Kosova
“Forcë në diversitet. Një shoqëri pa diskriminim racor”, nis Samiti i Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor
Në fjalimin hyrës së Samitit, Kryeministri Albin Kurti shprehu edhe një herë gatishmërinë e Qeverisë për luftimin e diskriminimit racor
Në përpjekjen e vazhdueshme për të luftuar diskriminimin racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nisi Samiti i Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor, në Prishtinë.
Samiti u hap nga Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Jodiskriminim, Jürg Sprecher, Ambasador i Zvicrës në Kosovë dhe Pajtim Zeqiri, Shef i Zyrës së Terre des hommes në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Në fjalimin hyrës së Samitit, Kryeministri Albin Kurti shprehu edhe një herë gatishmërinë e Qeverisë për luftimin e diskriminimit racor.
“Siç mund ta shihni, “Forca” jonë është edhe në të përqafuarit e “Diversitetit”, për një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse, që nuk e lë askënd mbrapa, sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi përqafuar diversitetin. Aty ku jo vetëm me fjalë dhe me samite, por edhe me punë e me promovimin e pikërisht forcës së diversitetit, përkushtohemi çdo ditë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit, për secilën e për secilin, të gjithë bashkë. Jam i bindur që edhe samiti e diskutimet e sotme do të nxjerrin rekomandime të tjera të vlefshme, të cilat siç e kemi dëshmuar edhe më herët, do t’i konsiderojmë e trajtojmë me kujdes të veçantë e seriozitet të plotë”, tha Kurti.
Në këtë mes, ai gjithashtu ka përmendur edhe platformën antidiskriminim: raportodiskriminimin.org. Platformë kjo e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e mbështetur nga Terre des hommes – Kosovë, ku qytetarët mund të raportojnë rastet e diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian.
Habit Hajredini, gjatë fjalimi të tij hyrës tha që sot jemi bashkë për të forcuar adresimin e parandalimit dhe luftimit të diskriminimit racor.
“Forcë në diversitet, një shoqëri pa diskriminim”, është motoja e samitit dhe që ka për qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira nga Ballkani Perëndimor, progresi dhe vështirësitë si dhe hapat që duhet ndërmarrë në parandalim dhe luftim të diskriminimit racor. Sot jemi së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe shoqëri civile nga Ballkani Perëndimor për të forcuar adresimin e parandalimit dhe luftimit të diskriminimit racor”, tha Hajredini.
Jürg Sprecher, Ambasador i Zvicrës në Kosovë, në fjalimin e tij hyrës ka shprehur përkushtimin vendosur të Qeverisë së Zvicrës për luftën kundër diskriminimit racor, veçanërisht kundër komuniteteve të margjinalizuara si komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Ballkanin Perëndimor.
“Samiti i sotëm nën moton “Forcë në diversitet – Një shoqëri pa diskriminim racor” është një hap jetik në adresimin e sfidave sistematike me të cilat përballen komunitetet e margjinalizuara në këtë rajon. Duke bashkuar qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe udhëheqësit e komunitetit, ne kemi mundësinë unike për të ndërtuar vullnet më të fortë politik, për të ndarë njohuritë dhe për të nxitur përgjegjësi më të madhe në luftën kundër diskriminimit racor”, tha Sprecher.
Pajtim Zeqiri, Shef i Zyrës së Terre des hommes në Kosovë, në fjalimin e tij hyrës tha që Samiti tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme për vendin tonë, dhe një dëshmi e qartë e vullnetit dhe vendosmërisë së institucioneve të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile për të parandaluar dhe eliminuar në çdo formë të diskriminimit ndaj komuniteteve të margjinalizuara etnike, si Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët
“Në zemër të përpjekjeve tona peshon parimi fundamental – ai i Drejtësisë Sociale për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët. Sepse ne besojmë se një shoqëri e mirë, është kur të gjithë, pavarësisht etnisë, gjinisë, moshës, statusit ekonomik – kanë qasje të njëjta në mundësi, në të drejta dhe në burime.
Drejtësia sociale nuk është thjesht një koncept apo parim; ajo është një thirrje për veprim dhe ndryshim. Kur punojmë për drejtësi sociale, qëllimi ynë nuk është vetëm të ndryshojmë politika dhe sisteme, por të transformojmë jetët dhe të përmirësojmë mënyrën e jetesës së komuniteteve”, tha Zeqiri.
Ky samit shënon një ngjarje të rëndësishme vjetore që bashkon palët kryesore të interesit nga i gjithë rajoni, për të ndarë më së miri praktikat dhe strategjitë për adresimin dhe luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Këtë vit, nën moton “Forcë në diversitet – Një shoqëri pa diskriminim racor”, Samiti do të fokuset, përveç të tjerash, në vlerësimin e samiteve të kaluara dhe ndikimit të tyre në politikat dhe praktikat e luftimit të diskriminimit racor, duke përfshirë këtu edhe reflektimin mbi sfidat e mëparshme dhe mësimet e nxjerra ndër vitesh.
Përveç bashkimit të ekspertëve, liderëve dhe aktivistëve për të diskutuar dhe zhvilluar strategji efektive për luftimin e diskriminimit racor në të gjitha format e tij, Samiti ofron platformë për ndarjen e historive dhe përvojave të njerëzve të prekur nga diskriminimi racor.
Samiti organizohet nën udhëheqjen e Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo me mbështetjen e Terre des hommes Misioni në Kosovë, Voice of Roma, Ashkali and Egyptians dhe Fondacionit HEKS, në kuadër të projektit – Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
E-Diaspora
-
A do të bëjë Zvicra një tjetër boom në Eurovision falë “fuqisë kosovare”? ESC 2025: Loredana dhe EAZ mund të përfaqësojnë Zvicrën në Bazel. Përmendet edhe mundësia që të...
-
Një libër për fundvit, takim me shkrimtarin Ilir Xheladini
-
Foto
Ambasada Shqiptare dhe studentët shqiptarë të Neuchâtelit shënojnë 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë
-
Vota e diasporës, një hap i rëndësishëm për demokracinë shqiptare
-
NISMA kërkon votat e diasporës për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Simbolet naziste së shpejti do të ndalohen në Zvicër Svastikat dhe përshëndetjet e Hitlerit duhet të ndalohen në hapësirat publike në Zvicër. Këshilli Federal ka...
-
Këshilli Federal refuzon tatimin mbi trashëgiminë e madhe
-
Në këto rrugë do të ketë trafik të ngarkuar gjatë ditëve të festave
-
SNB rrit tregun e pasurive të paluajtshme
-
Punimet në Gotthard nisin në janar, ky është orari për udhëtarët