Lajme

Gjermania synon testet e shpejta anti-Covid

Një test i thjeshtë dhe i shpejtë për COVID-19 në shtëpi do t’i bënte shumë gjëra më të lehta dhe do të mund të ndihmonte në luftën kundër pandemisë. Ministria gjermane e Shëndetësisë synon që të jetë nismëtare në këtë proces

Gjermania mund së shpejti të bëhet me teste të shpejta për koronavirusin, që mund të kryhen në shtëpi, raporton Dw, përcjell Albinfo.ch.

Ministria Federale e Shëndetësisë është duke e planifikuar një ndryshim përkatës në kuadër të “Urdhëresës për Shpërndarjen e Pajisjeve Mjekësore”. Kjo do të mundësonte shitjen e testeve të lehta për t’u përdorur nga individë privatë. Testet e deritashme të shpejta të antigjenit mund t’u jepen vetëm mjekëve, institucioneve mjekësore ose mjediseve të kujdesit. Institucionet arsimore janë pajisur gjithashtu me të këtilla teste që nga dhjetori.

Janë planifikuar procedura të reja të thjeshta, të cilat deri më tani nuk kanë qenë në dispozicion në këtë mënyrë.

“Po flasim shprehimisht për teste vetjake, që janë më të lehta për t’u përdorur”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë.

Produktet duhet të certifikohen dhe të japin rezultate me kuptim, por të jenë të përdorshme edhe nga amatorët, ashtu që rreziku për prodhimin e rezultateve të gabuara të jetë relativisht i vogël. “Ende nuk ka teste të shpejta që janë të certifikuara dhe janë të disponueshme në sasi të mjaftueshme për t’u kualifikuar për një rregullore të tillë”.
Në projektin e Ministrisë thuhet se në të ardhmen testet për përdorim vetjak nga amatorët do të luajnë një rol vendimtar në frenimin e pandemisë.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Diagnostikimit, Martin Walger, ka thënë se sipërmarrjet tani mund të punojnë me ritëm të shpejtë për miratimin e testeve të tilla. Por, do të duhen “disa javë” derisa kjo të ndodhë. Prandaj, janë të mundshme opsionet e ndryshme, si mostrat me tampon në hundë që nuk duhet të merren më thellë, ose të ashtuquajturat teste të gargarës dhe pështymës.

Lidhur me çmimet e mundshme të testeve të shpejta, Shoqata e Farmacistëve ka njoftuar se duhen ende të llogariten dhe raportohen individualisht nga secili prodhues dhe secila farmaci, veçanërisht sepse testet ndryshojnë edhe në cilësinë dhe përdorimin e tyre.
Ndryshimi i planifikuar i urdhëresës nga Ministria e Shëndetësisë ofron gjithashtu më shumë mundësi për t’i përdorur testet e deritashme të antigjenit të shpejtë në jetën profesionale.

Eksperti i SPD-së për shëndetin, Karl Lauterbach, ka bërë thirrje për teste të rregullta në sipërmarrje.

“Studimet tregojnë shumë qartë: po ta testoni fuqinë punëtore të sipërmarrjeve dy herë në javë me një test antigjeni, si të thuash në fillim të punës për ata që nuk punojnë në shtëpi, atëherë mund të ulet në mënyrë masive numri i infeksioneve të reja”, ka thënë ai.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI