Kosova

Gjuhet me vezë zëvendëskryeministri Hoti (VIDEO)

Është bërë  e ditur se zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është sulmuar me vezë deri sa ishte afër ndërtesës së qeverisë, përcjell albinfo.ch.

Videoja, në të cilën shihet një person duke hedhur vezë në drejtim të zv.kryeministrit të Qeverisë së Kosovës është përhapur sot.

Personi, zëri i të cilit dëgjohet në këtë xhirim, thotë se “Taksën duhet me e heqë”. Koha.net nuk ka arritur ta konfirmojë autenticitetin e këtij xhirimi.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Në reagim thuhet se sulmi i sotëm ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës është një akt i ulët, i papranueshëm dhe i dëmshëm për proceset vendimtare politike nëpër të cilat po kalon vendi.

“Është i papranueshëm kthimi i shoqërisë sonë në sulme të këtilla, njësoj si në vitet 2015-2016, me qëllim stagnimin dhe bllokimin e proceseve shtetformuese që i kemi ndërtuar në partneritet me miqtë tanë ndërkombëtarë. Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe unitet në politikëbërje dhe udhëheqje të vendit”, thuhet në reagim.