Lajme

Gjermania redukton konsumin e energjisë

Lufta në Ukrainë duket se nuk e ka fund, por ajo po godet familjet në Gjermani. Në Këln autoritetet dhe qytetarët kanë nisur të reduktojnë konsumimin e energjisë.

Në një bllok apartamentesh, përgjegjësi ka nisur të ulë gradët e boilerit.

Mesazhin për reduktimin e energjisë po e marrin edhe banorët, por shumë prej tyre nuk janë të kënaqur me qeverinë.

”Unë mendoj se qeveria jonë e ka bërë shtetin shumë të varur nga vende të ndryshme dhe ky është problemi i madh me të cilin po përballemi. Ne jemi të varur prej tyre dhe tani duhet të paguajmë për atë që ka bërë qeveria jonë”, thotë Paul Wieland, banor në Këln.

Diku tjetër në qytet, menaxherët e pishinave kanë vendosur të ndalojnë ngrohjen e ujit.

“Më pëlqen uji i ftohtë, jam e lumtur, por e di se shumë njerëzve nuk do t’u pëlqejë”, u shpreh një banor.

Dërgesat e gazit në Gjermani nga Rusia kanë rënë ditët e fundit. Autoritetet kanë frikë se mund të vijojnë të reduktohen edhe në muajt në vijim.

“Problemi aktual është pasiguria e madhe se çfarë do të ndodhë më pas. Ne jemi shumë të varur nga furnizimi me energji dhe vendimet politike të marra në Moskë. Kjo është një situatë që nuk e kemi parë kurrë më parë”, theksoi Thorsten Zimmermann nga Dhoma e Tregtisë së Këlnit.

Midis reduktimit të furnizimeve me gaz dhe kostove të larta të energjisë, Gjermania dhe vendet e tjera evropiane pritet të përballen me një dimër të vështirë./Euronews