E-Diaspora

Ja prapaskenat dhe mekanizmat e vendimit te UEFA-s*

+3-3 = 0 Serbisë vs 0 pikë Shqiperisë por -3 golavrazh! Ky është vendimi i UEFA-s i ditës së premte. Vendim i paprecedent, i drejtë apo jo, të gjithë kemi përgjigjen. Por cfarë fshihet pas këtij vendimi dhe cilët mekanizma përdori UEFA?

Po e nis me një anekdotë. Një histori për të fjetur më mirë ose për tu zgjuar. Zgjidhni vetë.

Dikur nga viti 945 para Krishtit. Mbreti Salomon apo Sylejmani (thirreni si të doni) duhej të vendoste drejtësi në lidhje me një konflikt të çuditshëm në dinastinë e tij. Dy gra po ziheshin dhe secila pretendonte se ishte nëna e një fëmije. Salomoni i thirri dy gratë dhe dëgjoi argumentat e tyre që dukeshin bindës. Për ta zgjidhur këtë dilemë, Salomoni nxori shpatën dhe ju tha: do e ndaj fëmijën në dysh kështu që secila nga ju mund të marrë gjysmën. Njëra nga gratë thotë: le ta marri tjetra foshnjën. Por mbreti Salomon, i njohur për zgjuarsinë dhe drejtësinë e tij, vendosi ti jepte foshnjën pikërisht gruas që tha le ta marri tjetra, sepse një nëne biologjike i dhimbset fëmija i saj.

Viti 2014 Ndeshja Serbi – Shqipëri, ku të dyja ekipet pretendojnë 3 pikët në tavolinë. Presidenti i federatës shqiptare Duka deklaroi para ca ditësh që “nuk më interesojnë 3 pikët dhe respektoj cdo vendim të UEFA-s” (ashtu sic veproi nëna biologjike në kohën e Salomonit). Presidenti i federatës Serbe tha pikët i takojnë Serbisë (ashtu sic veproi nëna që kërkonte fëmijën pa pasur legjitimitetin e ëmësisë). UEFA, në rolin e Salomonit, vendosi ta ndaj fëmijën në dysh…pra të ndajë dënimin.

Nëse ishte vendim i drejtë, të gjithë mund ti japin përgjigje. Por ajo cfarë duhet kuptuar është se  cfarë mekanizmash u përdorën për të marrë këtë vendim dhe cilat janë prapaskenat që ndikuan. Duhen parë edhe rrethanat në të cilat është kryer vendimi.

Konteksti:

Fill pas ndeshjes autoritetet politike serbe politizuan ngjarjen: ishte provokim flamuri i Shqiperisë së madhe thanë, ka prentendime territoriale thanë, dhe bënë të nervozuarin. Ndërkohë Putini do pritej 2 ditë më pas në Serbi.

Kocijancic, zëdhënësja e ministres së jashtme të BE Ashton, doli në deklaratë zyrtare pas ndeshjes dhe përgëzoi forcat e policisë serbe për sigurinë shembullore të dëshmuar në menaxhimin e situatës.

Merkel deklaron me rastin e vizitës së Putin, se Serbia është një terren interesant ekonomik për BE duke i dhënë sinjal Serbisë që, ne (BE), jemi të interesuar që të jesh pjesë e saj dhe jo të orientohesh nga Rusia.

Platini, të nesërmen e ndeshjes, deklaron që droni në vend të flamurit mund të kishte pasur bombë (në 2010,  gjatë ndeshjes Itali-Serbi, ai ishte shprehur i shokuar nga dhuna e ushtruar nga huliganët serb).

Të jenë koincidenca? Agatha Christie në mos gaboj, thoshte një koincidencë është një koincidencë, dy koincidenca janë dy, dhe tre koincidenca mund të vërtetojnë vërtetësinë. Po hamendësoj që ky ishte skenar i pregatitur më parë dhe se askush nuk dëshironte të “nervozojë” Serbinë sepse mund të përqafonte politikën e Putinit në vend të asaj të BE. Pra a mori UEFA një vendim politik?

Mekanizmat që përdori UEFA për vendim-marrjen

Duke konsideruar rrethanat që sapo përmendëm, por edhe duke marrë parasysh rezultatin (vendimin e UEFA-s), një teori e cila përdoret në politikë dhe ekonomi i përgjigjet kësaj analize në lidhje me procesin e vendim-marrjes: “Game theory” me nën-teoritë e saj “Nash Equilibrium” dhe “Prisoner’s dilemma”.

Teoria e lojërave (game theory) klasifikon lojërat sipas kategorive duke marrë parasysh llojin e zgjidhjeve të mundshme. Pra kemi lojë kooperative (bashkëpunuese) dhe jo-kooperative. E para është kur një grup lojtarësh komunikojnë mes tyre dhe mund të bejne akorde për të marrë një rezultat të kënaqshëm për ta (psh.monopoly).

Ndërsa loja jo-kooperative bën fjalë për lojtarët që nuk komunikojnë mes tyre, shofin interesat dhe benefitet maksimale të tyre dmth nëse njëri fiton, tjetri humbet domosdoshmërit (psh. Pokeri, shahu, dhe futbolli). Në bazë të kësaj teorie rezultati duhej të ishte: Serbia dënohet me humbje të lojës në tavolinë, me dënim të fushës si pasojë e dhunës dhe me gjobë per shfaqje racizmi dhe paaftësi për të garantuar sigurinë. Shqipëria s’do duhej të dënohej me asgjë. Pra një fitues dhe një humbës sipas teorisë jo-kooperative.

Sipas teorisë kooperative kemi të bëjmë me negociata për të vendosur shprëndarje të fitimeve ose të fajit. Logjikë e politikës dhe e ekonomisë. UEFA në vendimin e vet i dha Serbise fitoren në tavolinë +3 pikë, dhe e dënoi me -3 pikë që dmth 0 pikë nga kjo lojë. Shqipëria humbi në tavolinë, pra 0 pikë nga kjo lojë por ka golevrazh -3 gola. Cka u kompensua me dënimin e Serbisë pa tifozë gjatë dy lojëve të ardhshme. Ky aspekt është i njohur në ekonomi dhe në negociata politikë si “Nash Equilibrium” ose “Pareto Optimum”. Si rezultat duket që UEFA ka marrë një vendim politik.

Po përse u bë kjo shprëndarje dhe pse u pranua kjo negoiciatë e mundshme? Kjo spjegohet me dilemën e burgaxhisë “prisoner’s dilemma”. Dy të burgosur, të akuzuar për një krim. Asnjëri spranon fajin po kërkon pafajësine duke denoncuar tjetrin ose thjesht duke mos pranuar akuzat. Hetuesi kërkon të bëjë të flasë të dy, si atë që hesht, si atë që denoncon duke i ofruar në këmbim lirinë. Në rastin tonë liria është karrota që përkon me intereset e Bashkimit Europian. Edhe nëpërmes kësaj teorie Hetuesi (UEFA) bën mediatorin për ti futur në negociata. Duke aplikuar këto teori në rastin konkret, a thua vallë deklarata e presidentit të federatës Duka “nuk më interesojnë 3 pikët dhe respektoj vendimin e UEFA-s” të jetë frut paraprak negociatash?

Z. Duka nuk dua të besoj që mund të jeni bërë pjesë e negociatave ashtu siç ekziston si koncept në ekonomi, politikë dhe ashtu siç duket edhe nga kjo analizë. Ndaj uroj të fitoni 3 pikët në gjykatën e TAS në Lausanne. Përndryshe lirisht jepni dorëheqjen siç bëri kolegu juaj i federatës serbe duke i marrë përgjegjësitë.

Monsieur Platini, nuk mund të perfaqësoni “mbretërinë” tuaj si Salomoni perderisa nuk vendoset drejtësi. Si mund të kërkohet respekt kur ju nuk ofroni respekt. Respekti për ju i përket së kaluarës për atë çka dhatë si futbollist. Tashmë nëse keni hobby politikën, lirisht mund të kandidoni për zgjedhjet presidenciale të Francës.

Merreni si përrallë apo besoni.

*Mendimet e autorit nuk reflektojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë.