E-Diaspora

Hokeisti Agron Palushaj luan në Zvicër: Krenohem që jam shqiptar dhe amerikan

Agron (Aaraon) Palushaj është një hokejist shqiptar nga SHBA-ja i cili së fundi ka ardhur të luajë në Zvicër, ku mbron ngjyrat e HC Davos (HCD)

Në një rrëfim të sinqertë për gazetën Blick, Agron (Aaron) Palushaj tregon për të kaluarën e rëndë të familjes, gjegjësisht babait të tij. Ai, Tomë Palushaj, siç rrëfen i biri, Agroni, kishte shkuar në Amerikë si 13-vjeçar. Sot, Toma është 58 vjeç dhe vazhdon të jetojë e të punojë në Detroit, të shtetit federal amerikan, Michigan, transmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë për një familje të madhe, tipike tradicionale shqiptare: Toma kishte 6 vëllezër dhe 3 motra.

Në Detroit dhe rrethinë jetojnë me siguri rreth 40,000 shqiptarë. Induistria automobilistike që po lulëzonte atëbotë, në fillim të viteve `70, kishte tërhequr shumë punëtorë nga Evropa”, thotë sulmuesi i ri i HCD.

Babai me vëllezërit dhe motrat ishin detyruar të punonin punë të rënda për të fituar bukën. Ai, vetëm 13 vjeçar kishte nisur punë si pjatalarës në një resstorant, përcjell albinfo.ch. “Ai dëshironte që ta jetësojë ëndrrën e tij personale amerikane”, shprehet i biri.

Dhe, si 20 vjeçar babai i hokeistit të famshëm kishte hapur restorantin e vet personal. Aty ai ka njohur nënën e ardhshme të Agronit, Ritën (sot 54 vjeçe). Edhe ajo si vajzë 8 vjeçe kishte ardhur në SHBA me familjen e saj të madhe.

Ata martohen, u lindin fëmijë. “Shpresonin që të siguronin një shkollim më të mirë për mua dhe tri motrat, të na ofronin më shumë mundësi për jetën tonë. Për këtë dhe kishin braktisur çdo gjë”.

Toma është rritur në Mal të Zi në një fshat malor të Malësisë, afër kufirit me Shqipërinë. Djali i tij, Agroni, e kishte shoqëruar të atin në atdhe për herë të parë në vitin 2017, për të varrosur gjyshin, Dedën, përcjell albinfo.ch. “Peizazhi  atje është, thjesht, mahnitës”. Atje i ka rrënjët dhe Aaroni është krenar për këtë.

Gjuha e tij amtare është shqipja, familja e tij në Detroit është pjesë e një bashkësie të madhe shqiptare. “Atje njerëzit mbështesin njëri-tjetrin. Gatishmërinë për ndihmë, solidaritetin, e vleresoj në kulturën tonë”.

Palushajt frekuentojnë atje kishën shqiptare, nëna Rita gatuan ushqime tradicionale, zë vetë djath dhe kos. “Edhe unë gatuaj me dëshirë, por nga recetat e saj di të bëj vetëm pallaçinkat”, thotë ai duke qeshur.

Ndonëse familja e tij kultivon traditat shqiptare, ajo vlerëson lart në të njëjtën kohë edhe traditat amerikane. Kështu Aaroni ka dy zemra në një kraharor. “Unë ndihem si amerikan, ashtu dhe si shqiptar”. Si fëmijë ai ka luajtur futboll, diçka që është tipike për shqiptarët. “Babai im në fëmijërinë e tij nuk mund ta bënte këtë, prindërit e tij nuk ia mundësonin dot një gjë të tillë”.

Mirëpo Agron Palushaj nuk bëhet futbollist, por hokeist dhe kjo, për shkak të mësueses së tij! Kur hyn për herë të parë në klasë, atij i bien në sy posterët e shumtë të hokejit. Mësuesja e tij ishte një fanse e madhe e klubit Detroit Red Wings dhe legjendës së tij, Steve Yzerman, transmeton albinfo.ch. “Dhe mësuesja më thoshte se duhej patjetër të shkoja të shihja një ndeshje hokeji”.

Keystone

Babai ishte befasuar kur Aaroni i kishte thënë se më shumë preferonte hokejin se futbollin. Por Aaroni tashmë si fëmijë 8-vjeçar kishte mbathur patinat e hokejit. Menjëherë fillova ta dua më shumë hokejin se futbollin. Dhe prindërit e mi punon fort që unë të mund të luaja”.

Kështu, ata e bënë realitet ëndrrën e djalit të tyre të vetëm: Aaron Palushaj arriti që të luante fillimisht në AHL në nivel të kolexheve dhe pastaj në NHL, ligën më të lartë amerikane të hokejit. Në lojën e tij të parë në ligën e kolexheve, në mesin e shikuesve kishte qenë edhe ish-mësuesja.

Pas 13 ekipeve amerikane të ndërruara në dhjetë vjet, Palushaj vjen me një kontratë dyvjeçare që të laujë për HCD. Të martën, pas një lëndimi të bërrylit, që e ka mbajtur gjatë jashtë fushe, ai është kthyer. “Do të kënaqem duke luajtur në këtë kampionat. Është nder të jem në këtë vend”, thotë ai.

Video:

https://www.blick.ch/sport/eishockey/nla/bewegende-familien-geschichte-von-aaron-palushaj-so-tickt-der-hockey-albaner-des-hcd-id15554821.html