Shqipëria

Ja çfarë shkruan gazeta zvicerane NZZ për Edi Ramën

Gazeta zvicerane NZZ: Rama në qendër të kritikave pas koncertit të Kanye West

Gazeta prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) i ka kushtuar një analizë të gjerë situatës politike në Shqipëri, duke vlerësuar se koncerti i reperit amerikan Kanye West është shndërruar në një krizë politike për kryeministrin Edi Rama, transmeton albinfo.ch.

Sipas NZZ-së, qeveria shqiptare ka ndarë rreth 4.2 milionë euro për organizatorët privatë të koncertit, me qëllim që të shmangej anulimi i ngjarjes për shkak të shitjes së ulët të biletave. Gazeta shkruan se fondet janë marrë nga fondi i emergjencave të shtetit, një veprim që ka shkaktuar reagime të forta politike dhe publike.

Në analizë thuhet se Rama e ka justifikuar vendimin duke argumentuar se koncerti do të sillte përfitime të mëdha ekonomike dhe do të promovonte Shqipërinë ndërkombëtarisht. Ai ka deklaruar se ngjarja pritej të tërhiqte mijëra vizitorë nga dhjetëra vende të botës.

Megjithatë, sipas gazetës zvicerane, përdorimi i fondeve të emergjencës për një koncert është konsideruar nga kritikët si i papërshtatshëm dhe potencialisht në kundërshtim me ligjin. Pas publikimit të këtij informacioni, opozita dorëzoi kallëzim në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke akuzuar kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës për shpërdorim detyre.

NZZ thekson se zemërimi i qytetarëve nuk lidhet vetëm me koncertin, por edhe me pakënaqësinë më të gjerë ndaj qeverisë. Sipas gazetës, prej javësh në Shqipëri zhvillohen protesta të vazhdueshme, të cilat nisën si kundërshtim ndaj projektit turistik të mbështetur nga investitorë të lidhur me Jared Kushner në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, por më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.

Prestigjiozja zvicerane shkruan se protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, mungesë transparence dhe abuzim me pushtetin, ndërsa kritikon reagimin e Ramës ndaj demonstruesve, të cilët, sipas saj, janë etiketuar si “agjentë të huaj” dhe sabotues.

Në analizë përmendet edhe deklarata e fundit e kryeministrit në Bruksel, ku ai premtoi se do të rishikojë ligjin për zonat e mbrojtura për ta harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, NZZ vëren se mbetet e paqartë nëse ky ndryshim do të ndikojë në projektin e resortit luksoz të planifikuar në bregdetin shqiptar.

Gazeta ndalet edhe te raportimet e fundit të Reuters, sipas të cilave SPAK po heton dyshime për falsifikim dokumentesh pronësie, pastrim parash dhe trafik droge që lidhen me një prej parcelave të përfshira në projektin e resortit. Sipas raportimit, hetimet nuk përfshijnë Jared Kushner apo investitorët e tjerë të projektit, ndërsa personi i dyshuar i ka mohuar të gjitha akuzat.

Në përfundim, NZZ vlerëson se ajo që nisi si një koncert për promovimin e Shqipërisë është shndërruar në një debat të madh politik, duke thelluar pakënaqësinë publike dhe duke shtuar presionin mbi qeverinë e Edi Ramës./Albinfo.ch