Kosova

Gëzim Hajdinaga: “Ulqini nuk do t’ ju zhgënjejë as në verën 2022”

Plazhet e bukura të Ulqinit vazhdojnë të ofrojnë pushime të paharrueshme për vizitorët. Një vend që, përveç llojllojshmërisë së plazheve me rërë e me gurë, ofron edhe evente lidhur me trashëgiminë kulturore shqiptare

Të vizitosh Ulqinin në verë, nuk mund të quhet asnjëherë zgjedhje e gabuar. Ku ka më mirë se një vend që të ofron rreze të diellit dhe në të njëjtën kohë edhe freski? Bukuritë nga plazhi i madh deri te plazhi i vogël i Ulqinit nuk kanë të numëruar. “Te Pishat” përpos që gjen ujin e kthjellët blu, janë edhe ambientet e gjelbërta që të ofrojnë rehati e freski në temperaturat e larta verore.

Ulqini, i hapur për turistët

Sikur çdo verë, edhe sivjet Ulqini ka hapur dyert për turistët. Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, gjatë një bisede për albinfo.at dhe albinfo.ch ka shpalosur detaje se çka do t’i presë turistët këtë verë në bregdetin e bukur të Ulqinit.

Gëzim Hajdinaga

“Sezoni ka nisur dhe ne zyrtarisht kemi hapur sezonin më 1 maj. Kjo datë rezulton që nga viti 2007 dhe në atë kohë e kam menduar që atë ditë kur shumica e njerëzve kanë ditë pushimi, ta ndajnë zyrtarizmin e sezonit bashkë me mysafirët, meqë mijëra persona atë ditë vijnë dhe e kalojnë ditën në Ulqin”, ka thënë ai.

Në krahasim me dy vjetët e kaluara, rënia e numrave nga infektimet me Covid-19 pritet të ndikojë pozitivisht në turizmin ulqinak.

“Pritjet janë shumë të mira dhe pozitive. Ky sezon vjen pas dy vjetëve të vështira me Covid-19. Sivjet presim, që përqindja në krahasim me sezonin e vitit të kaluar dhe të vitit 2019 të jetë më e mirë dhe më e lartë për 30%. Ulqini vazhdon të jetë adresë e takimit për të gjithë. Sivjet, që tani ka shumë vizitorë dhe lutemi të vazhdojë kështu deri në shtator. Unë e kam mendimin pozitiv se ky sezon do të jetë rekord për Ulqinin”, ka thënë Hajdinaga.

Çka e veçon Ulqinin sivjet?

Ulqinin këtë vit mund ta gjeni në një situatë më të mirë infrastrukturore, cilësi më të lartë në hotelieri dhe me përplot manifestime kulturore.

Hajdianga ka thënë se vizitorët, përpos plazheve, do të mund të shijojnë edhe eventet që do të zhvillohen deri në fund të gushtit.

“Ne kemi tashmë evente kulturore shumë të begatshme. Së fundmi është mbajtur finalja e “Netëve të klipit shqiptar”, ndërkohë nga 21 korrik deri më 3 gusht do të mbahet Panairi i Librit, ku 50 botues publikojnë punimet e veta. Nga 1 deri më 30 gusht kemi skenën verore tradicionale që mbahet te Kalaja e Ulqinit, pra tashmë Ulqini ofron vlerat e veta të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.

Diaspora dhe rinia i japin jetë Ulqinit

Qyteti i bukur bregdetar pa dyshim se është një nga adresat kryesore për mërgimtarët shqiptarë. Për besnikërinë e tyre, Hajdianga është shprehur tejet falënderues.

“Unë përulem për të gjithë mërgimtarët tanë, ku minimum 80% e tyre Ulqinin e zgjedhin si adresë pushimi dhe duke pasur një komunikim të vazhdueshëm dhe të afërt me Kosovën, e di që mërgimtarët e Kosovës nganjëherë e përdorin Ulqinin edhe për t´u taku me familjarët e vet të Kosovës këtu. Unë dua t´i falënderoj në emër të të gjithë ulqinakëve, që vazhdojnë t´i qëndrojnë besnikë Ulqinit. E di se ata mund të zgjedhin edhe vende të tjera për t´i kaluar pushimet, por vazhdojnë që mjetet e tyre financiare t´i derdhin në Ulqin dhe vazhdojnë të na ndihmojnë ne, vëllezërve të tyre”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se pa masat për Covid, pret që numri i mërgimtarëve të jetë më i lartë sivjet.

Hajdinaga ka folur edhe për mbrëmjet e Ulqinit, duke thënë se janë pikërisht të rinjtë që e mbajnë atmosferën e qytetit.

“Ulqini përpos sigurisë, ka epitetin e qytetit të rinisë. Ka vende ku deri në orën e hershme të mëngjesit ka muzikë dhe rinia prandaj e zgjedh Ulqinin. Emrat më të njohur të artistëve të trojeve shqiptare, argëtojnë turistët”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ai ka thënë se siguria në Ulqin është e lartë dhe familjarët nuk kanë pse të brengosen për fëmijët e tyre.

Çmimet këtë vit në Ulqin

Në krahasim me vendet e tjera përreth, Ulqini nuk ka luajtur shumë me çmime. Kështu ka siguruar Hajdinaga, duke thënë se në krahasim me vendet e tjera, Ulqini mund të jetë më i liri.

“Jemi dëshmitarë që gjithçka ka pësuar rritje, por do të vërtetohet se Ulqini vazhdon të jetë më joshës jo vetëm për plazhet dhe mikpritjen, por edhe është më konkurrenti në Adriatik, krahasuar me pagesën që mund të bëhet. Në çmim jemi më të lirë se tjerët dhe me ato para, më të mirë se të tjerët”, ka thënë ai.

Hajdinaga ka shtuar se në krahasim me Shqipërinë, çmimet janë të njëjta, por mbase më të lira sesa në qytetet e jugut.

Për fund, Hajdinaga u ka bërë ftesë edhe një herë shqiptarëve që ta vizitojnë Ulqinin, sepse Ulqini nuk është vetëm vend i ulqinakëve, por është pjesë e pandashme e të gjithë shqiptarëve.

Çmimet, “më të ulëta se konkurrenca”

Në krahasim me vendet e tjera përreth, Ulqini nuk ka luajtur shumë me çmime. Kështu ka siguruar Hajdinaga, duke thënë se në krahasim me vendet e tjera, Ulqini mund të jetë më i liri. “Jemi dëshmitarë që gjithçka ka pësuar rritje, por do të vërtetohet se Ulqini vazhdon të jetë më joshës jo vetëm për plazhet dhe mikpritjen, por edhe është më konkurrenti në Adriatik, krahasuar me pagesën që mund të bëhet. Në çmim jemi më të lirë se tjerët dhe me ato para, më të mirë se të tjerët”, ka thënë ai.