Lajme

Gjermania, me një paketë 200 miliardë euro për krizën

Çmimet e larta të energjisë dhe ndalesa e furnizimit me gazin rus e kanë shtrënguar qeverinë gjermane të shpalosë një pako të re krize. Ajo kap shumën prej 200 miliardë eurosh dhe synon të mbajë të stabilizuar ekonominë gjermane gjatë dimrit:

“Rusia po përdor gazin si një armë politike. Ne jemi të përgatitur ndaj kësaj situate dhe i kemi mbushur depot deri në 90 për qind, por çmimet mbeten të larta dhe ato duhen ulur”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, në një konferencë për media, të enjten në Berlin. Sipas Scholzit, edhe sabotimet e konstatuara këtë javë në gazsjellësin Nord stream 1 dhe 2 e vërtetuan përfundimisht se nuk mund të pritet më gaz nga Rusia. “200 miliardë eurot që do të përdoren për të frenuar rritjen e çmimit të energjisë do të vijnë nga Fondi i Stabilizimit Ekonomik”. Ky fond u ngrit në vitin 2020 me rastin e pandemisë.

Scholz tha se qeveria ka ngarkuar një komision ekspertësh për të hartuar një koncept për frenimin e çmimeve të gazit. Komisioni do t’i prezantojë rezultatet deri në mes të tetorit, tha kancelari socialdemokrat, i cili e prezantoi konceptin së bashku me dy ministrat që përfaqësojnë dy partitë e tjera të koalicionit: Robert Habeck, ministri i Ekonomisë i Të Gjelbrit dhe Christian Lindner, ministri liberal i Financave. Scholz vetë merrte pjesë në konferencën për media me video, pasi që nga fillimi i javës, kur u testua pozitiv me koronavirus, ai ndodhet në karantinë.

Hiqet dorë nga tarifa shtesë e gazit 

“Mburoja e re mbrojtëse synon të shmangë kriza edhe më të mëdha”, tha zëvendëskancelari dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck. Ai megjithatë tha se edhe pse depot e gazit janë plot, duhet të vijohet të kursehet. Tregu i gazit duhet të dizajnohet në atë mënyrë që të vijohet të nxitet kursimi.

Kohët e fundit qeveria gjermane ndodhej shumë në presion për shkak të të ashtuquajture tarifë shtesë për gazin, që do të ishte 2.4 centë për kilovat orë dhe do të hynte në fuqi të shtunën e ardhshme. Kjo tarifë e re synonte të mblidhte më shumë se 30 miliardë euro nga konsumatorët fundorë për të financuar kësisoj importuesit e gazit që ishin në gjendje të vështirë ekonomike për shkak të mungesës së dërgesave ruse. Tani ky kompensim do të bëhet nëpërmjet Fondit të Stabilizimit Ekonomik.

Kjo masë ishte që në fillim shumë e diskutueshme, sidomos duke pasur parasysh faktin që inflacioni po rritet me hapa galoponte, shkruan deutsche welle, përcjell albinfo.ch.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI