Lajme

Gjeneva mbyll jetën e natës

Diskot, klubet e natës, kabaretë dhe vende të tjera vallëzimi do të jenë të mbyllura në Gjenevë deri në mes të nëntorit. Kështu vendosën të mërkurën autoritetet. Ky ndalim u zgjat deri më 16 nëntor, raporton the local.ch, përcjell albinfo.ch.

Gjeneva është aktualisht kantoni me situatën më të rëndë në Zvicër, me 96 infeksione të reja për 100,000 banorë gjatë dy javëve deri në 1 shtator.

Autoritetet zvicerane deklaruan: ‘Ne kemi hapur bare dhe klube të natës shumë herët’.

Ndërsa autoritetet kantonale thanë se situata në kanton duket se po stabilizohej, por nivelet e infeksioneve ishin akoma të larta. Si rezultat, rihapja e sallave të vallëzimit dhe klubeve të natës në javët e ardhshme do të ishte “e paimagjinueshme”.

Megjithëse vendimi do të dëmtojë industrinë e jetës së natës në kanton, Gjeneva tha se kjo do t’u lejojë operatorëve të japin me qira vendet e tyre për ndeja private, siç janë dasmat dhe ditëlindjet.