Kosova

Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet në javën e parë të gushtit

Të premten caktohet data e seancës konstituive të Kuvendit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se të premten do të caktojë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila, sipas saj, do të zhvillohet gjatë javës së parë të muajit gusht, përcjell albinfo.ch.

Duke folur të martën në mbrëmje në Prizren, Haxhiu tha se vendimi për datën do të bëhet publik në fund të javës.

“Ajo do të bëhet në javën e parë të muajit gusht, edhe të premten, besoj, do ta bëj njoftimin se kur saktësisht do të mbahet kjo seancë”, deklaroi ajo.

Haxhiu sqaroi se nuk ka nxituar ta caktojë seancën, pasi ka dashur t’u japë hapësirë partive politike për të vazhduar negociatat lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Ajo përshëndeti takimet e zhvilluara ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe liderëve të partive opozitare, duke theksuar se dialogu duhet të vazhdojë për të arritur një marrëveshje politike.

Në të njëjtën kohë, Haxhiu mohoi se ka pasur ndonjë marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve apo për zgjedhjen e presidentit.

“Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje, sigurisht që do ta bënim publike. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, u shpreh ajo. /Albinfo.ch