Tematike

Impakti i Covid-19 në ekonominë e Zvicrës

Megjithëse shkalla e rënies ekonomike nuk mund të përcaktohet me saktësi, dhe llogaritjet përfshijnë një pasiguri të konsiderueshme, tashmë është e qartë se kriza COVID 19 ka goditur jashtëzakonisht shumë ekonominë zvicerane

Tashmë është më se e qartë se ne jemi në një recesion global. Pyetjet kryesore tani janë: Sa i thellë do të jetë ky recesion? Sa do të zgjasë? Dhe si do të rikuperohemi?

Momentalisht, në këtë pikë, të gjithë ne mund të pajtohemi se recesioni global do të jetë masiv, i thellë.

Në rastin e një recesioni më të rëndë, pra një rënieje të madhe ekonomike me një rimëkëmbje më të ngadalshme, bruto produkti i përgjithshëm në Zvicër do të bjerë deri në 10%, ndërsa papunësia mundë të arrijë deri në 4.5%.

Megjithëse shkalla e rënies ekonomike nuk mund të përcaktohet me saktësi, dhe llogaritjet përfshijnë një pasiguri të konsiderueshme, tashmë është e qartë se kriza COVID 19 ka goditur jashtëzakonisht shumë ekonominë zvicerane, duke pasur një ndikim të madh si te punëdhënësi ashtu edhe te punëmarrësi.

Nga burimet e institutit zviceran për statistika, rezulton se 18% të të vetëpunësuarve u është dashur t`i mbyllin bizneset e tyre, dhe se 21% janë ende duke operuar por vetëm sa po shkojnë drejt falimentimit. Ndër të anketuarit, 38% kanë raportuar se kanë pasur ulje të vazhdueshme të biznesit. Nga këto të dhëna mund të konkludojmë se më shumë se 77% e të vetëpunësuarve kanë qenë të ndikuar negativisht nga COVID 19. Sidoqoftë rreth 10% të tyre raportojnë se kanë pasur rritje të biznesit, duke bërë të mundur që ata të përfitojnë nga kriza. Një pjesë tjetër e mbetur thonë se kriza ende nuk ka pasur ndonjë ndikim financiar në operacionin e tyre biznesor.

Numri jashtëzakonisht i madh i aplikacioneve për kredi me interes zero, të lansuara nga qeveria, tregon se sa serioze është situata për bizneset e vogla dhe të mesme në Zvicër. Që nga fillimi i kësaj krize e deri në mes të muajit prill, më shumë se 100 mijë ndërmarrje, të vogla dhe të mesme, kishin aplikuar për kredi me interes zero. Në krahasim me vendet tjera, Zvicra ka reaguar mjaft shpejt për t’u dalë në krah ndërmarrjeve të vogla e të mesme, duke mbajtur burokracinë në minimum, për të ndaluar një valë falimentimesh, të paktën për momentin.

Nga ana e punonjësve, nga po i njëjti burim, rezulton se rreth 63% e tyre kanë pasur ndikim negativ nga COVID 19. Më shumë se gjysma e tyre është dashur të ulin orët e tyre të punës. Rreth 27 % të tyre u është dashur t`i shfrytëzojnë orët e tyre shtesë të grumbulluara (überzeit), rreth 24% kanë humbur pushimet e tyre vjetore, si dhe rreth 2% kanë humbur vendin e tyre të punës. Shkalla në të cilën punëtorët janë prekur, varet nga një numër faktorësh. Ndër to është edhe se si izolimi ka kufizuar aktivitetin në sektorin e tyre të industrisë.

Sidoqoftë, kriza tashmë ka pasur një ndikim dramatik në ekonominë zvicerane. Mirëpo vendi ka qenë në gjendje të minimizojë disa nga pasojat ekonomike, duke i vënë shpejtë kreditë në dispozicion për ndërmarrjet, si dhe duke u mundësuar një numri të konsiderueshëm të punëdhënësve të aplikojnë për kompensim pune me kohë të shkurtër, dhe shumë punonjës që po punojnë nga shtëpia.

Megjithatë, kriza është larg nga fundi i saj

Shume kompani në Zvicër tani më kanë kaluar fazën e parë afatshkurtër reaktive ndaj pandemisë Covid 19. Gjatë kësaj faze, kompanitë zvicerane fokusin më të madh e patën në adresimin e shqetësimeve lidhur me shëndetësinë dhe mirëqenien e stafit të tyre. Sot, përveç përpjekjeve për tu garantuar punonjësve të tyre ambient të sigurt pune dhe kompanisë mbijetesën, ato gjithashtu po mendojnë se si të stabilizohen, duke ndërmarrë hapa të nevojshëm për tu përshtatur në standardin e ri botëror të “normalitetit”.

Ndërsa shteti tashmë ka hyrë në një fazë të re të “normalitetit” dhe zvogëlimit të kufizimeve, liderët e kompanive zvicerane po shqetësohen gjithnjë e më pak rreth impaktit të COVID në bizneset e tyre. Instituti statistikor në nivel shtetëror ka gjetur se, nga të gjithë ata të intervistuarit, tani vetëm 47% të tyre shprehin shqetësimin se COVID 19 ka potencial të ndikojë në operacionet e biznesit. Ky trend i mendimit ishte më i ashpër para disa javëve, kur u anketuan të njëjtit udhëheqës të kompanive, dhe ata u përgjigjën se 58% gjegjësisht 75% të tyre ishin të brengosur se Covid 19 do të ketë ndikim drejtpërdrejt në biznesin e tyre.

Vlen të përmendet se, numri i liderëve të kompanive zvicerane që presin rikuperim të ekonomisë brenda tre muajve të ardhshëm ka rënë dukshëm. Në fazat e para të anketimeve, diku 90% të të anketuarve besonin se do të ketë rikuperim të shpejtë brenda 3 muajve. Tani ky trend i të menduarit ka rënë në 50%. Nëse i krahasojmë me udhëheqësit e kompanive në shtetet fqinje të Zvicrës, Gjermania ka dukshëm më shumë pritshmëri, me rreth 70 të të anketuarve që parashikojnë se do të ketë rikuperim ekonomik në tre muajt e ardhshëm.

Ndërsa kompanitë shqyrtojnë se kur dhe si t`i rihapin vendet e punës, 53% planifikojnë të rikonfigurojnë vendet e punës për të promovuar distancën fizike dhe 47% planifikojnë të bëjnë punën në distancë një mundësi të përhershme për role që lejojnë.

  • Autori është ligjërues universitar i ndërmarrësisë në Zvicër