Kosova

Jakup Krasniqi: Qëndroj këtu jo si kriminel, por si njeri që i shërbeu lirisë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka nisur fjalimin e tij përfundimtar para trupit gjykues në Hagë, duke hedhur poshtë kategorikisht përshkrimin e prokurorisë ndaj tij si kriminel, përcjell albinfo.ch.

“Qëndroj këtu para jush, jo si një kriminel siç më përshkruan prokuroria, por si një njeri që i ka shërbyer popullit të tij dhe kauzës së lirisë”, deklaroi Krasniqi në fjalën e tij para Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ai theksoi se historia e Kosovës dhe lufta për liri nuk mund të deformohen apo rishkruhen nëpërmjet një procesi gjyqësor, duke shtuar se veprimtaria e tij ka qenë e motivuar nga nevoja për çlirim dhe mbrojtje të popullit.

Krasniqi nënvizoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje ndaj dhunës dhe represionit sistematik, duke theksuar se veprimet e saj kishin për qëllim vetëm lirinë dhe mbijetesën.

Sipas tij, akuzat e ngritura ndaj tij përbëjnë jo vetëm një padrejtësi personale, por edhe një fyerje ndaj sakrificës së mijëra qytetarëve që humbën jetën në luftë dhe ndaj përpjekjeve për çlirimin e Kosovës.

Në përmbyllje, Krasniqi u shpreh i bindur se e vërteta do të dalë në pah dhe se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi shtrembërimin e historisë./Albinfo.ch