Lajme

Francë: Regjisorja dhe aktorja shqiptare që përmes filmave i jep zë Kosovës

Regjisorja shqiptare, Luana Bajrami, jeton me familjen e saj prej vitit 2008 në Francë, përcjell albinfo.ch.

Ajo është në një moshë fare të re, por tashmë ka një karrierë mjaft të spikatur në kinematografi.

Fillimet e artistes kanë qenë si aktore, ku interpretimin e saj të parë e ka bërë në filmin e vitit 2011, “Zgjedhja e Adeles”, si personazhi i një studenteje 8-vjeçare shqiptare.

Bajrami është shpallur regjisorja më e mirë në festivalin “PriFest”, me filmin “Luaneshat e kodrës”, i cili është një prodhim kosovaro-francez dhe në atë kohë e çoi Kosovën në Festivalin e Filmit në Kanë me këtë film.

Regjisorja dhe aktorja shqiptare po zhvillon karrierën në Francë.

Prej Cannesit para dy vjetësh e në Venecia sivjet, aktorja e regjisorja Luana Bajrami tashmë është emër i njohur në alamet festivalesh. Nëpërmjet filmave të saj i jep zë Kosovës, inspirimin e merr prej këtu, eksploron rininë e këtij vendi, por në fakt, vetë ajo është inspirim për të rinjtë. “Bota jonë” është një histori suksesi e botës së filmave të Luanës. Një tjetër film e ka sjellë së fundmi edhe në Prishtinë. “Kosova për mua është inspirim shumë i madh dhe besoj që ka shumë storie për të treguar”, thotë Kodra

Si regjisore ka realizuar dy filma të gjatë dhe me të dy ka goditur në shenjë. Para dy vjetësh “Luaneshat e kodrës” u dha premierë botërore në Festivalin e Cannes, kurse “Bota jonë” sivjet është shfaqur premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. I pari njihet si festivali i festivaleve, kurse i dyti është ngjarja më e vjetër e filmit në botë. Madje Festivali i Venecias sivjet kishte jubileun e 80-të. Prej qytetit që e karakterizojnë ishujt e urat, Luana Bajrami për disa ditë ka aterruar në Prishtinë. Ka ardhur në “Prishtina Inernational Film Festival”, pasi filmi ku luan ajo, “Toka brenda meje”, kishte premierën kosovare. Bajrami (22), njëra prej aktoreve e regjisoreve më premtuese nga Kosova, në një intervistë për Kohën ka përshkruar rrugëtimin e saj, filmat që ka realizuar, temat që e ngacmojnë dhe qëllimet që synon t’i realizojë nëpërmjet artit.

Te “Bota jonë”, që pritet ta ketë premierën në Kosovë në pranverën e vitit që vjen, paralelisht me Francën ajo trajton një rrëfim të rinjsh. Me Kosovën në prag të pavarësisë, rrëfimi zë fill më 2007, ku paralelisht me atë që synonte të bëhej shtet edhe dy vajza vihen në kërkim të vetvetes, duke marrë vendime që çojnë drejt emancipimit të tyre. Në Venecia ishte edhe si aktore me filmin “A Short Trip” të Erenik Beqirit, që edhe fitoi çmim. Bajrami planifikon që të vazhdojë me të dyja profesionet.

“Besoj se njëra punë e zhvillon tjetrën”, thotë ajo. Bajrami edhe në filmin e parë të gjatë artistik “Luaneshat e kodrës” trajton një histori të rinjsh. Thotë se Kosova është një burim inspirimi dhe historitë lokale duhet të shfaqen gjithandej botës, pasi mund të përjetohen edhe në vende të tjera, ku shoqëritë përballen me telashe të njëjta. Sa i përket filmit të fundit, ka paralajmëruar se “Bota jonë” do të vazhdojë rrugëtimin edhe në disa shtete të tjera. Ndërkohë si personazh filmash – Bajrami, e cila jeton midis Kosovës dhe Francës – së shpejti do të paraqitet në disa ekrane. Në planet e saj ka për qëllim që ta inspirojë rininë. E këtë e bën me filma.

“Është me rëndësi për mua të jap inspirim dhe të eksploroj tematikën e rinisë, por më gjerësisht, tematikën e njeriut. Kjo është esenca ime për momentin, sepse besoj se evoluon edhe gjatë procesit të artistit”, thotë ajo.