Lajme

Vjenë: Organizuar nga Kâ, mbahet takim me poetin arbëresh, Mario Calivà

Më 29 gusht, ditën e diel, nga ora 17:00, në ambientet e “Europahaus Wien” në Vjenë, poeti arbëresh, Mario Calivà, do të prezantojë veprat e tij para publikut shqiptar dhe të huaj. Ky takim organizohet nga organizata Kâ, shkruan albinfo.at.

“Ruajtja dhe avancimi i kulturës shqiptare është motivimi për të zhvilluar një takim me Mario Calivà, shkrimtarin dhe dramaturgun shqiptar nga Hora e Arbëreshëve, ku kultura dhe gjuha shqipe është ruajtur dhe kultivuar me shekuj. Mario vazhdon traditën dhe përmes veprave të tij “Poezi Arbëreshe” dhe “Nostalgjia”, ai sjell kujtesën dhe nostalgjinë e shqiptarëve të Horës së Arbëreshëve”, thotë udhëheqësja e organizatës Kâ, Lirjetë Avdiu – Vejsa për albinfo.at.

Poeti shqiptar nga Hora e Arbëreshëve do të lexojë disa pjesë të veprave të tij, të cilat do të shoqërohen me tinguj të bukur të muzikës nga Marigona Komani, derisa nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘Aleksandër Moisiu’ do të prezantohet një vështrim rreth librave të z. Calivà.