Shqipëria

Ambasadorja zvicerane Ruth Huber përfundon mandatin diplomatik në Shqipëri

Fondi i Ballkanit Perëndimor e falënderoi për angazhimin dhe kontributin në forcimin e bashkëpunimit rajonal gjatë viteve të shërbimit.

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, po përfundon mandatin e saj diplomatik, pas disa vitesh angazhimi në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Zvicrës, Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Me këtë rast, Fondi i Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Fund) organizoi një takim lamtumirës në zyrat e tij në Tiranë, ku shprehu mirënjohje për kontributin dhe përkushtimin e ambasadores zvicerane.

Në njoftimin e tij, fondi vlerësoi Ruth Huber si një mike të vërtetë të rajonit, e cila gjatë mandatit të saj promovoi dialogun, bashkëpunimin ndërmjet njerëzve dhe vlerat e përbashkëta që forcojnë partneritetin rajonal.

Gjithashtu, u vlerësua edhe mbështetja e vazhdueshme e Zvicrës për bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ambasadores Huber iu uruan suksese në angazhimet e saj të ardhshme.

Fondi i Ballkanit Perëndimor theksoi se do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Zvicrën edhe pas përfundimit të mandatit të ambasadores Ruth Huber./Albinfo.ch