Integrimi

Identitetet: Ku përfundon shqiptari dhe ku fillon zvicerani?

Duke qenë në mes të dy kulturave, ata janë për një identitet më të pasur se të tjerët. Por, nganjëherë kjo u shkakton telashe... Kështu u tha në debatin e Albinfo.ch për secondot, të mbajtur në St. Gallen

“A është më mirë këtu apo atje”, ishte titulli i filmit dokumentar të autores Elena Avdija, i cili është shfaqur në kuadër të tryezës së debatit me temën “Secondot, identitetet e shumëfishta pa komplekse”, në organizim të albinfo.ch në St. Gallen.

Ky film, të rinjtë shqiptarë të rritur në Zvicër, i ballafaqon me pyetjen torturuese: “a është më mirë këtu (në Zvicër) apo atje (në Kosovë). Në përpjekjet për t`iu përgjigjur kësaj pyetjeje, të rinjtë e portretizuar thellohen në përshkrime të përvojave të tyre sfiduese në vendin ku jetojnë.

Njëra nga protagonistet e filmit, Kosovarja, në rrëfimin e saj spontan dhe tërheqës, sjell para shikuesve mprehtësinë e kontradiktave që ekzistojnë në mes të “këtu” dhe “atje”. Ngjashëm, identiteti i dyfishtë i secondove na paraqitet edhe te personazhet tjerë në film. Ata përpiqen të përkufizojnë identitetet e tyre komplekse, duke pohuar në vazhdimësi se ndjehen edhe shqiptarë edhe zviceranë. Nganjëherë vijnë në përfundim se ky pozicion i bën ata më të mirë dhe më të pasur, pasi që kanë një identitet më tepër se të tjerët dhe kështu mund t`i shikojnë nga perspektiva më objektive, si shqiptarët ashtu dhe zviceranët. Por, nganjëherë e gjithë kjo u shkakton telashe…

Marrë në përgjithësi, autorja e filmit ka përpunuar me ndjenjë dhe me invencion materien e identiteteve të shumëfishta, të cilën ajo duket se e njeh dhe e ka pjesë të jetës së saj: Elena Avdija edhe vetë është një pjesëtare e gjeneratës së dytë.

Rrëfimi për paragjykimet dhe tejkalimin e tyre

Arbër Bullakaj ka ardhur në Zvicër me prindërit, në moshën 8 vjeçare, Blerim Bunjaku jeton në Zvicër po nga ajo moshë. Qëndresa Sadriu është lindur në Zvicër nga prindër shqiptarë ndërsa Etrit Hassler ka mësuar për prejardhjen e tij gjysmë shqiptare (nga babai) kur i ka pasur afër 20 vjet. Me përjashtim të Hassler-it, të tretë identifikohen si “secondos”, të huaj të gjeneratës së dytë dhe i kanë përjetuar “në lëkurën e tyre” paragjykimet që lidhen me këtë kategori të huajsh.

Ata së bashku ishin panelistë në tryezën e albinfo.ch, më 6 qershor në St. Gallen. Në debatin e udhëhequr nga Klodina Guraziu, po ashtu pjesëtare e brezit të dytë ishte pjesëmarrës edhe Peter Tobler përgjegjës i Qendrës për Integrim në qytetin e St. Gallenit.

Bekim Dalipi, në emrin e albinfo.ch ka hapur tryezën e debatit.

Pjesëmarrësit në debat, shpalosën përvojat e tyre lidhur me konceptin “secondos” sipas perspektivës së tyre. Qëndresa Sadriu, për shembull, më e reja në podium, është vetëm 19 vjeçe dhe në zgjedhjet e mbajtura në muajin mars ka marrë postin e këshilltares në parlamentin e qytetit Glatbrugg të Cyrihut. Edhe pse e lindur në Zvicër, edhe ajo ka disa përvoja jo të mira si e huaj. Sikurse edhe shumë moshatarë të saj me prejardhje të huaj, Qëndresës i është dashur të shkruajë qindra aplikime për tu regjistruar në drejtimin e dëshiruar të shkollimit profesional. Edhe më herët, ajo ishte përballur me paragjykimet e mësueses së saj, e cila i kishte thënë se “duhej të ishte e kënaqur” me një vend pune çfarëdo dhe se “nuk ishte” për shkollim më të lartë.

Megjithëkëtë, ajo nuk është dekurajuar dhe ka mbërritur ku është sot: është bërë delegatja më e re e komunës së saj dhe gjendet në prag të përfundimit të maturës. Më tutje, Qëndresa ka theksuar se i respekton rrënjët e saj si shqiptare e Kosovës, por ndjehet si zvicerane, plotësisht e barabartë me qytetarët tjerë zviceranë.

Erit Hassler, deputet në Parlamentin e Kantonit të St. Gallenit, poet dhe gazetar i njohur në Zvicër, ka treguar historinë e tij interesante të rinjohjes së vonë me origjinën e tij shqiptare. Ai ka theksuar se të huajt nuk duhet të ndjehen inferiorë për emrat që i mbajnë. Sipas tij edhe emrat e shqiptarëve dhe ata të të huajve të tjerë që jetojnë në Zvicër, pas një kohe fitojnë “të drejtën e qytetarisë” për t`u quajtur emra zviceranë.

Cila është “shtëpia jonë”: Zvicra apo Kosova?

Ku jemi “në shtëpinë tonë”: në Zvicër apo në Kosovë? Kjo është pyetje që preokupon shumë njerëz me prejardhje të huaj në Zvicër dhe sidomos ata të brezit të dytë. Për Blerim Bunjakun, ndërmarrës i suksesshëm në lëmin e IT-së dhe ish kandidat i partisë EVP për parlamentin e Winterthurit, pyetja në fjalë është një përvojë e përjetuar shpesh. “Kur jemi në Zvicër dhe përgatitemi të shkojmë në Kosovë, fëmijët e mi të vegjël më pyesin: babi, kur do të shkojmë në shtëpi?`. Por njësoj edhe kur jemi në Kosovë dhe ata mërziten për Zvicrën, më bëjnë të njëjtën pyetje: “babi, kur po shkojmë `në shtëpi`?”. Kjo e bën më komplekse pyetjen e vjetër se “ku jemi në shtëpi” në të vërtetë: në Zvicër apo në Kosovë.

Ngjashëm e përshkruan një kontradiktë të tillë edhe moderatorja, Klodina Guraziu, duke përfolur një klip nga youtube. E pyesin një vogëlush shqiptar në gjuhën gjermane, në Zvicër: a je i huaj? Ai, pa menduar shumë, ia pret: Jo, jam shqiptar”. Kjo situatë tregon edhe njëherë për identitetet e dyfishta të të huajve dhe në veçanti të shqiptarëve  në Zvicër.

Ndërsa Arbër Bullakaj, këshilltar në Asamblenë e qytetit Wil ka folur për fëmijërinë e tij si i huaj në Zvicër dhe vështirësitë fillimit. Ai ka nënvizuar edhe specifikat që ka një qytet si Wili, ku shqiptarët përbëjnë 12 për qind të popullatës.

Përgjegjësi i Qendrës për Integrim të St. Gallenit, Peter Tobler ka pranuar se të huajt mund të përballen me situata të padëshirueshme në raport me vendësit. Por ai disa herë gjatë debatit ka apeluar te shqiptarët që të jenë më këmbëngulës dhe më të angazhuar në jetën shoqërore dhe politike të vendit ku jetojnë. Në këtë mënyrë, ka thënë Tobler, ata ndihmojnë në zvogëlimin  e paragjykimeve që kanë të tjerët ndaj tyre.

Në debat, me pyetje drejtuar panelistëve, janë angazhuar një numër i madh i të pranishmëve, të cilët kanë rrahur nga aspekte të ndryshme temën e integrimit të të huajve, ruajtjes së kulturës së vendit të prejardhjes, paragjykimet e vendësve etj.

Në përmbyllje, instrumentisti Heltin Guraziu ka kënduar disa këngë nga tradita muzikore shqiptare, të shoqëruara me kitarë.