Shqiperia

Shqipëri: Si ka ndikuar COVID-19 në biznes

Një organizëm që mbështetet nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështje Ekonomike SECO - sapo është publikuar

Raporti i plotë i anketimit nga Këshilli i Investimeve – një organizëm që mbështetet nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështje Ekonomike SECO – sapo është publikuar, transmeton albinfo.ch.

Të gjithë sektorët e ekonomisë janë ndikuar negativisht, por turizmi dhe shërbimet janë goditur më fort.

Për 80% të kompanive, parashikohet një ulje prej 20% e xhiros.

Mbi masat nga qeveria, kompanitë e mëdha vlerësojnë shtyrjen e pagesave të huave, ndërsa bizneset e vogla preferojnë mbështetjen financiare për punonjësit.

Të gjithë sektorët e ekonomisë pritet të ndikohen negativisht. Kështu, 97 % e kompanive presin që aktiviteti i tyre të ndikohet shumë negativisht nga përhapja e koronavirusit. Vetëm bujqësia në 4.8% të saj mendon se nuk do të ndikohet. Gjithashtu, 62% e eksportuesve presin që të ndikohen shumë negativisht.

Theksojme se 47% e ndërmarrjeve ndaluan plotësisht aktivitetin gjatë COVID-19, ndërsa 53% e tyre vazhduan aktivitetin plotësisht ose pjesërisht. Nga të gjithë sektorët e ekonomisë, turizmi rezulton si më i prekuri me një mbyllje të veprimtarisë deri në 75%. Në të kundërt, sektori i bujqësisë deklaron se vazhdoi punën pjesërisht a plotësisht në 81% të saj.

Pavarësisht nga madhësia apo sektori, të gjitha kompanitë konvergojnë në lidhje me pritshmëritë mbi ndikimin e COVID19 në xhiron vjetore të tyre – 80% e kompanive vlerësojnë se do të kenë më shumë se 20% rënie të qarkullimit vjetor të tyre.

Në lidhje me problematikat më të shpeshta, kompanitë gjatë COVID-19, theksojnë mungesën e klientëve, mungesën e likuiditetit, vështirësitë në likuidimin e pagave dhe respektimi i detyrimeve dhe pagesave tatimore. Më konkretisht, bujqësia, industria dhe ndërtimi konvergojnë në mungesën e likuiditetit si shqetësimi kryesor i tyre, ndërsa turizmi, shërbimet dhe tregtia theksojnë mungesën e klientëve.

Sa u përket importeve, 52% e kompanive deklarojnë se kanë pasur probleme me importet, kryesisht nga vendet e BE-së. Një pjesë e tyre (69%) në kuadrin e vazhdimësisë së punës janë dëmtuar seriozisht pasi janë shumë të varur nga importet, ndërkohë që 31% e tyre po konsiderojnë zëvendësimin me produkte vendase pjesërisht apo plotësisht. Industria rezulton me varësi më të madhe nga Importet (83% e kompanive deklarojnë se varen plotësisht nga importet); Ndërsa ndërtimi është më pak i varur (vetëm 29% e kompanive). Theksojmë se vetëm 2% e kompanive që operojnë kryesisht në Tregti, Industri dhe Shërbime deklarojnë se mund të zhvendosen plotësisht nga importet drejt burimeve kombëtare për të siguruar vazhdimësinë e biznesit;

Kompanitë janë gjendur të papërgatitura për të përballuar pamundësinë e forcës së punës për t’u paraqitur në punë. Kështu, 37% e ndërmarrjeve konfirmojnë se nuk kanë arritur të marrin asnjë masë në kohë për ta adresuar këtë sfidë, ndërkohë që 33% përdorën lejët e zakonshme dhe punë nga shtëpia (kryesisht shërbimet), ndërsa pjesa tjetër përdorën largimet nga puna (më së shumti ndërmarrjet e mëdha 67%).

Për të siguruar vazhdimësinë e biznesit, kompanitë deklarojnë se kryesisht do të përdorin të ardhura të mëparshme të akumuluara (34%) si edhe do të ulin kostot (32%) fokus shkurtimi i vëndeve të punës ose ulja e prodhimit. Marrja e kredisë në bankë konsiderohet si opsioni i tretë. Më specifikisht nga pikpamja sektoriale, bujqësia, ndërtimi dhe tregtia konsiderojnë mbështetjen me hua bankare. Ndërsa, industria dhe turizmi fokus do të kenë uljen e kostove ndërsa shërbimet kryesisht do të përdorin të ardhurat e tyre të akumuluara. Në një analizë më të thelluar, rezulton se sipas madhësisë, kompanitë me të ardhura mbi 8 milion lekë shprehen se do të ulin kostot për të siguruar vazhdimësinë e biznesit ndërsa kompanitë me qarkullim deri në 8 milion lekë do synojnë të përdorin të ardhurat e akumuluara për të siguruar vazhdimësinë e biznesit;

Pavarësisht nga madhësia ose sektori, shumica e kompanive vlerësojnë se ndikimi COVID19 do të zgjasë deri në 1 vit.

Për sa i përket vlerësimit të masave mbështetëse të qeverisë, kompanitë me xhiro mbi 14 milion lekë vlerësojnë se shtyrja e pagesave të kredive do të ketë ndikimin më pozitiv; ndërkohë nga biznesi me xhiro deri në 14 milion lekë vlerësohet se mbështetja financiare për punonjësit do të ketë një ndikim të madh pozitiv.

COVID 19 stimuloi ndërgjegjësimin mbi efikasitetin e përdorimit të shërbimeve online dhe investimet në teknologji. Kështu, 75% e kompanive deklarojnë se i kanë përdorur shërbimet online (kryesisht shërbimet, turizmi dhe industria); ndërkohë që 81% e tyre konfirmojnë që do të vazhdojnë të përdorin përsëri shërbimet online. Kjo është një tendencë që konvergon për të gjithë sektorët. Për më teper, 40% e kompanive që deklarojnë se do të ripërdorin shërbimet online, shprehen se do ndryshojnë planet e investimeve duke i përqendruar në drejtim të shërbimeve online, specifkisht në teknologji të reja, menaxhimin e rriskut dhe forcimin e kanaleve të shitjes me pakicë. Në të ardhmen, vlerësohet një analizë e mëtejshme në lidhje me llojet e shërbimeve online që janë përdorur më shumë nga biznesi.

Situata rezulton problematike përsa i përket ekzistencës së planeve të emergjencës, ku 86% e kompanive deklarojnë se nuk kanë plan të aprovuar emergjence. Sjellja është e njëjtë pavarësisht nga madhësisë apo sektorit ekonomik (shërbimi dhe industria duket se janë më të përgatitur).