Lajme

Heronjtë tanë: Ballë për ballë me pandeminë

Dr. Afërdita Muji, Shkelzen Neziri dhe Diellza Neziri de Miranda kanë diçka që i bashkon: Si punëtorë mjekësorë, janë përballur me pandeminë e koronavirusit

Albinfo.ch ka zhvilluar intervista të shkurtra me tre pjesëtarë shqiptarë të stafit mjekësor në Spitalin Universitar të Kantonit të Vaudit, Lozanë: Dr. Afërdita Muji, Shkelzen Neziri dhe Diellza Neziri de Miranda. Ata/ato vijnë me rrëfimet e tyre rreth pandemisë. Flasin për qasjen ndaj koronavirusit, ndikimin e tij në jetën e tyre, këshillojnë se si duhet të sillemi në këtë situatë të pazakonshme etj.

Dr. Afërdita Muji: Të mos kemi panik por dhe të mos “ngutemi” të festojmë

Dr Afërdita Muji është mjeke interniste e përgjithshme me prejardhje nga Kosova. Pas mbarimit të fakultetit të mjekësisë në Gjenevë në vitin 2010, ka specializuar në mjekësinë interne, në vitin 2017. Gjatë kësaj periudhe ajo ka punuar në Spitalin Universitar të Gjenevës derisa përfundimisht, në maj të viti 2019, ka hapur ordinancën e vet në Qendrën Mjekësore të Glandit.

Albinfo.ch: Si ka ndikuar pandemia në punën tuaj të përditshme si mjeke interniste e përgjithshme?

Afërdita Muji: Me paraqitjen e pandemisë, kemi pasur një ulje shumë të madhe të punës si mjek. Kjo ndodhi menjëherë pas marrjes së masave për mbrojtjen e popullsisë. Fillimisht kemi pasur një numër të madh të thirrjeve të pacientëve të brengosur të cilët na kanë pyetur se çka duhet bërë. Mënyra e komunikimit ndryshoi prej takimeve direkte, në biseda dhe konsulta telefonike. Në të njëjtën kohë, Qendra Mjekësore e Glandit, ku unë e kam ordinancën, merr mandatin nga Kantoni i Vaudit që një pjesë e hapësirave të qendrës të vihet në shërbim për nevojat e ballafaqimit me pandeminë.

Albinfo.ch: A mund të na rrëfeni për karrierën tuaj si mjeke?

Unë kam lindur në Kosovë ndërsa në Zvicër kam ardhur në moshën 12 vjeçare. Këtu  e kam kryer gjimnazin dhe fakultetin e mjekësisë në Gjenevë. Diplomën e kam mbaruar në vitin 2010 ndërsa specializimin e mjekësisë interne e kam përfunduar në vitin 2017. Gjatë kësaj kohe kam punuar 5 vite në Spitalin Universitar të Gjenevës  (HUG – Hôpitaux Universitaires Genève) në repartin e të hospitalizuarve të shtrirë si dhe në repartin e shërbimit të ndihmës së parë, pran të njëjtit spital. Në maj të vitit 2019 kam filluar me punë në ordinancën time në Qendrën Mjekësore në Gland, si mjeke interniste e përgjithshme. Pos angazhimit në këtë qendër, jam po ashtu e angazhuar me një përqindje më të vogël edhe në Spitalin Universitar të Gjenevës, në repartin e urgjencës ambulatore.

Albinfo.ch: A mund të na tregoni pak më tepër për sfidat e kësaj periudhe gjatë angazhimit tuaj në repartin e urgjencës pranë Spitalit Universitar të Gjenevës?

Afërdita Muji: Për nevojat e paraqitura si rezultat i pandemisë, në Spitalin Universitar të Gjenevës është hapur një sektor i veçantë i quajtur „Sektori E“ i cili ka qenë i dedikuar për pacientët me dyshim të virusit Covid 19. Aty fillimisht është bërë ekzaminimi edhe sipas nevojës edhe testimi i pacientëve. Angazhimi im ka qenë  javor dhe i pjesërishëm, kryesisht gjatë mbrëmjeve, kur numri i pacientëve ishte i zakonshëm, si në një qendër emergjente.

Albinfo.ch: Si ka ndryshuar kjo pandemi përditshmërinë tuaj si mjeke, prind dhe relacionin tuaj me të afërmit e juaj?

Afërdita Muji: Shoqëria dhe familja e afërt më kanë kontaktuar rregullisht përmes telefonit me qëllim që të informohen se si jam. Kemi insistuar së bashku me bashkëshortin, i cili po ashtu është mjek, të mbesim gjithnjë në distancë me të gjithë, nga frika se mos bëhemi shkaktarë eventualë të ndonjë infektimi. Ka qenë sfidë kujdesi për fëmijët gjatë kohës së punës. Përkrah ndihmës së ofruar nga të afërmit, jemi përpjekur të shfrytëzojmë shërbimet minimale të ofruara nga Kantoni i Gjenevës për përkujdesje të fëmijëve. Ka qenë pak vështirë që fëmijët t`i lëmë pak më gjatë të vetëm, mirëpo është çudi se sa shpejt ata janë adaptuar me rrethanat e reja.

Albinfo.ch: A mendoni se ka hapësirë për panik?

Afërdita Muji: Duke marrë parasysh gjendjen tash me uljen e numrit të të infektuarve, hapësira për panik është shumë e vogël. Ndoshta do të rikthehet prej atij momenti kur fëmijët do të rifillojnë shkollën më 11 maj.

Albinfo.ch: Ndonjë këshillë për lexuesit e Albinfo.ch?

Afërdita Muji: Me këshillat kryesore preventive besoj se të gjithë lexuesit janë të informuar. Duke marrë parasysh se me lehtësimin e masave të izolimit, mund të paramendoj se njerëzit do të kenë dëshirë që përsëri të takohen me të afërmit e tyre. Këshilla ime do të kishte qenë të mos ngutemi. Nëse ka nevojë për 2, 3 apo 4 javë tjera, të bëjmë durim e të mos rrezikojmë.

Shkelzen Neziri: “Ndryshimet kanë qenë drastike”

Me prejardhje nga Ferizaj, Shkelzeni që prej 18 vitesh punon në departamentin e logjistikës të sallës së operacioneve në Spitalin Universitar në Kantonin e Vaudit.

Albinfo.ch: Çfarë ka ndryshuar në përditshmërinë e punës tuaj me paraqitjen e pandemisë?

Shkelzen Neziri: Ndryshimet kanë qenë drastike. Me vendosjen e gjendjes se karantinës në spital, në një pjesë të bllokut të operacioneve është ndalur puna si dhe një pjesë e bllokut të ortopedisë është përshtatur që të ketë më tepër vend për pacientët e sëmurë nga virusi Covid19.

Albinfo.ch: A jeni ballafaquar drejtpërsëdrejti me pacientët e prekur me virusin Covid 19

Shkelzen Neziri: Nëse mundem ashtu të shprehem, unë kam qenë në vijën e dytë të “frontit”. Mirëpo rreziku për t’u infektuar ka qenë gjithnjë, qoftë duke i përgatitur pajisjet edhe mjetet për sallë të operacionit, qoftë edhe gjatë shkuarjes dhe ardhjes nga puna.

Albinfo.ch: A mendoni që ka hapësirë për panikë?

Shkelzen Neziri: Paniku është pa pare. Njerëzit kanë tendencë të panikojnë. Megjithatë e gjithë kjo pandemi është menaxhuar shumë mirë në Zvicër. Ka pasur materiale të mjaftueshme për të përballuar këtë pandemi deri në këtë shkallë, në përjashtim të disa materialeve siç ishte rasti i maskave.

Albinfo.ch: Si e kalon Shkelzeni ditën prej kur ka filluar pandemia?

Shkelzeni: Po, me paraqitjen e pandemisë edhe atmosfera në familje ka ndryshuar dhe pak është tendosur duke marrë parasysh faktin që punoj në spital dhe që mund t’i infektoja. Ajo frikë ka qenë vazhdimisht e pranishme. E dhimbshme ka qenë që edhe takimet me pjesën tjetër të familjes, me vëllain apo nipërit kanë qenë të ndërprera. Ne si popull, jemi shumë social dhe shoqëria gjithsesi që na mungon. Por, më duket se po i shihet fundi kësaj pandemie me shpresë se do t’i kthehemi normalitetit shumë shpejt.

Diellza Neziri De Miranda: “E kam trajtuar si çdo virus tjetër”

Diellza punon prej më tepër se 15 vitesh në Spitalin Universitar të Kantonit Vaud, prej të cilave 13 vite si asistente në sallën e operacioneve të spitalit të lindjes.

Albinfo.ch: A mund te na tregoni se si ka ndryshuar ritmi i punës suaj në spital me paraqitjen e virusit Covid 19?

Diellza Neziri: Me punë në sallën e operacioneve, mbrojtja me maska dhe me mjete tjera është përditshmëri e jona. Operacionet jo urgjente janë anuluar dhe një pjesë e madhe e operacioneve është pezulluar. Mund të veçoja një rast kur një nënë e infektuar me virusin bëri lindje. Ajo duhej të mbante maskën gjatë tërë intervenimit dhe gjithçka ka kaluar si duhet.

Albinfo.ch: Si ka ndikuar kjo në jetën tuaj personale dhe shoqërore, duke marrë parasysh se jeni vazhdimisht të ekspozuar me punën tuaj?

Diellza Neziri: Këtë e kam trajtuar si edhe çdo virus tjetër, jam kujdesur sa kam mundur. Shoqëria më ka kontaktuar shpesh, kryesisht nga kureshtja për të ditur se a ka shumë raste të paraqitura të pacientëve të infektuar në spitalin e lindjes. Dy javët e para kontakti me prindërit ka qenë vetëm me përshëndetje nga larg. Ndryshe, gjithçka ka funksionuar si zakonisht.

Albinfo.ch: A ua merr mendja se ka nevojë për shqetësime.

Diellza Neziri: Mendoj se te ata njerëz që tashmë kanë sëmundje tjera, ka hapësirë për shqetësim. Megjithatë nëse u përmbahen rregullave të parapara, besoj se nuk duhet të ketë probleme.