Lajme

Italia i obligon punëtorët shëndetësorë të vaksinohen

Të gjithë punëtorët shëndetësorë në Itali duhet të vaksinohen kundër koronavirusit, ka thënë të mërkurën Qeveria italiane.

Italia ka forcuar përpjekjet për vaksinim, pasi një pjesë e stafit të spitaleve kishin refuzuar të marrin dozat e vaksinës.

Italia deri më tani numëron më shumë se 109 mijë vdekje që nga fillimi i pandemisë me koronavirus, ndërkohë që vendimi i Qeverisë për të detyruar disa kategori të punëtorëve që të marrin vaksinën është kritikuar.

Në vendimin e kryeministrit Mario Draghi thuhet se punëtorët shëndetësorë, duke përfshirë edhe farmacistët, janë të obliguar të marrin vaksinën. Ndërkaq, ata që refuzojnë ta bëjnë këtë, mund të suspendohen nga puna pa pagesë, për një vit të plotë.

“Qëllimi i kësaj mase është që të mbrohen sa më shumë që të jetë e mundur edhe strafi mjekësor, por edhe ai farmaceutik dhe ata që janë në mjedise ku mund t’i ekspozohen direkt infektimit”, thuhet në deklaratën për media të Qeverisë italiane.

Italia është një prej vendeve më të goditura në botë si pasojë e COVID-19.

Ky shtet ka regjistruar 23.904 raste pozitive me COVID-19 dhe 467 viktima vetëm në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të paraqitura sot nga Ministria e Shëndetësisë.