Lajme

Gjermani: Studim për racizmin në polici

Qeveria gjermane ka rënë dakord për një studim për racizmin në radhët e policisë, falë një marrëveshjeje.

Sindikatat e policisë së Gjermanisë kanë paralajmëruar se gjithnjë e më shumë mosmarrëveshje rreth rregullave të koronës po përshkallëzohen, duke rezultuar në agresion kundër oficerëve, transmeton albinfo.ch.

“Ekziston ende një nivel i lartë i pranimit për rregullat e Corona, por ne gjithashtu ndiejmë që disponimi ka filluar të bëhet më agresiv, për shembull, kur ne si polici duam të zbatojmë rregullat e koronës”, thotë Jörg Radek, nënkryetar i GdP.

Problemet nuk u shkaktuan vetëm nga të ashtuquajturit ‘refuzues të maskave’. Qytetarët që dëshironin të mbroheshin gjithashtu kanë kërkuar që policia të ndërmarrë më shumë veprime – ose në disa raste janë ballafaquar në mënyrë agresive me ‘refuzuesit e maskave’.

Në fillim lajmin e hapi ministri socialdemokrat i Ekonomisë, Olaf Scholz. Në një intervistë për kanalin publik WDR ai tha të martën (20.10) se  qeveria ka rënë dakord për një studim mbi racizmin në polici. Studimi për racizmin në radhët e policisë gjermane do të bëhet në kuadër të një studimi mbi racizmin në shoqërinë gjermane, tha Scholz të martën. Pastaj po atë ditë, ministri i Brendshëm, kristiansociali Horst Seehofer, sqaroi se krahas këtij studimi është rënë dakord të bëhet edhe një studim për vështirësitë dhe zhgënjimin në të përditshmen e policëve. “Në këtë studim do të hulumtohet edhe dhuna dhe urrejtja ndaj policisë, në mënyrë që të kemi një ekuilibër të arsyeshëm”, tha Seehofer, shkruan DW.

Seehofer ishte shprehur që më pare për një studim të tillë kur kishte prezantuar Raportin mbi ekstremizmin e djathtë në shoqëri. Të hënën (19.10) dy ministrat në fjalë kishin rënë dakord për studimet gjatë një takimi me kancelaren Merkel. “Policet dhe policët tanë nuk mund të lihen vetëm me përvojat e tyre. Nuk duhet të ketë tolerim as për ekstremizmin, as për racizmin dhe antisemitizmin”, thuhet në dokumentin e dalë prej këtij takimi, e të cituar nga programi publik gjerman, ARD.

Strukturë apo raste të veçanta?

Zërat për të bërë studim në radhët e policisë gjermane ishin shtuar kohët e fundit. Sepse edhe rastet që flisnin për racizëm, antisemitizëm ose simpati për idetë naziste në radhët e policëve, ishin shtuar. Në fund të vitit 2018 u zbulua se një numër i madh letrash kërcënuese të drejtuara, ndër të tjera, edhe ndaj avokates, Seda Basay Yildiz, e të nënshkruara me NSU 2.0., kishin qenë të lidhura me qarqe policore. Shumë syresh përmbanin të dhëna që mund të merreshin vetëm nga kompjuterët e policisë. Dhjetë letra u dëshmuan se i kishte dërguar një polic bavarez. NSU është shkurtesa e grupimit ekstremist “Ilegaliteti Nacionalsocialist”, i cili në vitet 2000 – 2007. ka kryer dhjetë vrasje, një sërë vrasjesh të mbetura në tentativë dhe dy atentate me bomba, shumica me motive raciste.

Një rast tjetër u zbulua në shkurt 2020: një polic nga qyteti Hamm në landin Renani Veriore – Vestfali (NRW), dyshohet se u kishte siguruar leje për armëmbajtje anëtarëve të një grupi djathtist ekstremist, të quajtur  „Gruppe S.“ Polici nuk e fshihte se ishte simpatizant i ideve djathtiste ekstremiste, ai vishej me rroba tipike për skenën ekstremiste djathtiste dhe mbante në ballkon flamujt luftarakë të Rajhut Gjerman. Më pas u zbuluan komunikime në grupe Whatsapp-i nga lande të tjera, ku policë për vite me radhë shkëmbenin mesazhe me përmbajtje djathtiste-ekstremiste ose raciste, dhe mesazhe që manifestonin simpati për Hitlerin.

Një grup të tillë e zbuloi para disa javësh në policinë e Berlinit revista televizive investigative „Monitor“, e cila transmetohet në televizionin publik gjerman, ARD. Edhe në landin Meklenburg – Pomerani e Përparme është zbuluar para pak kohësh një korrespondencë mes dy policëve me përmbajtje të ngjashme e me masazhe ku adhurohej nazizmi. Në Saksoni është bërë i njohur gjithashtu rasti i një polici tjetër që merrte pjesë aktive në chat-e ekstremistësh të djathtë.

Shqiptarë të prekur?

Në policinë e Essenit u pezulluan nga puna 30 nëpunës të një grupi Whatsapp-i që e quante veten „Alphateam“. Pjesëtarët e këtij chat-i postonin aty prej vitit 2012 fotografi dhe mesazhe me përmbajtje raciste. Pikërisht një nga anëtarët e këtij grupi policësh, të cilët, sikurse të gjithë të lartpërmendurit janë suspenduar nga detyra, sipas një raporti të gazetës “Koelner Stadtanzeiger”, dyshohet se ka goditur në fytyrë një gjerman me prejardhje shqiptare, i cili ishte me duar të lidhura me pranga. Hetuesia e Duisburgut, e cila ka marrë përsipër hetimin tashmë, nuk e konfirmoi identitetin e të dëmtuarit. Një zëdhënëse e Prokurorisë së Duisburgut i tha të mërkurën (21.10) DW, se bëhet fjalë për një 56-vjeçar me shtetësi gjermane por me prejardhje migracioni, i cili ishte ndaluar nga policia me akuzën për dhunë në familje.