Lajme

Kancelari Scholz nën hetime, i kontrollohen e-mailet

Ai po hetohet rreth një skandali financiar në kohën kur ishte kryetar i Bashkisë së Hamburgut

Autoritetet në Gjermani po mbikëqyrin email-et e kancelarit Olaf Scholz të kohës kur ai ka qenë kryetar i Bashkisë së Hamburgut, në kuadër të një hetimi mbi një skandal financiar.

Sipas mediave gjermane, Gjykata e qarkut të Këlnit ka lëshuar një urdhër për kontrollin e adresës zyrtare të postës elektronike të Shoclz, kur ai drejtonte Hamburgun.

Konkretisht, hetuesit do të kontrollojnë mesazhet elektronike, por edhe dokumentet që u janë bashkangjitur atyre.

Scholz ka qenë në krye të Bashkisë së Hamburgut deri në vitin 2018 dhe email-et që do të kontrollohen do të jenë duke filluar nga 1 janari i 2015-s, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Gjithçka bëhet në kuadër të hetimeve mbi skandalin e njohur si “Cum-ex”, me prokurorët që po përpiqen të zbardhin se si ka ndikuar klasa e atëhershme politike, në nëntor të 2016-s, për të hequr dorë nga një kërkesë financiare tatimore me vlerë 47 milionë euro në dëm të bankës Warburg.

Në fokus të hetimit është edhe deputeti i SPD-së, Johannes Kahrs, por edhe politikanë të tjerë, të cilët dyshohen për favorizim të evazionit fiskal.

I kontaktuar nga mediat lokale, zëdhënësi i qeverisë gjermane ka deklaruar se nuk është në dijeni të urdhrit të gjykatës për të kontrolluar email-et e Scholz dhe ka shtuar se kancelari nuk ka asgjë për të fshehur.