Opinione

Filmi “Nëntor i ftohtë” – një monument për një periudhë degradimi

Friedrich Schillerit më se dy shekuj më parë kishte shkruar: “sot kudo sundon nevoja, që e vë njerëzimin e rënë moralisht nën zgjedhën e saj tiranike”. Se sa tragjike mund të jetë kjo tirani e tregon edhe përjetimi i një familjeje shqiptare (në vitet e 1990-ta) në Prishtinë (Kosovës), e cila është në fokus të filmit “Nëntor i ftohtë”. Filmi me skenar të Arian Krasniqit dhe Ismet Sijarinës, e regji të Ismet Sijarinës ka harmonizuar me shumë kujdesë dy komponentë kryesor – atë të skenarit dhe atë të regjisë, duke ndërtuar një strukturë dramaturgjike, kompozicion, fotografi e plane.

Fabula, me pak fjalë, është kjo: një familje shqiptare qytetare, pesë anëtaresh – Fadili, i ati, gruaja dhe dy fëmijë, jetojnë në një banesë, dhe jetesën e sigurojnë ekskluzivisht me punën e Fadilit. Fadili gjithçka bën për të siguruar kafshatën e familjes, por pikërisht kjo, bëhet gjithnjë më e vështirës deri në pamundësi, dhe i kthehet në fatkeqësi të shumëfishtë.

Sfondi i filmit janë zhvillimet politike të regjimit të huaj serb kundër shqiptarëve. Pas procesit të diferencimit, tash po mohoheshin shqiptarët si entitet shtetbërës. Shkarkoheshin nga funksionet drejtuese. U liheshin vetëm punët shërbyese. U kthyen në qytetarë të rendit të dytë. Pikësynimi: të mposhteshin, të nënshtroheshin, të kapitullonin, të degradoheshin dhe të ktheheshin në gjendje primitive, para-shtetformuese. Kësaj i përgjigjen shqiptarët duke u unifikuar kombëtarisht. Duke i braktisur vendet e punës që ishin kthyer në mekanizma poshtërimi. Braktisin institucionet e tjetërsuar. Këto si veprime identiteti etnik. Dhe një hap më tutje: rezistence paqësore. Solidariteti me njëri-tjetrin. Ndezja e qirinjve. Tundja e çelësave. Zhurmimi me enët metalike të ushqimit. Ndaj kësaj të fundit reagojnë fqinjët serbë duke sharë e duke shkrepur armët në qiell.

Kjo e bën më të qartë pozicionin e Fadilit. Ai nuk mundet si të tjerët të braktis punën e as të marrë “letrën e kaltër” si dëshmi e largimit nga puna. Fillimisht shqiptarët e konsiderojnë spiunë të serbëve, e këta e marrin me rezerva, pastaj me dyshim, e deri te etiketimi se ishte lënë nga shqiptarët aty si informator. Të dyja palët e vejnë nën shënjestër, duke shpif e duke i krijuar situata komprometuese, degraduese, etiketuese dhe fyese. E Fadili, në fakt, nuk është as me ata e as me këta, po thjesht ka hall mbajtjen e fëmijëve, gruas dhe babait të paralizuar. Duke mos i rezistuar presionit të dyanshëm, Fadili e lë punën dhe e merr “letrën e  kaltër”, por tepër vonë!

Drama e filmit është konstruktuar me shumë finesë dhe aifnitet. Krahas të atit të paralizuar e në karrocë, Fadilit i sëmuret edhe gruaja me diagnozë dyshuese për kancer, gjë që e shtrëngon të shkojë në një spital në Beograd. Nga drejtori i ndërmarrjes Nikolla, i kthehet në një komplot denigrues, duke ia orkestruar, pavullnetshëm nga Fadili, një intervistë televizive, emetimi i së cilës e damkos te shqiptarët si gjoja bashkëpunëtor të Serbisë. Kësaj i shtohet edhe “thesi me patate”, që i vjen Fadilit nga shqiptarët, si një kërcënim se, po nuk ndryshoi kurs, pra po nuk e ndërpreu “bashkëpunimin” me serbët derisa t’i mbarojë patatet, do të ndëshkohej si tradhtar.

Me mjeshtri është realizuar psikologjia e turmës. Të tilla janë skenat e filmit, kur Fadilin e quajnë spiunë, e godasin me vezë veturën e tij, kur fëmijëve i thonë fëmija i spiunit, kur edhe kushëriri të cilit i drejtohet për ndihmë i thotë se na ke koritë. Duke reflektuar një konstruksion të tillë insinuatash etiketuese, bëhet më e qartë pamundësia e kryepersonazhit dhe tragjedia e shkaktuar nga një tjetërsimi i vlerave njerëzore të një shoqërie që po degradohej nga regjimi i atëhershëm. Kjo të kujton gjendjen e ngjashme si ajo e “luftës së ftohtë”, ndoshta këtë edhe e aludon titulli “Nëntor i ftohtë”, kur nuk mundet të ketë paanshmëri, sepse nëse nuk je me “ata” atëherë je me “këta”, dhe anasjelltas.

Shantazhi si mjet i politikës është realizuar fuqishëm përmes veprimit të drejtorit Nikollë, ish kolegë i babait të Fadilit dhe fqinj i tyre. Duke ia ditur gjendjen e rëndë ekonomike, e kërcënon me largim nga banesa kur Fadili donë të largohet nga puna. I bën etiketime për t’ia damkos imazhin. Përleshet me Fadilin, kur ky kërkon krejt në fund letrën e kaltër, si largim nga puna; përleshje që mbase metaforikisht mund të aludojë te ndarja agresive midis shqiptarëve e serbëve, midis Kosovës e Serbisë.

Shprehëse e pafatësisë dhe e gjendjes kompromituese ku ishte katandisur është skena kur Fadili e lanë babën e tij të paralizuar, dhe i thotë “E kam ba mut, babë!”. Duket se e tërë tragjedia që ka rënë mbi supet e Fadilit, si rrufe, shkreptinë dhe gjëmon tërë dhembje, pikëllim, vuajtje, mërzi dhe pamundësi. Tirania e nevojës ia ka nxirë fatin. E megjithatë, në këtë atmosferë të rëndë e të zymtë, herë pas here jepen edhe nuanca pozitive kur Fadili dhe djali i tij këndojnë me kitarë, organizojnë festimin e ditëlindjes etj., si për të treguar se jeta ka edhe çaste të veta të bukura.

Përmes kuadrove të realizuar me shumë vëmendje, spikat transmetimi i ideve, emocioneve dhe përjetimeve, që e shpreh tërë tensionin moral, e psiko-social të kohës. Fuqishëm të impresionon kreativiteti i aktrimit. Roli ai i Fadilit (Kushtrim Hoxhës) dhe i babait (Bislim Mucajt) janë shumë të realizuara, sa që të bashkërenduara me kuadrot regjisoriale, të koordinua, kanë bërë që ngjarja të rrjedhe natyrshëm. Po aq të realizuara janë edhe rolet e Emir Hadzihafizbegovicit, Fatmir Spahiut, Adriana Matoshit, si dhe Lum Veselit, të cilët e kompletojnë aspektin e lojës së aktorëve.

Shtypja, presionet, rrenat, njollosjet, paragjykimet, paranojat dhe frika e ndërsjellë për shkak të përkatësive etnike  janë artikuluar shkëlqyeshëm, dhe përmes fjalorit të personazheve pasqyrohen në mënyrë shumë të gjallë e reale, sa që është rikrijuar atmosfera e rëndë e tjetërsimit dhe e obskurantizmit ndër-etnik.

Filmi shquhet nga realizmi, me një qasje të ekuilibruar, dhe personazhet njëmend duket sikur kanë kthyer tensionet në atë periudhë të dhembshme e fatkeqe. Kuadrot e filmit janë kompatibile me skenat konkrete të filmit, duke u dhënë perceptimeve emocione të brendshme të personazheve. Qasja regjisoriale është me tipare dalluese dhe që i shkojnë temës së zgjedhur të filmit, kurse loja e aktorëve është e kualitetit të lartë performues, dhe që të bën të përjetosh bashkë me ta si gëzimin ashtu edhe pikëllimin, si urrejtjen ashtu edhe dashurinë, si besimin ashtu edhe zhgënjimin.

Vlerat e larta estetike të filmit shprehen përmes gjetjeve regjisoriale, futjes mjeshtërore në role të aktorëve, ngjarjeve, fatkeqësive, tensioneve dhe ndodhjes së pafajshme në një situatë kur kërkon të jesh andej ose këndej, përjetimet, vuajtjet, lufta psikologjike, karakteri social i politizuar, predispozitat për keqkuptime. Që të gjitha këto ndërthuren në mënyrë holiste, duke vënë ballë për ballë të bukurën e të shëmtuarën, të mirën e të ligën, shpresën e zhgënjimin, si gjendje patologjike bashkëkohore.

Të gjitha këto e bëjnë filmin “Nëntor i ftohtë” një monument të një kohe kur ndodhë tjetërsimi nga civilizimi dhe kthimi pas në gjendje degraduese, një rrezik ky permanent i gjendjes njerëzore në shumë anë të globit. Bota mundet ta ndalë tiraninë e nevojës, e cila pjellë shtypje e padrejtësi, urrejtje e luftë, dhe ta kthejë jetën e njerëzve në një mundësi e perspektivë bashkëjetese, paqeje dhe lire. Ky, mbase, tërthorazi është mesazhi i filmit “Nëntor i ftohtë”.

(Autorja është dramaturge dhe regjisore teatri)