Lajme

Jonida Çepani, juristja me shumë pasione

“Të jetosh shëndetshëm nuk do të thotë vetëm të bësh mjaftueshëm lëvizje fizike dhe të ushqehesh shëndetshëm, por edhe të kujdesesh për gjendjen mentale dhe emocionale”, thotë Jonida për albinfo.at

Jonida Çepani njeh mjeshtërisht profile të ndryshme profesionale si avokatia, mentorimi dhe „Coaching“ për korporata internacionale apo ekspertiza në fushën e jogës dhe meditimit. Pasionet e shumta e ndihmojnë në rrugën e cila ka shumë stacione, por njëkohësisht të jep përshtypjen e qetësisë si në shprehjen e famshme: “Në qetësi qëndron forca.”. Ka një aureolë tërheqëse që depërton nga fotografitë dhe videot e saj duke inspiruar me ndjenjën e ekuilibrit shumë prej ndjekësve dhe fansave. Kurioziteti dhe guximi për të hulumtuar përtej një kualifikimi të vetëm profesional e bëjnë Jonidën një person me të vërtetë për tu admiruar. Jonida është e kualifikuar si avokate në Austri dhe Shqipëri, njëkohësisht dhe si „Executive Coach“ nga “International Coach Federation (ICF)”. Është themeluese e një instituti për zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin personal dhe profesional. Rruga e saj nga një avokate dhe eksperte për të drejtën e biznesit, te një sipërmarrëse në fushën e „Coaching“ dhe zhvillimit te burimeve njerëzore ka ardhur për shkak të punës së saj me korporata dhe pasionit për fushën e zhvillimit personal dhe profesional. Jonida ka qenë pjesë e stafit jurist në zyrat juridike më prestigjioze në Austri si “Wolf Theiss” apo “Schoenherr”. Kalon pas këtyre hapash të rëndësishme në karrierën e saj në fushën e konsulencës strategjike duke punuar në mënyrë të pavarur me kompani internacionale. Përveç përvojës së saj, ka ndërtuar njohuri të konsiderueshme në fushën e psikologjisë dhe psikoterapisë duke përfunduar studimet në fushën e psikoterapisë në Vjenë. Ajo shprehet: “…mendoj që kam arritur këtu ku jam, sepse kam ndjekur me disiplinë të hekurt pasionet e mia në jetë.”.

Sa kohë keni që jetoni në Vjenë dhe pse zgjodhët të jetoni këtu?

Isha fëmijë kur prindërit vendosën të shpërngulen në Austri, pra nuk ka qenë vendimi im i mirëfilltë. Përveç Austrisë kam jetuar disa kohë në Londër dhe Paris me studime e punë dhe më vonë kam udhëtuar shpesh nëpër Azi për të përvetësuar traditën e jogës dhe meditimit “mindfulness”. Megjithëse kam qenë e vogël kur kam ikur nga Shqipëria dhe më pas kam jetuar në vende të ndryshme unë e ndjej veten shqiptare. Mendoj që kanë ndikuar prindërit, të cilët na kanë rritur me dashurinë për atdheun. Austrinë e konsideroj si atdhe të dytë i cili më ka dhënë formimin profesional dhe vlerat për të cilat shquhet, veçanërisht disiplinën dhe kulturën e punës.

Jurisprudenca është një nga pasionet tuaja të para, si arritët të krijoni urën mes saj dhe pasioneve të mëtejshme jogën dhe meditimin?

 

Unë jam njohur me jogën në 2005-n ndërsa ndiqja programin master për jurisprudencë në Londër. Më vonë, kur e fillova karrierën time si avokate, joga më ndihmoi të mbaja një mënyrë jetese të ekuilibruar. Me meditimin “mindfulness” jam njohur në 2015-n gjatë një udhëtimi të radhës për Tajlandë ku vendosa të qëndroja në një manastir budist për të mësuar meditimin që nga burimi i tij. Jam njeri që kur kam besim tek diçka, jap 100% për ta përvetësuar sa më mirë. Gjatë viteve në vijim kam vazhduar trajnimet në manastire dhe qendra meditimi në Tajlandë dhe Indi dhe tashmë meditimi është pjesë e rutinës time të përditshme. Për mua, joga dhe meditimi janë praktika të fuqishme që çojnë drejt përmirësimit të gjendjes fizike dhe mendore duke përmirësuar kështu mirëqenien e përgjithshme. Këto efekte janë të provuara shkencërisht.

Ju veçoheni për një mënyrë jetese të shkëlqyer dhe tejet të shëndetshme. Çfarë nënkupton të jetosh në ekuilibër me universin nëpërmjet kësaj mënyre të veçantë së jetuari?

Të jetosh shëndetshëm është për mua një domosdoshmëri, veçanërisht nëse pikësynojmë suksese afatgjata në jetë. Sipas eksperiencës time të jetuarit shëndetshëm përfshin si aspektin fizik ashtu dhe atë mental. Unë besoj që trupi dhe mendja janë të ndërlidhura. Të jetosh shëndetshëm nuk do të thotë vetëm të bësh mjaftueshëm lëvizje fizike dhe të ushqehesh shëndetshëm, por edhe të kujdesesh për gjendjen mentale dhe emocionale. Psh. nëse dikush vuan nga mbipesha prej vitesh pa ndonjë arsye shëndetësore dhe dëshiron të humbë peshë mund t´ja arrij këtij qëllimi lehtë me dietë dhe sport. Por për të ruajtur peshën do i duhet të ndryshojë stilin e të ushqyerit dhe të jetuarit në mënyrë afatgjatë dhe këtu qëndron vështirësia. Mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës pasqyrojnë gjendjen tonë mendore dhe emocionale.

Në shembullin konkret mbipesha vjen nga mbingrënia, e cila është thjeshte një sjellje e shkaktuar nga emocionet negative (stresi, vetmia, dëshpërimi etj.). Kjo sjellje e mbingrënies është kthyer në një strategji për përballimin e stresit. Për të arritur qëllimin e humbjes në peshë, me efekt të qëndrueshëm nuk mjaftojnë dietat dhe sporti, por duhet punuar më në thellësi me emocionet dhe mendimet shkaktuese për të ndryshuar zakonet jo të shëndetshme.

Ju tashmë jeni edhe nënë, si arrini të realizoni të ashtuquajturën „Work-life-balance“, midis të qenurit nënë, karrierës dhe kohës së lirë?

Vajza ime Dea tashmë është 8 muajsh dhe unë rifillova punën kur ajo ishte 3 muajsh. Për mua termi “Work-life-balance” do të thotë që unë të ndjehem e ekuilibruar me atë që bëj për momentin. Është një ndjesi dhe jo një recetë e gatshme aktivitetesh. Për momentin shumicën e ditës e kaloj me vajzën dhe atë kohë që më mbetet punoj. Një herë në javë bëj joga dhe meditim dhe një herë pilates. Jam e vetëdijshme qe sapo Dea të rritet edhe pak, kjo axhendë do të ndryshojë. Po të me kishit pyetur për “Work-life-balance” para më shumë së një viti, kur jeta ime ishte 180 gradë ndryshe, duke qenë shumicën e kohës nëpër udhëtime me projekte jashtë vendit dhe me shumë angazhime, do isha përgjigjur ndryshe. Gjatë muajve të para mbas lindjes të kesh kohë për gjumë ose thjesht për të bërë dush është luks. Prandaj termi “Work-life-balance” gjatë kësaj kohe meriton një përkufizim të ri. Ajo që më ka ndihmuar personalisht është krijimi i një “mindset”, pra mentaliteti për të përballuar më mirë sfidat tipike që shumica e nënave i përjeton muajt e para mbas lindjes. Pjesë e këtij mentaliteti është pritshmëria ndaj vetes në rolin e ri e të qenit nënë. Ti japësh jetë një fëmije është gjëja më e

 

bukur që mund të ndodhi në jetë, një dashuri pafund. Por duhet të bëjmë kujdes mos ta idealizojmë të qenit nënë, sepse krahas ndjenjave të bukura mund të përjetojmë edhe emocione të vështira si ndjenjën e pasigurisë, ankthit, prekshmërisë dhe ndjeshmërisë. Në këto raste ka një ndryshim të madh ndërmjet asaj çfarë jemi dhe si mendojmë se duhet të jemi. Ky është ndryshimi mes realitetit dhe idealizmit. Realiteti i një situate të caktuar respekton personin që ne jemi tani. Shpesh njerëzit nisen nga personi që do të donin të ishin, duke idealizuar veten dhe kapacitetet e tyre. Kjo mund të shkaktojë shumë frustrim dhe dhimbje.

Shumë vështirësi do të na shfaqen në momentin që do kërkojmë të jemi dikush tjetër nga ajo që jemi në të vërtetë. Prandaj gjatë kësaj kohe mbas lindjes është shumë e rëndësishme të pranojmë atë çka është mirë apo keq me vetëdijen që çdo gjë është e përkohshme.

Na jepni një këshillë nga përvoja e juaj si nënë, veçanërisht për nënat e reja?

Një këshillë tjetër që mund t´ju jap nënave të reja nga eksperienca ime është, të vendosin prioritete krahas prioritetit të parë dhe më të madh, fëmijës. Çfarë do të thotë kjo? Roli i nënës nuk është roli i vetëm i një femre dhe identiteti i femrës nuk përkufizohet domosdoshmërisht me rolin e të qenit nënë. Është e rëndësishme të qartësoni se çfarë ju bën të ndjeheni të kompletuara krahas fëmijës dhe në bazë të kësaj të hartoni një plan për ti realizuar këto qëllime hap pas hapi, çdo ditë. Në rastin tim, prioriteti më i rëndësishëm mbas vajzës dhe familjes, është puna. Me këtë vetëdije unë e kam organizuar ditën në mënyrë të tillë që punoj kur vajza fle gjumë, gjatë ditës dhe në darkë. Për të arritur këtë, më është dashur ta kthej punën time online për momentin. Pra, unë fillova të punoj në “home office” shumë më përpara se të ndodhte COVID-19. Ishte një organizim i hekurt dhe largpamës i punës time.

Fakti që unë vazhdova punën mbas lindjes për mua nuk ishte barrë, por më bëri të ndjehem edhe më e kompletuar. Kur unë ndjehem mirë, kjo reflekton pozitivisht tek fëmija. Duke qenë se mirëqenia emocionale e nënës reflekton tek fëmija, ja vlen edhe më shumë të investoni dhe të kujdeseni për veten.

Në lidhje me integrimin e jogës apo ushqimit të shëndetshëm në jetën e tyre. Si mund të realizohet një kapërcim i tillë?

Një person i ekuilibruar nga ana emocionale dhe mendore automatikisht ushqehet shëndetshëm, sepse vetë trupi i kërkon ushqime të shëndetshme. Mendja e shëndoshe në trup të shëndoshë dhe anasjelltas. Unë mendoj se ka ushqime të ndryshme dhe stile të ndryshme të ushqyerit që i përshtaten personave të ndryshëm, por jo gjithçka funksionon për të gjithë.

Organizmi, shijet dhe preferencat tona ndryshojnë. Ndaj pyetja nuk është cilat ushqime ose stile të ushqyerit janë të shëndetshme, por si të ndërtojmë një lidhje të shëndetshme me trupin tonë që të kuptojmë se për cilat ushqime ka nevojë dhe cili stil i të ushqyerit i përshtatet më shumë. Ky është një proces që mund të shpejtohet me trajnim dhe duke u marrë me aktivitete të cilat rrisin ndërgjegjësimin e trupit si joga dhe meditimi. Për lexuesit që duan të fillojnë me joga dhe meditim ju këshilloj të fillojnë sa më parë dhe me hapa të vogla. Mos të presin deri sa të jenë gati, të gjejnë kohën e duhur ose të jenë më elastik, por të gjejnë kursin më të afërt ose ndonjë kanal në Youtube për joga dhe meditim dhe të fillojnë sa më parë. Në kanalin tim në Youtube “Yoga me Jonidën” mund të gjeni për herë të parë në gjuhën shqipe një kurs të tërë meditimi “mindfulness” dhe joga për fillestarë.

 

Për momentin e gjithë bota po kalon një periudhë të vështirë, pasi shumica qe e detyruar të kalojë një kohë të gjatë në karantinë. Ndoshta ka edhe persona që kanë krijuar frikë dhe ankthe të ndryshme për të ardhmen. Shëndeti mendor është shumë i çmueshëm, cfarë këshillash do t´i jepnit lexuesve për ta kaluar sa më lehtë këtë periudhë?

Ky virus ka futur tërë botën në kaos. Të gjitha planet tona janë në ajër, ekonomitë dhe bursat janë të paqëndrueshme, papunësia është në rritje dhe ne nuk kemi asnjë siguri për atë që sjell e ardhmja. Në këto rrethana mund të ndjehemi sikur kemi humbur të gjithë ndjenjën e sigurisë, por në realitet nuk është se ne kemi humbur ndjenjën tonë të sigurisë. Ajo që kemi humbur është iluzioni që siguria ekziston. Sigurinë asnjëherë nuk e kemi pasur për të filluar. Kjo mund të na duket shqetësuese, por njëkohësisht mund të jetë çuditërisht çliruese. Mënyrat më të thjeshta për të luftuar ankthin pa ndihmë të jashtme janë ecjet në natyrë, ushtrimet e frymëmarrjes „Pranayama“, joga dhe meditimi „mindfulness“. Ne rastet kur ankthi është i pranishëm për një kohë të gjatë, ka metoda shumë më efikase dhe të shpejta si trajnim të specializuar dhe psikoterapi. Nuk ka nevojë te vuani për një kohë të gjatë, ja vlen të kërkoni ndihmë. Me një trajnues ose psikoterapeut mund të mësoni si të bëni paqe me pasigurinë dhe të përqafoni realitetin, në mënyrë që ju të jeni plotësisht përgjegjës për krijimin e të ardhmes tuaj dhe të ndjeheni më shumë në paqe.

Kush është Jonida dhe çfarë bën ajo jashtë asaj që njeh publiku?

Nuk e kam menduar asnjëherë këtë pyetje deri tani, sepse e konsideroj veten si person privat, jo publik. Gjithsesi, Jonida është i njëjti person para dhe pas kuintave.

Çfarë planesh dhe dëshirash ka Jonida për të ardhmen?

Duke qenë se e tanishmja luan një rol të rëndësishëm në jetën time, planet dhe dëshirat e mia për të ardhmen lidhen me atë ç’ka kam arritur deri tani, pra familjen dhe punën time në fushën e trajnimit dhe të zhvillimit të burimeve njerëzore, të cilat dua t´i zgjeroj në vazhdimësi.