në “Tabakfabrik”.

Adresa: Peter – Behrens – Platz 7-8, 4020 Linz

 

 26 nëntor, mbrëmje festive në Graz

Po me datën 26 nëntor, në Graz, do të mbahet edhe një mbrëmje familjare kushtuar 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Organizator i kësaj mbrëmje është Unioni Humanitar Shqiptar -Graz. Në njoftimin e kësaj organizate shkruan: „Të festojmë së bashku Ditën e Flamurit Kombëtar, 110-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë“, raporton albinfo.at.

Manifestimi do të mbahet, me datën 26 nëntor, nga ora 18:00.

Adresa: Puchstraße 47

8020 Graz

 

Më 28 nëntor, në Vjenë, përformon grupi muzikor “Dont’t listen to your neighbors”

Organizata KÄ, në kuadër të aktivitetve të saja, më 28 nëntor, për Festën e Flamurit – 28 Nëntorin, sjell në Vjenë, grupin muzikor “Don’t listën to your neighbors”.

“Ky koncert do të jetë një udhëtim në kohë nëpër gjithë hapësirën shqiptare përmes këngëve më të bukura që kemi të trashëguara ndër gjenerata.  Koncerti i dedikohet producentes, themelueses dhe udhëheqëses së Festivalit të Filmit në Kosovë PriFest – Prishtina International Film Festival,tashmë të ndjerës, Vjosa Berisha, e cila mbetet ikonë e Prishtinës dhe figura më frymëzuese për të gjithë ata që kontribuojnë në fushën e kulturës”, thuhet në njoftimin e organizatës, e cila udhëhiqet nga Lirjetë Avdiu dhe Ermal Vejsa.

Koncerti mbahet në Borromäus Saal Wien

Adresa: KArl – Borromäus – Platz, 1030 Ëien

Ora: 20:00 h

 

Liga Shqiptare e Futbollit në Austri organizon “Turneu e Pavarësisë”

 

Pas pauzës së viteve të fundit për shkak të pandemisë, Liga Shqiptare e Futbollit në Austri rikthen sërish aktivitetet sportive. Për nder të Pavarësisë, LSHFA-ja organizon turnir të futbollit të cilin e kanë emëruar “Turneu i Pavarësisë”. Turniri do të mbahet me datën 10 dhjetor 2022

“Në takimin e kryesisë, të datës 06.11.2022, u vendos për aktivitetin e ardhshëm, që në këtë rast do të jetë turneu tradicional në Futboll për nder të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili, përveç gjatë pandemisë, është tashmë turne tradicional.

Data e mbajtjes së turneut është caktuar për 10.12.2022!”, ka njoftuar Vaxhid Bislimi, anëtar i LSHFA-së dhe bashkorganizator i këtij turniri.

Adresa: Jubiläumsplatz 8, 2243 Matzen