Integrimi
Imami shqiptar kundër babait që ia ndalon vajzës mësimin e notit
"Është absurde dhe tmerruese se si këta njerëz, nga njëra anë marrin ndihma sociale e në anën tjetër thonë se `nëse unë u përmbahem ligjeve në shkollë ose në Zvicër, atëherë shkoj në ferr; ndërsa nëse unë i kundërshtoj këto ligje, atëherë shkoj në parajsë”
Një baba, mysliman i vijës së ashpër nga Kreuzlingeni (Kanton i Thurgau) nuk e lejon në asnjë mënyrë vajzën e tij 8 vjeçare që të marrë pjesë në mësimin e detyruar të notit në kuadër të shkollës, shkruan sudkurier.de. Të gjitha masat që kanë ndërmarrë ndaj tij kanë shkruar huq. Atë e kanë dënuar disa herë me gjobë dhe e kanë kërcënuar edhe me burg por kot. Edhe shkolla dhe komuna janë inkuadruar në zgjidhjen e këtij problemi.
Bashkësia shkollore e ka angazhuar imamin shqiptar Rehan Neziri nga Bashkësia Shqiptare Islamike e Kreuzlingenit si këshilltar për të shpjeguar se si i qaset islami çështjes së notit për vajzat, transmeton albinfo.ch. Neziri nuk tregon fare mirëkuptim me babain që ia ndalon të bijës mësimin e notit.
I pyetur nga gazeta nëse ka shpesh mospërputhje në mes të rregullave të këtushme shkollore dhe rregullave të Kuranit, Neziri përgjigjet: “Në të vërtetë jo. Mbulesa e kokës është një nga temat, por ajo në shkollën në Kreuzlingen është e lejuar, për mësimin e notit ekziston burkini (veshja e notit për myslimane) ndërsa për kampet e shkollës mundësohet kontrollimi i ushqimit, transmeton albinfo.ch.
Ndërsa pyetjes se çfarë qëndrimi ka ai lidhur me mësimin e notit për vajzat myslimane, imami shqiptar i përgjigjet: mësimi i notit është pjesë përbërëse e mësimit në përgjithësi. Profeti Muhamed ka thënë madje vetë dhe në mënyrë të qartë se prindërit duhet që fëmijëve të tyre t`ua mësojnë shkrimleximin, notin, kalërimin dhe shënimin me shigjetë dhe hark.
Por përse megjithatë po dalin probleme sa i takon pjesëmarrjes në mësimin e notit për vajzat myslimane? Neziri kësaj pyetjeje i përgjigjet : Rregullat mbi veshjen (kodi i veshjes) janë në kundërshtim me ato për veshjen gjatë mësimit të notit. Por fëmijët, vetëm nga mosha e pubertetit janë të detyruar t`u përmbahen rregullave islame të veshjes.
Ndërkaq pyetjes konkrete lidhur me babanë që refuzon pjesëmarrje e të bijës në mësimin e notit, imami shqiptar i përgjigjet me keqardhje. “Prindërit janë pjesëtarë të bashkësisë sonë dhe unë e konsideroj këtë rast si shumë të dhembshëm, përcjell albinfo.ch gazetën gjermane. Është absurde dhe tmerruese se si këta njerëz, nga njëra anë marrin ndihma sociale e në anën tjetër thonë se `nëse unë u përmbahem ligjeve në shkollë ose në Zvicër, atëherë shkoj në ferr; ndërsa nëse unë i kundërshtoj këto ligje, atëherë shkoj në parajsë”. Një shprehje e tillë bie në kundërshtim me islamin dhe me mendjen e shëndoshë. Është shumë dëm që nuk është gjetur një zgjidhje për këtë problem”.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sopranoja Elbenita Kajtazi ndan bursa vjetore për studentët shqiptarë të muzikës Sopranoja shqiptare që jeton në Gjermani, Elbenita Kajtazi, gjatë së enjtes ka ndarë bursën e parë...
-
BQK: Mbi 112 milionë euro i sollën mërgimtarët në Kosovë vetëm gjatë marsit
-
Mitrovicasi Semir Aliti nënshkroi kontratë me ekipin holandez, PSV
-
Pas pushimit pranveror, rinis mësimi plotësues i gjuhës shqipe në shkollën Ostermundigen Bern
-
Promovohet në Zvicër romani i Mimoza Hysës “Bijat e gjeneralit”, në përkthimin gjerman
Jeta në Zvicër
-
Vdekja e ushtarit në Bremgarten cilësohet si vetëvrasje Drejtësia ushtarake konsideron se vdekja e një ushtari të martën në terrenin e parakalimit të Bremgarten...
-
Komisioni bën thirrje për marrëveshje me një vend të tretë për të dëbuar aplikantët e refuzuar nga Eritreja
-
Sa vlen Zvicra për UBS-në?
-
Pse njerëzit në Austri po paguajnë më shumë taksa pavarësisht reformave federale?
-
Komiteti parlamentar zviceran mbështet planin e ndihmës për Ukrainën