Shqipëria

Ja përse duhet të “Bëni biznes në Shqipëri”

"Bëni biznes në Shqipëri" ishte motoja e aktivitetit të mbajtur sot në Cyrih, Zvicër. Është ndjekur nga një publik kryesisht zviceran, i interesuar për rrjedhat e bujqësisë, tregtisë dhe investimeve në Shqipëri

Njëri ndër resurset më të mëdha të ekonomisë së Shqipërisë, është bujqësia. Nisur nga kjo, autoritetet shqiptare bëjnë përpjekje për valorizimin e shansit për zhvillim që ofron ky sektor, duke afirmuar jashtë vendit mundësitë për zhvillim dhe për investime nga jashtë. Në kuadrin e këtyre përpjekjeve bën pjesë edhe prezantimi që u zhvillua sot në selinë e “Deloite” në Cyrih me moton :”Zbuloni Shqiperinë – agrobiznesi””.

I iniciuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, aktiviteti është ndjekur nga një publik, kryesisht zviceran, i interesuar për rrjedhat e bujqësisë, tregtisë dhe investimeve në Shqipëri.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni, në prononcimin e tij për albinfo.ch  ka thënë se ky aktivitet “ishte një inicativë e përbashkët e Ambasadës Shqiptare dhe Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), sigurisht e mbështetur nga Ministria e Bujqësisë. Duke qenë që Cyrihu është një ndër qendrat më të mëdha ekonomike jo vetëm të Zvicrës por dhe të Evropës, ne gjykuam që ta fillonim në këtë qytet.

Duke u nisur nga parimi që të fokusohemi në një sektor në mënyrë që ta përfshijmë sa më mirë atë, ne kësaj radhe u përcaktuam për sektorin e bujqësisë, mundësitë që ofron Shqipëria për bashkëpunim në këtë sektor dhe lehtësitë që ofrohen për investime në këtë fushë. Ashtu siç u pa këtu, prezantimet ishin në nivel të lartë profesional. Ne kemi dy muaj që përgatitemi për këtë aktivitet. Përfaqësues të AIDA-s dhe të Bankës Botërore – e cila po ashtu është pjesë e aktivitetit –  kanë qenë një muaj më parë këtu për të marrë kontaktet, për të identifikuar bizneset përkatëse zvicerane etj. Nga ajo që pamë sot, mendoj se ka interes ndër zviceranët, një pjesë e atyre që morën pjesë, kanë shprehur interesim për tu përfshirë në veprimtari tregtare me Shqipërinë etj.

Por, është me interes të themi se edhe kompanitë më të mëdha tregtare të Zvicrës si Migros dhe Coop kanë shprehur interesimin e tyre për bashkëpunim me Shqipërinë dhe kanë edhe përfaqësuesit e tyre këtu sot. Aktiviteti ynë vazhdon dhe nesër kur do të kemi vizita në selitë e Migros-it dhe Coop-it si dhe në disa biznese të shqiptarëve të këtushëm.

Ndërsa Genc Celi, drejtor i AIDA-s duke u prononcuar për albinfo.ch veç tjerash tha se ideja për këtë aktivitet ishte që “jo vetëm ata (investitorët potencialë) të vijnë te ne por edhe ne t`u ofrohemi atyre, të prezantojmë ofertën tonë në vendet e tyre. Në këtë rast ishte bujqësia ajo që u prezantua por në raste tjera do të jenë edhe sektorë tjerë të ekonomisë shqiptare. E filluam me Zvicrën dhe me Cyrihun por do ta vazhdojmë edhe në vende tjera të Evropës e më gjerë. Gjithmonë qëllimi ynë është të promovojmë një imazh të mirë për vendin tonë. Nga ajo që pamë, mund të them se kishte mjaft zviceranë që kishin ardhur të dëgjojnë për mundësitë e investimit në Shqipëri, ashtu siç kishte edhe shqiptarë që jetojnë këtu. Marrë në përgjithësi, mund të thuhet se ky ishte një sinjal i mirë, i cili pritet të ndiqet me punë konkrete”, përfundoi z. Celi.

Rudina Suti, këshilltare e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Shqiptare thotë për albinfo.ch se fakti që bujqësia përbën 20% të GDP-së së Shqipërisë, tregon mjaft për rëndësinë që i kushtohet asaj nga qeveria dhe ministria përkatëse. “Duhet theksuar se produktetet bujqësore të Shqipërisë janë mjaft cilësore dhe të kërkuara nga jashtë për shijen dhe cilësinë e tyre. Në këtë kuptim, edhe eksporti i këtyre produkteve jashtë vendit është mjaft i madh dhe ai po rritet nga viti në vit. Sigurisht prodhimin bujqësor të Shqipërisë e favorizon dhe klima mesdhetare që mbretëron në Shqipëri. Fokusimi në këtë përparësi që gëzon Shqipëria, ishte dhe njëri ndër qëllimet e organizimit të këtij prezantimi para zviceranëve. I dyti ka të bëjë me koston e ulët me të cilën ofrohen prodhimet shqiptare në krahasim me ato të vendeve tjera evropiane dhe i treti, cilësia që bujqit shqiptarë e mbajnë në nivel më të lartë, do të thoja, në krahasim me ata të vendeve tjera”, ka thënë znj. Suti. Ajo ka shtuar se prezantime sikur ky i sotmi do të vazhdojnë sigurisht edhe në shtete tjera.

Në këtë aktivitet është prezantuar edhe fabrika tradicionale zvicerane e këpucëve “Künzli” e cila kohë më parë ka hapur një filial të saj në Shqipëri, në afërsi të Tiranës. Ne emrin e kompanisë ka folur Claudia Sandmaier, e cila ka vënë theksin në një numër favoresh që ka gjetur ky investim në Shqipëri. Sipas saj, ka qenë në radhë të parë përcaktimi i kompanisë për të mos e larguar prodhimin nga Evropa, ai që ka bërë të mundur investimin e “Künzli” në Shqipëri. Veç kësaj, faktor determinues ka qenë ekzistimi në Shqiperi i një “know-how” të konsiderueshëm për industrinë e këpucëve si dhe sigurisht, kostoja e ulët e prodhimit. Ndërsa veç këtyre, sipas zonjës Sandmaier, stafi nga Zvicra ka gjetur në Shqipëri një atmosferë shumë të këndshme dhe një mikpritje e dashamirësi të madhe të njerëzve me mendje të hapur. Sigurisht edhe lehtësimet që ofron ligji shqiptar i investimeve, ka qenë një faktor më tepër që ka ndihmuar konsolidimin e kësaj fabrike në Shqipëri.

Në këtë aktivitet, publikut i është prezantuar edhe kryetari i Dhomës Tregtare Zvicër-Shqipëri, njëherësh shef i SICPA Albania, Samir Shqarri. Ai ka folur për kushtet që ofron Shqipëria për bashkëpunim në fushën e biznesit, me fokus të veçantë për bashkëpunim tregtar me Zvicrën.

Organizatorët dhe drejtuesit e aktivitetit të sotëm në Cyrih kanë dëshmuar një përgatitje mjaft të mirë dhe me kompetencën e treguar, kanë qenë në nivel të përgjegjësisë që e kërkon një organizim i tillë jashtë vendit.

Albinfo.ch është partner medial i aktivitetit “Bëni biznes në Shqipëri”.