E-Diaspora

Haradinaj, krenar me shqiptarët e Amerikës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron tash e disa ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

Ai me anë të një postimi në rrjetet sociale ka thënë se është shumë i nderuar që ndodhet në mesin e mërgimtarëve në SHBA, përcjell albinfo.ch.

“Shumë i nderuar isha në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe shqiptarë të të gjitha trojeve tona, në shënim të 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare.

Malësorët krenarë në Amerikë nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, u kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garanci e thellimit të miqësisë së përhershme me SHBA-në”, ka shkruar Haradinaj.