Tematike

Gjykata vendos në favor të shtetasve nga Kosova

Zbërthimi i vendimit të Gjyqit Federal Administrativ për vlefshmërinë e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore

Kërkesa e shtetasit nga Kosova për pension të invaliditetit ishte refuzuar me arsyetimin se mungon parakushti i vendbanimit në Zvicër dhe eksportimi i pensionit të invaliditetit nuk mund të bëhet në Kosovë, pasi që nga 1 prilli 2010 nuk zbatohet më marrëveshja për sigurimet shoqërore në raport me Kosovën. Vendimi i Gjyqit Federal Administrativ të Zvicrës, marrë më 7 mars 2011, vendos në favor të apeluesit nga Kosova, duke kthyer lëndën në instancën paraprake për rishqyrtim. Gjyqi vendos se pavarësisht vendimit të qeverisë për mosvazhdimin e marrëveshjes nga 1 prilli 2010, marrëveshja në fjalë mund të zbatohet edhe më tej për shtetasit nga Kosova.

Edhe pse gjyqi nuk merr qëndrim përfundimtar në raport me ligjshmërinë e vendimit për mosvazhdimin e marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën, vendimi vë në dyshim procedurat dhe vlefshmërinë e këtij vendimi, në njërën anë, ndërsa nga aspekti i dyshtetësisë e bën këtë vendim të pavlefshëm. Prandaj, ky vendim gjyqësor është ftesë e qartë drejtuar qeverisë së Zvicrës që të reflektojë dhe pavarësisht se a do të apelohet apo jo, do të ishte e udhës të ndërmerren hapa të vullnetit të mirë politik në favor të vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes.

Pjesë të shkëputura nga vendimi gjyqësor i datës 7 mars 2011

Shtetasi nga Kosova ka jetuar nga viti 1977 deri më 1981 në Zvicër. Në dhjetor të vitit 2005 ai paraqitet pranë Zyrës së sigurimit të invaliditetit për shtetas të huaj në Zvicër (IVSTA), duke kërkuar pension të invaliditetit si pasojë e sëmundjes psikike. Pas një procedure që zgjati për katër vjet e gjysmë me vendimin e datës 10 qershor 2010 instanca paraprake vendos se personi në fjalë nuk ka të drejtë në pension me arsyetim se nuk plotëson parakushtin e vendbanimit në Zvicër dhe për eksportim të pensionit të invaliditetit mungon Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore. Më 3 korrik 2010 shtetasi nga Kosova apelon kundër këtij vendimi pranë Gjykatës Federale Administrative dhe gjyqi në fjalë merr vendimin e përmbledhur më poshtë më 7 mars 2011.

Aspekti i parakushtit të vendbanimit –  dyshtetësia

Apeluesi është shtetas i Kosovës dhe ai kishte në rastin e vendimmarrjes vendbanim në Kosovë. Palët thirren në Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore të datës 8 qershor 1962, në fuqi nga 1 marsi 1964. Sipas kësaj marrëveshjeje, shtetasit e dy shteteve gëzojnë trajtim të barabartë në përfitime pavarësisht vendbanimit në rastin e realizimit të përfitimeve.  Gjyqi verifikon se cilët persona mund emërtohen si “shtetas të Jugosllavisë“, duke marrë parasysh zhvillimet në fushën së drejtës ndërkombëtare, nga arritja e marrëveshjes deri sot. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë Zvicra ka vazhduar zbatimin e marrëveshjes së njëjtë me shtetet pasuese të Jugosllavisë (1992-2003).

Pas ndarjes së Malit të Zi me Serbinë të dy palët kanë rënë dakord për vazhdimin e vlefshmërisë së marrëveshjes për sigurimet shoqërore. Në ndërkohë Zvicra ka arritur marrëveshje të re me Malin e Zi më 7 tetor 2010 dhe me Serbinë më 11 tetor 2010, por ato akoma nuk janë në fuqi në mungesë të ratifikimit.

Më 17 shkurt 2008 shpallet Kosova e pavarur, ndërsa Zvicra e njeh më 27 shkurt 2008 zyrtarisht si shtet. Më 21 tetor 2009 Kosova ka kërkuar nëpërmjet një note diplomatike vazhdimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën.

Duke iu përgjigjur kësaj kërkese qeveria zvicerane më 18 dhjetor 2009 shprehet se nuk do të vazhdojë marrëveshjen me Kosovën, të vazhduar pas pavarësisë në bazë joformale. Pra, nga 1 prilli 2010 vlen vetëm legjislacioni vendës për shtetasit e huaj pa marrëveshje ndërshtetërore. Qeveria zvicerane e arsyeton vendimin me vështirësitë e mëdha gjatë bashkëpunimit me palën kosovare, që është i domosdoshëm për zbatimin e marrëveshjes. Kosova nuk posedon sistem funksional të Sigurimeve Shoqërore si dhe marrëveshja e vjetër nuk i përgjigjet legjislacionit aktual të dy vendeve.

Sipas një vendimi të Gjykatës Federale të Zvicrës, të marrë më 15 prill 2010, shtetasit e Kosovës krahas shtetësisë së Kosovës posedojnë edhe shtetësinë e Serbisë, ndërsa në anën tjetër, edhe Kosova parasheh dyshtetësinë.

Pra, në raport me dyshtetësinë mund të krijohen dy situata të mundshme:

•    Përderisa të jetë e vlefshme marrëveshja për sigurimet shoqërore në mes të dy shteteve, parakushti i vendbanimit është i plotësuar.

•    Në rast të përfundimit të zbatimit të marrëveshjes për sigurimet shoqërore në raport me Kosovën, atëherë është kombinimi i situatës së një shtetasi me dy shtetësi, ku vlen shtetësia me të cilin shtet Zvicra ka një marrëveshje për sigurimet shoqërore.

Gjyqi Federal në një vendim për pension të pleqërisë është larguar nga parimi i shtetësisë eprore, duke marrë parasysh shtetësinë gjatë kohëzgjatjes së pagimit të kontributeve në Sigurimet Shoqërore në Zvicër ose shtetësinë gjatë realizimit të së drejtës për përfitim. 

Një shtetas me dy shtetësi (shteti me kontratë / shteti pa kontratë) mjafton pagimi i kontributeve prej së paku një vit në Sigurimet Shoqërore në Zvicër për të realizuar të drejtën në përfitime (Neni 29 paragrafi 1 AHVG). Pra, i siguruari ose duhet të ketë shtetësinë e një shteti me të cilin Zvicra ka marrëveshje për sigurimet shoqërore gjatë pagimit të kontributeve apo gjatë realizimit të përfitimeve. Ky parim mundëson trajtim të barabartë të personave të siguruar.

Pra, faktikisht Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore në fjalë është edhe më tej në fuqi dhe kërkesat për pensione të invaliditetit duhet të shqyrtohen, pavarësisht kohës së parashtrimit të kërkesës, nga zyrat e sigurimit të invaliditetit për të siguruarit jashtë vendit (IVSTA). Kjo vlen para së gjithash për kërkesa të reja, revidime të pensioneve, kërkesa për rivlerësime dhe rifillimi i procedurës pas kthimit të lëndës nga Gjykata Federale Administrative për rishqyrtim.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës apeluesi ka fituar shtetësinë e Kosovës pa e humbur atë të Serbisë, interpreton gjykata. Apeluesi kishte paguar kontributet e Sigurimeve Shoqërore në harkun kohor nga 1977 deri 1981. Gjatë kësaj periudhe ai ishte shtetas i Jugosllavisë, për këtë shtet marrëveshja kishte vlefshmëri, për këtë arsye klauzola e vendbanimit vlen si e plotësuar pa asnjë dyshim.

Në momentin hipotetik të mundësisë së realizimit të së drejtës për përfitim apeluesi sipas asaj që u tha ka qenë ose shtetas jugosllav, apo nga 17 shkurti i vitit 2008 shtetas i dyfishtë kosovar e serb.

Aspekti ndërkombëtar i vendimit të Zvicrës për mosvazhdimin e marrëveshjes

Sipas nenit 25 të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Jugosllavisë, në fuqi nga 1 marsi 1964, kohëzgjatja e vlefshmërisë së saj është 1 vit. Ajo përsëritet çdo vit heshtur nëse nuk prishet nga njëra palë me një afat prej tre muajsh paraprakisht. 

Sipas të gjithë dokumenteve të lëshuara nga pala zvicerane nuk bëhet fjalë për prishje të marrëveshjes, por për mosvazhdim të zbatimit të saj në raport me Kosovën pas shpalljes së pavarësisë (vazhdimi pas pavarësisë ishte në baza joformale). Zvicra ka vazhduar pas pajtimit ndërshtetëror marrëveshjen në fjalë me vendet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, si Mali i Zi, Serbia e Maqedonia, por jo edhe me Kosovën.

Pasi që Marrëveshja në fjalë nuk parasheh dispozita mbi (mos) vazhdimin e saj me shtetet e reja, atëherë vlejnë parimet e njohura themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në plan të parë është konventa e Vjenës për të drejtën e kontratave (VRK) e datës 23 maj 1969, të cilën Zvicra e ka ratifikuar më 7 maj 1990, e Serbia më 12 mars 2001, përderisa Kosova akoma nuk e ka ratifikuar.

Sipas konventës në fjalë, pavlefshmëria, përfundimi apo suspendimi i marrëveshjeve ndërshtetërore është i mundur në çdo kohë në pajtueshmëri të palëve si dhe pas procedurës së konsultimit të palëve. Pala e njoftuar duhet të ketë mundësi për jo më pak se tre muaj të apelojë kundër këtij vendimi, e në rast të mosreagimit do të hyjë në fuqi vendimi i paralajmëruar. Sipas njoftimit nga pala zvicerane, më 18 dhjetor 2009 hiqet dorë nga vazhdimi i zbatimit të marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën nga 1 prilli 2010. Ky vendim si dhe fillimi i tij me qarkoren 290 të publikuar më 29 janar 2010 në raport me sigurimin e invaliditetit nga dy aspekte janë në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Nga aspekti i kohëzgjatjes së vlefshmërisë: Pasi që marrëveshja ndërshtetërore hyn në fuqi më 1 mars 1964 (sipas nenit 25, paragrafi 1 i marrëveshjes kohëzgjatja e saj është një vit), Zvicra do të duhej të njoftojë palën kosovare para datës 30 nëntor 2009 (tre muaj para skadimit të afatit vjetor) që të përfundojë zbatimin e saj më 28 shkurt 2010, çka nuk ka ndodhur. Pra, njoftimi i dhënë më 18 dhjetor 2009 sikur të ishte një njoftim për prishje të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore do të përfundonte jo më herët se më 28 shkurt 2011.

Nga aspekti i kontestit sipas të drejtës ndërkombëtare. Qeveria zvicerane një muaj pas deklaratës për mosvazhdimin e marrëveshjes, pra para përfundimit të afatit të konsultimit (notifikimit) prej së paku tre muajsh në përputhje me Konventën e Vjenës, urdhëron zbatimin e deklaratës nëpërmjet qarkores Nr. 290 të Sigurimit të Invaliditetit të publikuar më 29 janar 2010. Pra, qeveria zvicerane ka shkelur dispozitat e konsultimit (notifikimit). Sipas këtyre dispozitave, pala kosovare do të duhej të kishte mundësinë e shprehjes së kundërshtimit deri më 18 mars 2010.

Pra, ajo që më së paku mund të thuhet është se procedura e mosvazhdimit të marrëveshjes nga optika e ligjshmërisë së lejuar është e diskutueshme.

Duke marrë parasysh rrethanat e përmendura si nga aspekti i juridiksionit, ashtu edhe nga aspekti i procedurave ndërkombëtare, vihet në pyetje nëse Zvicra mund të ndryshojë një marrëveshje sipas të drejtës ndërkombëtare dhe nëse mosvazhdimi i marrëveshjes me Kosovën është i vlefshëm.

Duke marrë parasysh mundësinë e interpretimet, gjyqi nuk mund të japë përgjigje përfundimtare në këto pyetje.

Gjyqi Federal Administrativ vendos që Vendimi i marrë nga instanca paraprake duhet të shfuqizohet dhe lënda në fjalë duhet të kthehet në instancën paraprake për të verifikuar kërkesën për përfitime sipas gjendjes së vendimit paraprak të datës 5 korrik 2007, duke e vazhduar kështu procedurën dhe duke vendosur pa vonesë në përputhje me marrëveshjen për sigurimet shoqërore të 8 qershorit 1962, e cila është akoma në fuqi.

Vendim gjyqësor është i vonuar, por i drejtë

Duke marrë parasysh pasojat e deritanishme që ka sjellë vendimi i ndërprerjes së zbatimit të marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën mund të thuhet se ky vendim gjyqësor, edhe pse i vonuar, është i drejtë.

Është ndërprerje apo prishje e marrëveshjes

Në të gjitha njoftimet e komunikatat Enti Federal për Sigurime Shoqërore flet për prishjen e marrëveshjes, por për mosvazhdimin e saj në raport me Kosovën. Ndoshta kjo është një nga vështirësitë ku ka hasur gjyqi për të marrë qëndrim përfundimtar. Pra, gjyqi lë të hapur çështjen e vlefshmërisë juridike të ndërprerjes së marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore nga 1 prilli 2010. Por, në anën tjetër, shprehet se për shtetasit nga Kosova kjo marrëveshje duke marrë parasysh rrethanat e cekura më lart vlen edhe më tej. Përdorimi i shprehjes për mosvazhdimin e marrëveshjes i lehtëson Qeverisë zvicerane marrjen e një vendimi të ri për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes me prapaveprim nga 1 prilli 2010.

Kërkohet reflektim nga Qeveritë e dy vendeve

Vendimi në fjalë kërkon reflektime te qeveria zvicerane, me qëllim që në njërën anë të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes, ndërsa nga ana tjetër, të shprehë gatishmërinë politike për nisjen e negociatave për marrëveshje të re me palën kosovare. Enti Federal për Sigurime Shoqërore duhet të lëshojë qarkore të reja që udhëzojnë sigurimet shoqërore për veprimet e tyre derisa të merret ky vendim.

Pala kosovare duhet të përmbushë rekomandimet e miratuara nga Parlamenti i Kosovës më 16.09.2010, duke krijuar kështu parakushtet e domosdoshme për fillimin e negociatave dhe të kërkojë nga pala zvicerane nisjen e negociatave për marrëveshje të re për sigurimet shoqërore.

Nuk shoh asnjë dyshim se ky vendim do të shpalosë veprimin e tij juridik duke hyrë së shpejti në fuqi. Enti Federal për Sigurime Shoqërore në Bernë është shprehur se do të shqyrtojë mundësinë e apelimit ndaj këtij vendimi. Unë jam i bindur se edhe në rast të apelimit nga Enti Federal për Sigurime Shoqërore, Gjykata Federale do të vërtetojë vendimin e kësaj gjykate. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e domosdoshme, duke u bazuar në vendimin gjyqësor.

*  Opinionet e shprehura në këtë kolumnë janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdo mendimet e redaksisë