Të tjera

Hendbollistja shqiptare lë Suedinë për Kosovën

Ka gjasë që Albana të debutojë për Kosovën qysh në muajin e ardhshëm, nëse procedurat kryhen me kohë

Hendbollistja e njohur, Albana Arifi, ka vendosur të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës. 21-vjeçarja ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Suedisë, që e ka hendbollin e femrave shumë të zhvilluar.

Është paraqitur në nivel të lartë dhe ishte yll i përfaqësueseve. Ardhja e saj vlerësohet fitore e madhe për përfaqësuesen e Kosovës. Me Albanën në përbërje, Kosova do të jetë dukshëm më e fortë, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Për këtë vendim Albana ka menduar një kohë të gjatë, ndërsa sot më ka njoftuar se e ka marrë vendimin që të luajë për Kosovën. Ajo e ka ndjerë një lloj presioni emocional që të jap kontributin për Kosovën, vendin e saj. Jo shumë kohë më parë ajo ka pasur një bisedë me përzgjedhësin e Suedisë, që i ka thënë të mos ngutet, por Albana pasi ka menduar gjatë ka vendosur për Kosovën”, ka thënë babai i Albanës, Rushit Arifi.

Kontakti i FHK-së me Albanën dhe familjen e saj ekzistonte prej lojtarja i kishte 14-vjet.

Ka gjasë që Albana të debutojë për Kosovën qysh në muajin e ardhshëm, nëse procedurat kryhen me kohë.

“Është vendim shumë i madh, pasi ka hequr dorë nga mundësia që të luajë për Suedinë, që e ka përfaqësuesen shumë të zhvilluar. Ajo ka luajtur në të gjitha ndeshjet, në të gjitha garat prej U-15 deri me U-20 të Suedisë. Tashmë bashkëlojtaret e saj janë në përfaqësuesen A të Suedisë. Kështu që nuk përjashtohej mundësia që ajo të luante edhe për Suedinë në të ardhmen. Por, ajo ka vendosur për Kosovën, pasi ka dashur të jap kontributin e saj për vendin”, ka theksuar babai i hendbollistes.

Me përfaqësueset e reja të Suedisë, Albana ka arritur plot suksese ndërkombëtare. Ajo aktualisht është pjesë e ekipit suedez Eslovs.