Lajme

Holanda pezullon vaksinimin me Astrazeneca për të gjitha moshat

Holanda ka ndaluar përkohësisht vaksinimin me Astrazeneca për shkak të efekteve të rënda anësore te gratë

Ministria holandeze e Shëndetësisë kishte vendosur që të premten në mbrëmje të mos vaksinojë njerëzit nën moshën 60 vjeç me vaksinën Astrazeneca. Shkas ishin rastet e efekteve anësore të rënda tek gratë, shkruan srf.ch.

Por, të shtunën, pasi u këshilluan me ministrinë, autoritetet shëndetësore vendosën të pezullojnë të gjitha vaksinat Astrazeneca, pavarësisht moshës së të vaksinuarve, për të parandaluar pasojat.

Rreth 700 persona në grupmoshën mbi 60 vjeç duhej të vaksinoheshin me Astrazeneca në ditët në vijim, transmeton albinfo.ch. Meqenëse nuk mund të garantohej që një numri të vogël të njerëzve në secilën qendër vaksinimi t`u injektohet e gjithë vaksina nga një ampulë, terminet e tyre janë anuluar për momentin.

Ndalimi i vaksinimit do të zbatohet deri më 7 prill.

Arsyeja e ndërprerjes së përkohshme të vaksinimit ka të bëjë me pesë raporte të trombozave që kanë ndodhur  pas vaksinimit, te gratë midis moshës 25 dhe 65 vjeç. Një grua madje ka vdekur. Sipas autoriteteve, ende po hetohet nëse e gjithë kjo ka ndonjë lidhje me vaksinimin.

Deri më tani, rreth 400,000 njerëz në Holandë janë vaksinuar me  Astrazeneca.