Portrete të firmave

Floktarët e njohur shqiptarë nga Zvicra

Floktarët shqiptarë të njohur në Zvicër e më gjerë tregojnë përvojat e tyre të punë

Ata janë punëtorë, të talentuar dhe kreativë. Tashmë janë artistë të dëshmuar në fushën e floktarisë dhe bukurisë. Janë burra, por çdo ditë zbukurojnë gratë. Puna e tyre ka treguar suksese edhe tek yjet më të njohur vendorë dhe botërorë. Floktarët shqiptarë të njohur në Zvicër tregojnë përvojat e tyre të punës.

Ludovik Tunaj – zbukuron yjet e botës

Fama e Ludovik Tunajt i njohur si Ludo Le ka tejkaluar sukseset në Zvicër. Ai prej vitesh është bërë i njohur për zbukurimin e yjeve të njohura dhe të pasura botërore. Paraqitjet e tij në festivale dhe mbrëmjet gala, tregojnë më së miri për punën dhe arritjet e tij. Ludo është mik i ngushtë me shumë prej yjeve të skenës botërore, ndërsa miqësinë më të madhe e ka me motrat Kardashian, veçanërisht me Kim Kardashian dhe motrën e saj, Kylie Jenner e cila është edhe një nga modelet më të njohura në botë. Vetëm gjatë muajve të fundit, Ludo ishte pjesëmarrës i eventit të madh glamuroz “Met Gala” si dhe në festivalin e filmit në Kanë.

Lista e yjeve botërore të cilët janë zbukuruar nga duart e floktarit shqiptar është e gjatë. Aty bëjnë pjesë: Heidi Klum, Charlie Sheen, Cara Delevingne, Judo Laë, Carmen Electra, Paris Hilton e shumë të tjerë. Ludo, i cili jeton në Kantonin Aargau, me anë të punës së tij, është gjithmonë afër yjeve të Hollivudit me ç’rast mëson edhe shumë nga jeta personale e tyre. Në një rast ai tregon se çfarë i tha edhe Kendall: “Sa më e vjetër që bëhem, aq më shumë mësoj se cilët janë njerëzit e mirë për mua”, tregon Ludo për Kendall. Kjo e fundit, kohë më parë në një video incizim me Ludon, përshëndeti në anglisht: “Hallo Zvicra, hallo Shqipëri”.

Ndërkohë, Ludo duke qenë pjesë e mbrëmjeve gala më të njohura të ikonave botërore, jo rrallëherë e ka luajtur edhe rolin e ambasadorit të Shqipërisë dhe Kosovës. Fotografimi i tij me Chris Brown dhe Paris Hilton me flamurin shqiptar u bë top lajm për media të shumta. Në anën tjetër, gjatë procesit të pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, Ludo në çdo ceremoni futbollistike apo mbrëmje të ndarjeve të çmimeve për futbollistët më të mirë në botë, shfrytëzonte miqësitë e tij duke i “detyruar” yjet që të nënshkruajnë për pranimin e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Besim Halimi – fitues i çmimit „Oscar“ për floktar në Zvicër

Besim Halimi se bashku me vëllain, Afrimin, janë ndër floktarët më të suksesshëm në Zvicër dhe me gjerë. Vëllezërit preshevarë të cilët jetojnë dhe punojnë në Thun të Zvicrës, kanë qenë gjashtë herë fitues të çmimit „Oscar“-it për floktarë si dhe janë shpërblyer edhe me dy çmime të tjera në kategorinë: „Color“ dhe „Damen West“. Ndërkohë, Besimi përveç se është imazh i kompanisë së ngjyrave për flokë „Schwarzkopf Professional“, ishte edhe pjesë e jurisë për të përzgjedhur “Oscar Austrian Hairdresser” që u mbajt në Vjenë të Austrisë në vitin 2017. Besimi dhe Afrimi prej 13-të vitesh kanë sallonin e tyre “Haircut Bes” ku frekuentojnë klientë të shumë zviceranë dhe shqiptarë.

“Të gjitha këto suksese dhe të gjitha këto çmime që kemi rrëmbyer deri me tash, janë shpërblim për punën tonë shumëvjeçare“, thotë Besimi, pronari i lokalit të floktarisë, të cilin e udhëheq nga viti 2006.

Por Besim Halimi, njohuritë e tij prej floktari profesionist i bart edhe te të rinjtë, përmes seminareve që i mban për ta në qytete të ndryshme të Zvicrës. Puna e tij në zbukurimin e femrave e bën të ndihet mirë. “Ku ka më bukur se të punosh me gjininë e bukur”, thotë shkurt ai.

Kompania e e ngjyrave të flokëve “Schwarzkopf” ka një kohë të gjatë që ka nxjerrë në treg edhe ngjyrën e flokëve “Bes Blond”, ngjyrë kjo që është në emër dhe në imazh të floktarit Besim Halimit. “Ne jemi shumë krenarë për bashkëpunimin dhe respektin që tregon kompania “Schwarzkopf” për ne dhe punën tonë”, shprehet ai.

Besimi tregon se janë në përgatitje për koleksionin e ri për revista ndërkombëtare. Ndërkohë ata gjatë verës janë të ftuar në Kinë në “Next Level Up”, kurse gjatë muajve të vjeshtës së bashku më stafin do të udhëtojnë për në Londër në “Exell London” për të treguar inspirimin për vitin 2020.

Ngjyrat e preferuara gjatë verës sipas floktarit Halimi do të jenë bionde, ngjyrë mjalti, pjeshke dhe vanile, kurse modeli i flokëve për femra është “Bob” horizontal me një gjatësi deri në mesin e qafës, pra afërisht 20 cm horizontalisht.

Liri Joli: – Këngëtarët tona, klientë të pandashme

Një tjetër frizer shqiptar i njohur për sukseset e tij është edhe Liri Joli. Me punën si frizer dhe si make-up artist, ai merret që prej dhjetë vitesh. Puna e tij ka bërë që klientë të shumtë t’i ketë edhe fytyrat tona publike, madje ka të atillë që edhe nga Kosova e Shqipëria shkojnë enkas të rregullohen te Liri. “Kam miqësi të madhe me shumicën e personaliteteve tona publike. Por, personazhi më i dashur për mua është aktualisht Dhurata Dora, me të cilën jo vetëm që punojmë rregullisht por jemi edhe miq të mirë”, thotë ai. Për Lirin puna të cilën e bën nuk është vetëm profesion por edhe pasion.

Në sallonin e tij në Sursee të Lucernit, Liri thotë se ka klientë nga të dy gjinitë. “Floku për mua nuk ka gjini. Te meshkujt prerja aktuale më e kërkuar është fade – cut ndërsa një gjë tjetër që bën dallimin nga femrat është edhe rregullimi i mjekrës”, na tregon frizeri shqiptar nga Prizreni. Atij i pëlqen të punojë me të dy gjinitë sepse siç thotë ai, nuk ka dëshirë që ky profesion t`i bëhet monoton.

“Femrat zakonisht vijnë me ide ose me fotografi në të cilën ato shprehin dëshirën për dukjen e tyre. Mirëpo unë si artist e kam të obliguar fillimisht të bëj një dialog me të, për arsye se çdo njeri e ka personalitetin e ndryshëm dhe për të mos u bërë kopje e askujt, propozoj që dukja të jetë sa më natyrale dhe e përshtatshme për klientin tim”, shpjegon ai për “albinfo.ch”.

Trendet e frizurave sipas Lirit po rikthehen çdo vit. “Kemi trende të viteve të kaluara të cilat ishin të inspiruara nga vitet e 60-ta, 70-ta apo 80-ta, ndërsa një nga trendet më të pëlqyera mbeten ato:  “Longbob”, “Balayage” apo “Pony””.