Karriera në Ballkan

Jeta Xharra sfidon të pushtetshmit

Gazetarja Jeta Xharra është mjaft e popullarizuar në Kosovë. Disa edhe e urrejnë atë, sepse ajo flet pa dorashka

Kërcënime me vdekje. Kundër saj. Në televizion. „ Drejtpërdrejt e transmetuar në tri programe televizive !“. Jeta Xharra tund kokën e çuditur. Ishte fillimi i vitit 2009, kur gazeta bulevardeska e afërt me qeverinë „Infopress “ botoi artikullin urrejtje-nxitës. Jeta Xharra me punën e saj po ia shkurton vetës jetën, thuhej në njërën prej informacioneve të lexuara në lajmet televizive. Xharra edhe sot e kësaj dite kur flet për këtë  flet me zë të ulët.

„Mirëdita, më falni“- i drejtohet Xharra një burri në trotuar – „si shkohet në TV Dukagjini ?“ Në programin lokal televiziv në Pejë, 80 kilometra në perëndim të Prishtinës, ajo është ftuar në një intervistë. Burri ndal një çast, pastaj afrohet, shtanget. Grimasa ia shpërfaq dhëmbët e bërë rrafsh me mish. „Jeta Xharra“, thërret ai, tund kokën shkurt sikur të mos i besonte vetes, „legjenda e Kosovës!“. Ai përkulet në dritaren e hapur të pesho-së së Xharrës- automjetit të saj familjar, dhe me një lëvizje të shpejtë dore ngrit gishtin e madh para fytyrës së tij dhe shtyp një sustë imagjinare – do të dëshironte shumë ta bënte një foto me Xharrën, thotë ai. Por ai e kishte harruar telefonin e tij të dorës. „Faleminderit“, përshëndetet Xharra dhe i jep gaz automjetit.

Shikuesve ju pëlqeu

Jeta Xharra, 39 vjeçare, konsiderohet si një ndër gratë më me ndikim në Kosovë. Për këtë ajo as nuk ka shumë para e as nuk është në politikë. Jeta Xharra është gazetare hulumtuese. Qe nëntë vite moderon magazinën politike „ Jeta në Kosovë “. Ajo ballafaqon kryebashkiakët me premtimet e tyre asnjëherë të mbajtura. Ajo flet për temat tabu si dhuna kundër grave apo keqtrajtimet e civilëve nga UÇK-ja – paramilitarëve shqiptarë, që luftuan për pavarësinë e Kosovës. Ajo drejtpërsëdrejti në prani të kamerave ua nxjerr para sysh politikanëve llogaritë e tyre të papaguara të rrymës në vlerë prej mijëra eurosh. Politikanët nuk ishin mësuar kështu t’u nxirreshin të palarat në shesh. Por kjo iu pëlqente shikuesve. „Ata ishin të etshëm për një shou, që do ta sfidonte klasën qeveritare “, thotë Xharra.

Me flokët e kaftë deri në mjekër, ngjyrë të zbehtë të fytyrës, kryesisht e imët – Xharrën në rrugë mund lehtë edhe të mos e vëresh. Por kur ajo flet dëgjohet, sikur ta sundonte një regjim; kur telefonon i dallohet qartë thënia „telefonoj dikujt “. Shumë fjali të saj fillojnë me një „ hej “, spontane. Xhara nuk është vetëm moderatore, por edhe kryeredaktore, edhe pagëzuese e emisionit „Jeta në Kosovë “.

„O zot, më duhet patjetër diç e ëmbël!“, ankohet Xharra derisa kthen furishëm në parkingun e TV Dukagjinit. Ajo ndal motorin, hedh në krah çantën e saj të igelit me hutat e vegjël  të vizatuar në të, mbyll derën e përparme të automjetit dhe nxiton drejt një qosheje. Pa u bërë minuta shfaqet me një çokollatë në dorë. Ndonjëherë e shpëton një copë çokollate me lajthia  në ditët e saj që zgjasin deri pasditen e vonë. Dhe ditët e saj janë kryesisht të gjata.

Në fund të viteve të nëntëdhjeta, Xharra, adhuruesja e madhe  e filmit, studionte dramaturgjinë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku ajo është rritur dhe ka kryer shkollën. Ishte dekada, kur shqiptarët e Kosovës organizoheshin në shtetin e tyre hije nga shtypja e pakicës serbe nën presidencën e Milosevic-it.

Kur disa kilometra përtej Prishtinës shtëpitë digjeshin dhe njerëzit iknin, Xharra nuk mund të rrinte më dhe të mësonte. Më 1998 filloi të përkthejë për televizionin britanik BBC  dhe të vendosë kontakte me luftëtarët e  UÇK-së. Nëna e saj, e cila ishte larguar nga puna, kishte shitur stolitë e saj të nusërisë që Xharra të mund të blinte një kompjuter dhe të mund të shkruante e-mail-e. Me 21 vjet ajo mori drejtimin e zyrës së BBC-së në Kosovë.

Pas luftës, Xharra përjetoi edhe momentin e dorëzimit të armëve të luftëtarëve të UÇK-së dhe shndërrimin e tyre  në politikanë. Tash ajo si gazetare synonte t’i bënte politikanët që të jepnin llogari para qytetarëve; e tëra do të duhej të ishte e thjeshtë, ia merrte mendja asaj, por duket se në këtë u mashtrua.

Xharra shkoi në Londër, ku u mor me studimin e luftërave në Kings College  dhe ku punoi edhe më tej si gazetare në shtabin planifikues të lajmeve të huaja në BBC World. Më 2002 ajo mori masterin e saj të dytë, këtë herë për shkrimin e skenarëve Këtë e arriti me notë të shkëlqyeshme. Pastaj u kthye në atdhe. „Këtu mund ta ndryshojë jetën e   njerëzve“.

Shembull BBC-ja

Për magazinën e saj, me transmetimin e së cilës filloi më 2005, ajo mori si shembull moderatorët e  BBC-së, të cilët parashtrojnë pyetje agresive. Gazetari si një roje e  demokracisë – kjo ishte pikërisht e kundërta e gazetarisë në Kosovës, e cila i kishte shërbyer për një kohë të gjatë propagandës shtetërore jugosllave. „Emisioni im ishte një shok“, thotë Xharra.

Në Pejë, Xharra do të diskutojë me moderatorin mbi disponimin para zgjedhjeve parlamentare. Ajo tashmë është shumë e kërkuar si partnere bisedash të tilla. Ajo është edhe bisedare. Kur dëshiron është edhe e zhurmshme si në kanape. Dhe po aq edhe pa komplekse në të qeshur.

Por përballë shumë mysafirëve në emisionin „Jeta në Kosovë“  Xharra është para së gjithash një: e pamëshirshme. Politikanët në Kosovë nuk brengosen për mirëqenien e shumicës, për atë se si t’i shërbejnë shoqërisë apo drejtësisë. „Politika në Kosovë është një mjet për t’u pasuruar dhe domen i zotëruar nga burrat“. Këtë ajo dëshiron t’ua tregojë shikuesve të saj dhe ta ndërrojë këtë.

(…)

Nxjerrja në dritë e grave

Në zgjedhjet komunale në fund të vitit 2013, Xharra dhe ekipi i saj i lutën jo kandidatët për prefektë për t’u prezantuar, por bashkëshortet, shoqet apo motrat e tyre. Sepse, pothuajse të gjithë kandidatët ishin meshkuj, por “më shumë se gjysma e votuesve femra; gratë në Kosovë ishin pothuajse të pa përfaqësuara në debate”.

Si sillen burrat në shtëpi? A i heq bashkëshorti mbeturinat? Çfarë automjeti ngiste ai para njëzetë vitesh? Çfarë automjeti nget sot? Pyetje të tilla drejtuar grave mundësonin jo vetëm depërtime personale  në jetën e politikanëve dhe zgjonin interesimin e votueseve. Ato tregonin gjithashtu se si ka ndryshuar statusi shoqëror i shumë burrave, thotë Xharra. “Nëse ndonjëri ka ngarë ndonjë traktor para luftës dhe sot nget audi, publiku pyet natyrshëm: si e ka bërë këtë?”.

(…)

Shumë shikues e konsideronin stilin e saj moderues konfrontues si arrogant, si shumë të zhurmshëm, si shumë të ashpër. Por, pas disa vitesh “Jeta në Kosovë” u bë emisioni i dytë më i shikuar i vendit edhe përkundër kohës së papërshtatshme të emetimit: të enjteve pak para mesnate.

Një vit ajo dhe ekipi i saj patën mbledhur donacione që të mund të fillonin me prodhimin e emisionit të parë. Vetëm pse nuk i duhej të paguante asgjë, televizioni shtetëror RTK i bëri emisionit një vend të lirë. “Ata mendonin se emisionin tim ashtu – kështu nuk do ta shikojë askush”. Me suksesin e tij emisioni “Jeta në Kosovë” zuri vend në kohën qendrore të transmetimeve. Ndërkohë transmetohet dy herë në muaj. Vetëm pavarësia e tij financiare dhe publiku i tij bëjnë që ai të mos hiqet nga programi.

(…)

Një punë e rrezikshme

Me punën e saj, Xharra dëshiron ta forcojë shoqërinë civile. Se kjo mund të jetë e rrezikshme e provoi më 2009. Disa ditë me radhë vazhdoi fushata e urrejtjes kundër saj nga ana e gazetës “Infopress”. Ajo dhe ekipi i saj u fyen si spiunë të Serbisë dhe si tradhtarë. Më parë Xharra pati raportuar për atë se si qeveria po i ndikon mediet përmes rregullimit të mënyrës së reklamimit dhe se si po lirohet nga gazetarët kritikë. Emisioni duhet të hiqet, kërkonte gazeta.

Një prokuror ka pranuar se nuk ka ndërmarre asgjë nga frika e sulmeve hakmarrëse, thotë Xharra. Mbi pesëdhjetë organizata joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare i ofruan mbrojtje asaj. Tek pas ushtrimit të presionit të bashkësisë ndërkombëtare mbi qeverinë u ndal fushata kundër saj. (…)

NZZ

Përkthimi: Nexhmedin Gerguri