Futboll
Hoffenheimi rikthehet në Ligën e Evropës, Asllani, Hajdari dhe Avdullahu vendimtarë në suksesin historik
Tre reprezentuesit e Kosovës, prej më të rëndësishmëve në këtë ekip, sulmuesi Fisnik Asllani, mesfushori Leon Avdullahu dhe mbrojtësi Albian Hajdari.
Hoffenheimi nuk konsiderohet ndër klubet e mëdha të futbollit gjerman, por historia e tij mbetet një nga rrëfimet më të veçanta të rritjes së shpejtë në Bundesligë. Në vitin 2000, skuadra luante në kategorinë e pestë gjermane, ndërsa në vitin 2008 arriti për herë të parë në Bundesligë, ku ka mbetur vazhdimisht deri më sot, përcjell albinfo.ch.
Edhe në garat evropiane, Hoffenheimi është klub me histori relativisht të re. Për herë të parë në Evropë u paraqit në edicionin 2017/18, ndërsa debutimin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve e realizoi në edicionin 2018/19, që mbetet deri tani paraqitja e vetme në këtë nivel. Më pas, klubi u rikthye në Evropë në Ligën e Evropës në edicionin 2020/21 dhe sërish në 2024/25.
Tani, Hoffenheimi ka siguruar pjesëmarrjen për herë të pestë në histori në garat evropiane, duke konfirmuar kualifikimin për edicionin 2026/27. Liga e Evropës tashmë është e garantuar, ndërsa objektivi i radhës është një vend që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Interesimi në Kosovë për ecurinë e këtij klubi është rritur dukshëm për një arsye të qartë: Hoffenheimi ka në përbërje tre reprezentues të Kosovës, që tashmë konsiderohen ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit – sulmuesin Fisnik Asllani, mesfushorin Leon Avdullahu dhe mbrojtësin Albian Hajdari.
Në fitoren e fundit 2:1 ndaj Hamburgut në udhëtim, ndeshje që vulosi kualifikimin evropian, Asllani shënoi gol, ndërsa Hajdari asistoi, duke qenë direkt të përfshirë në suksesin e skuadrës.
“Hoffenheimi është kualifikuar për garat evropiane për herë të pestë në histori të klubit. Fitorja ndaj Hamburgut garanton renditjen në top-gjashtë të tabelës së Bundesligës”, shkroi klubi në faqen zyrtare pas ndeshjes.
Drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, e quajti këtë sukses një shpërblim të merituar për punën e gjithë klubit. “Kualifikimi evropian është e arritur fantastike dhe shpërblim shumë i merituar për punën e madhe të ekipit, stafit të trajnerëve dhe të gjithë të përfshirëve”, deklaroi ai, duke shtuar se ekipi mbetet i uritur për më shumë.
Në fakt, Hoffenheimi nuk e ka mbyllur ende garën për objektivin maksimal. Ndeshja e radhës ndaj Stuttgartit pritet të jetë vendimtare për vendin e katërt në Bundesligë, i cili siguron kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve. Ka gjithashtu mundësi që edhe vendi i pestë të dërgojë në Champions, por kjo varet nga rezultatet e klubeve gjermane në kompeticionet evropiane, si Bayerni në Champions dhe Freiburgu në Ligën e Evropës.
Ndërkohë, edhe lojtarët e Kosovës vazhdojnë të kenë rol të madh në skuadër. Hajdari tashmë ka rinovuar kontratën afatgjatë me kushte të përmirësuara, ndërsa pritet që së shpejti të zyrtarizohet edhe kontrata e re e Avdullahut. Sa i përket Fisnik Asllanit, gjithnjë e më shumë po përmendet mundësia që ai gjatë verës të transferohet në një klub më të madh evropian.
Pas suksesit ndaj Hamburgut, Asllani u shpreh i lumtur për arritjen e skuadrës. “Ndihemi shumë mirë që kemi arritur qëllimin për kualifikim në Evropë. Askush nuk do ta besonte këtë para fillimit të edicionit. Tani duam ta fitojmë edhe ndeshjen me Stuttgartin”, deklaroi sulmuesi kosovar.
Pas duelit me Stuttgartin, Hoffenheimi do të luajë në udhëtim ndaj Werder Bremenit dhe në xhiron e fundit ndaj Borussia Monchengladbachut. Pas javës së 31-të, skuadra ka 57 pikë në vendin e pestë, aq sa ka edhe Stuttgarti në pozitën e katërt, duke e bërë garën për Champions jashtëzakonisht të hapur.
Në një sezon ku pak kush e priste, Hoffenheimi jo vetëm që e siguroi Evropën, por falë edhe kontributit të tre reprezentuesve të Kosovës, po synon ta shndërrojë këtë sezon në një nga më të suksesshmit në historinë e klubit./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Leona Krasniqi, krenaria shqiptare në garën për Miss Belgium 2026 E reja nga Antwerpeni synon të shkëlqejë në një nga konkurset më prestigjioze të bukurisë në... -
Nga Shkodra në garën për Miss Belgium 2027, Griselda Stragu synon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare -
Arbenita Sopaj publikon librin e saj shkencor, kurorëzon një tjetër sukses akademik -
Gjermani
I riu nga Kosova, Adrian Simnica, mban fjalim në Bundestagun Gjerman -
Fatlume Bunjaku bëhet anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit
Jeta në Zvicër
-
Edhe 10 vjet ndalesë për “Hamas”-in në Zvicër Periudha e vlefshmërisë së ndalimit të Hamasit në Zvicër, e cila ka qenë në fuqi prej... -
Qeveria zvicerane lançon një platformë digjitale raportimi për sëmundjet -
Taksitë autonome të Postës Zvicerane do të transportojnë pasagjerë nga viti 2027 -
Këshilli Federal dëshiron të imponojë gjuhën e dytë kombëtare në shkollat fillore -
Swissaid ndihmoi 300,000 njerëz në mbarë botën në vitin 2025













