Lajme

Ju nuk do të mbeteni pa pakon e diasporës

Pakoja shtetërore në këtë kohë pandemie në Kosovë mund t`i lërë qytetarët në lloç, por jo edhe "paketa e diasporës"

Sa të keni gjeneratën e parë dhe të dytën, Kosovës nuk do t`i ndalen paketat e diasporës. Ata do të vazhdojnë me kuleta të trasha t`i kalojnë pushimet në Kosovë, të blejnë banesa e të ndërtojnë shtëpi. Ky trend do të vazhdojë ta mbajë në këmbë edhe për një kohë të gjatë ekonominë e Kosovës, së paku derisa fëmijët e gjeneratës së tretë të mos kenë më një lidhje emocionale me vendin e prindërve të tyre. Për të mos humbur bijtë e bijat më të mira të kombit, Kosova duhet të hartojë një strategji që do të mbajë diasporën të lidhur dhe afër me vendin e prejardhjes.

Pandemia Covid-19 ka treguar që Kosova ende nuk ka një ekonomi stabile që do të mund të përballonte edhe situata të këtilla recesioni. Shumë punëtorë ka muaj që s’kanë marrë rroga. Bizneset nuk gjenerojnë të hyra dhe ç’është më e keqja, diaspora sivjet ka munguar. Një verë e huqur në një vend të varfër i cili të hyrat kryesore i pret nga remitencat e diasporës, e cila këtë verë u sanksionua me masa karantinimi në rast se viziton Kosovën.

Kështu, shumë mërgimtarë, në vend se t`i kalojnë edhe këtë verë pushimet në Kosovë, e t`i sjellin si zakonisht kursimet në vendin e tyre, janë detyruar t`i kalojnë ato në vende të tjera, kryesisht bregdetare, duke lënë shuma të konsiderueshme devizash në ato vende.

Arka e Kosovës, e veçmas bizneset kosovare, kanë marrë me këtë një goditje të rëndë të cilën nuk do të arrijnë ta rikuperojnë pa dorën e shtetit dhe ndihmën e diasporës.

Si për të mos mjaftuar kjo, situatën edhe më shumë e vështirësojnë ata për të cilët qytetarët kanë votuar për t’ua zgjidhur problemet. Deputetët e Parlamentit të Kosovës kanë arritur vetëm pas 7 tentativash ta votojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, i cili do t’u mundësojë qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Një shumë e vogël që nuk do t`i zbusë as për së afërmi problemet e mëdha financiare që ka shkaktuar koronavirusi.

Paketa shtetërore mund t`i lërë qytetarët në lloç, por jo edhe paketa e diasporës.

Bijtë e bijat e Kosovës që jetojnë në mërgim, me t`u hequr Kosova nga lista e  karantinës, sidomos nga Zvicra, kanë mësyrë Kosovën përmes rrugëve tokësore dhe ajrore. Çdo ditë ngriten avionë të mbushur me pasagjerë që shkojnë për pushime të vjeshtës në Kosovë.

Sado që ky fluks nuk është i përmasave të pushimeve verore, për kohë vjeshte është i lartë dhe ka filluar të ndihet prezenca e tyre nëpër kafiteri e restorante të cilat janë aktualisht sektori më i dëmtuar nga pandemia Covid-19. Ata e ndiejnë dhe e diskutojnë vazhdimisht këtë.

Preokupimi i tyre është ta ndihmojnë Kosovën të dalë nga kriza ekonomike duke vizituar sa më shpesh atë. Kosovës i mbetet t`i presë ata dhe t’ua bëjë sa më të ëmbël qëndrimin atje.

Kurse platforma albinfo.ch vazhdon të jetë porta informative më e madhe e diasporës mes jetës në Kosovë dhe jetës e suksesve të mërgimtarëve tanë në Zvicër e më gjerë. Kështu, ju në këtë numër mund të gjeni një laramani temash atraktive, që nga zhvillimet në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare dhe prezenca e diasporës shqiptare në Zvicër e më gjerë.

Në këtë numër ju mund të lexoni një reportazh mbi fluksin mërgimtarëve për ta vizituar Kosovën. Portrete suksesi të bashkatdhetareve e bashkatdhetarëve tanë. Ju mund po ashtu të njiheni me ambasadorin e ri të Kosovës në Zvicër, i cili shpalos idetë e punës ekskluzivisht për albinfo.ch.

Gjithsesi ju mund të informoheni edhe mbi atraksionet më të reja turistike që mund t`i vizitoni gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë, e cila vërtet ka nevojë për ne, por edhe ne nuk mund të rrimë pa Kosovën. Kështu që mirupafshim gjatë festave të fundvitit, Kosovë!

  • Editoriali është shkruar në fillim të tetorit, për numrin më të ri të revistës albinfo.ch